Të përzierat, të vjellat
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Nauzea është një ndjenjë sikleti në stomak, që mund të pasohet nga të vjella. Këto të fundit karakterizohen nga nxjerrja e përmbajtjes së stomakut nga goja. Pas të vjellave, pacienti ndjehet menjëherë i lehtësuar, veçanërisht kur të përzierat shkaktohen nga ushqimet.
Të vjellat janë një refleks mbrojtës i rëndësishëm i organizmit, që kontrrollohen nga qendra e të vjellit në tru, dhe shpërthehen nga stimuluesit truporë. Në këta të fundit bëjnë pjesë:
- Stimuluesit direktë të stomakut (psh. ushqimet e prishura)
- Sinjalet trupore të organit të ekuilibrit në veshin e brendshëm (një ndjesi e vazhdueshme marrje mendsh)
- Shije ose aroma të padurueshme, të provuarit e disa ushqimeve ose thjesht të shikuarit e të vjellave
- Përveç këtyre, në tru gjendet një zonë që njeh disa substanca të veçanta të gjakut (medikamente, toksina , hormone, substanca të eleminuara nga metabolizmi) dhe që mund të aktivizojë direkt qendrën e të vjellave.
Përmbajtja dhe rrethanat e të vjellave shërbejnë si tregues për shkakun e tyre. Kështu:
- Të përzierat dhe të vjellat në mëngjes: janë tipike për periudhën e fillimit të shtatzanisë, por edhe gjatë abuzimit me alkool dhe sëmundjeve të veshkave
- Të vjellat pas ngrënies (menjëherë pas ngrënies): shfaqen në intolerancat ushqimore, ulçerat e stomakut ose gastrit .
- Të vjellat disa orë pas ngrënies: shfaqen në rastet e helmimit ushqimor, pengesat në stomak (psh. nga një tumor)
- Të vjellat me gjak: shfaqen psh. gjatë një hemorragjie të ezofagut
- Të vjellat e zeza, që ngjajnë me llumin e kafesë: kur ka hemorragji në stomak (koagulat e gjakut bëhen të zeza pasi bien në kontakt me acidin e stomakut)
- Materie fekale të përziera me të vjellat: në rastet me paralizë të zorrës
- Të vjellat e vazhdueshme pa të përziera: shenjë e hipertensionit brenda kafkës (intrakranial) pas traumave të kafkës, një meningiti apo kur ka tumor në tru.
Ndërlikimet e shkaktuara nga të vjellat
- Çarjet e mukozës: gjatë të vjellave të forta, mukoza e stomakut ose ezofagut mund të çahet dhe të provokojë hemorragji të rëndësishme. Të vjellat me gjak përfaqësojnë një situatë urgjente, që ka nevojë për shtrim në spital dhe trajtim mjekësor të menjëhershëm. Për më tepër hollësira, shihni simptomën "Të vjellat me gjak".
- Dehidratimi : gjatë të vjellave të vazhdueshme, trupi mund të humbasë sasi të mëdha të ujit dhe kripërave minerale .
Të përzierat dhe të vjellat janë çrregullime që manifestohen në terren të shumë sëmundjeve. Shpesh, në origjinën e tyre qëndrojnë gastro-enteritet, çrregullimet metabolike ose hormonale, sëmundjet e trurit dhe ato të ekuilibrit. Gjithashtu, ato mund të shfaqen pas një ndërhyrjeje kirurgjikale ose gjatë përdorimit të medikamenteve të caktuara. Jo rrallë, problemet afektive shkaktojnë ndjesi të përzieri, psh. kur trishtimi provokon dhimbje barku ose dhimbje gjatë tretjes së disa ushqimeve. Nuk duhet të harrojmë që të përzierat dhe të vjellat shfaqen edhe në rastet e sëmundjeve të rënda, që rrezikojnë jetën, si infarkti i miokardit , shoku alergjik ose traumat e kafkës.
Në fillim të shtatzanisë, të përzierat dhe të vjellat shfaqen së bashku dhe janë të zakonshme. Praktikisht, të gjitha sëmundjet foshnjore karakterizohen nga të përziera dhe të vjella.
Çrregullimet e stomakut dhe zorrëve (gastro-intestinale) që shkaktojnë të vjella
- Ulçera e stomakut dhe duodenit
- Gastriti
- Sindromi i zorrës së irritueshme
- Helmimi ushqimor (i shoqëruar me diarre )
- Gastro-enteriti nga intoleranca ushqimore, psh.nga gluteni
- Bllokimi i stomakut ose i zorrës: dalja e stomakut bllokohet nga një kancer në stomak ; ileus ose paralizë e zorrës
- Pankreatiti (inflamacioni i pankreasit)
- Hepatiti
- Peritoniti (inflamacioni i peritoneumit)
- Apendiciti
- Gurët në tëmth
- Kolecistiti
Çrregullimet e trurit ose të veshit të mesëm që shkaktojnë të vjella
- Migrena
- Sëmundja e udhëtimit
- Sëmundja e detit
- Sëmundja Menier (marramendja e rrotullimit)
- Goditja nga dielli
- Goditja në tru
- Hipertensioni brenda kafkës: i shkaktuar nga një traumë e kafkës, tumor ose meningit, presion i rritur brenda trurit.
Çrregullimet metabolike dhe hormonale që shkaktojnë të vjella
- Diabeti i sheqerit: kur niveli i sheqerit në gjak është tepër i lartë
- Hipertireoza (funksioni i shtuar i gjendrës tiroide)
- Sindroma Adison (insufiçienca e gjendrave mbiveshkore)
- Funksioni i shtuar i gjendrave paratiroide (hiperparatireoza)
- Uremia gjatë insufiçiencës renale akute ose kronike
Shkaqe të tjera
- Sëmundjet akute vdekjeprurëse, si infarkti i miokardit
- Kriza e glaukomës
- Të vjellat e shtatzanisë, veçanërisht në fillim të saj
- Abuzimi me alkoolin
- Toksikomania
- Çrregullimet psiqike, si: depresioni , çrregullimet e ankthit , fobia, të vjellat në terren të një çrregullimi të sjelljes ndaj ushqimit (anoreksia ose bulimia)
- Efektet e padëshiruara të medikamenteve
- Kimioterapia dhe radioterapia
- Pas operacioneve (si pasojë e anestezisë së përgjithshme )
- Gjatë kontaktit me toksinat (psh. holluesit organikë, metalet e rënda)
Kur të përzierat dhe të vjellat shfaqen në terren të një sëmundjeje të stomakut dhe zorrëve (gastro-intestinale), rekomandohet stabilizimi i stomakut nëpërmjet një regjimi ushqimor të posaçëm. Për këtë qëllim, këshillohet pirja e sasive të mjaftueshme të lëngjeve, për të zëvendësuar lëngjet dhe kripërat minerale të humbura gjatë të vjellave. Efikase në këtë drejtim janë: uji mineral, pijet e pagazuara të pasura me elektrolite, lëngu i mishit dhe çajrat. Për të evituar të vjellën menjëherë pas pirjes së këtyre lëngjeve, rekomandohet pirja e tyre ngadalë, në sasi të vogla. Nëse gjithsesi, pacienti vazhdon të nxjerrë gjithçka që konsumon, mjeku duhet të rekomandojë marrjen e likideve me rrugë venoze për ta hidratuar mjaftueshëm atë.
Këshilla kundër sëmundjes së udhëtimit
- Konsumoni diçka përpara se të nisni udhëtimin, pasi stomaku bosh është më i ndjeshëm ndaj udhëtimit.
- Kujdesuni të siguroni një vend të përshtatshëm në automjet, siç është ai në pjesën e përparme të automjetit, pas shoferit të autobusit, në mes të anijes (tragetit), si dhe në mes (pranë krahëve) të avionit.
- Gjatë udhëtimeve të gjata me makinë, bëni pushime të shkurtra të rregullta, gjatë të cilave dilni në ajër të pastër.
- Mos lexoni gjatë udhëtimit me tren ose me makinë, por preferoni të vështroni jashtë dritares
- Egzistojnë medikamente kundër sëmundjes së udhëtimit, të cilat mund t’i përdorni sipas përshkrimit të mjekut.
Këshilla kundër nauzesë së shtatzanisë
- Evitoni konsumin e ushqimeve të yndyrshme ose pikante
- Konsumoni vakte të lehta, me sasi të vogla të ushqimit, konsumoni nga pak lëngje në mënyrë të rregullt ndërmjet vakteve
- Konsumoni diçka përpara se të ngriheni nga shtrati në mëngjes (psh. një biskotë, një kore buke ose një gotë qumësht)
- Merrni vitaminë B6 në formën e pilulave, sipas përshkrimit të mjekut
- Aplikoni akupunkturën
Përgjithësisht, nauzea kalimtare që shfaqet pas konsumit të sasive të mëdha të alkoolit ose një çrregullimi të tretjes, nuk ka nevojë për konsultë mjekësore. Në të tilla raste, nxjerrja e ushqimit gjatë të vjellave e lehtëson të sëmurin, sepse pakëson ndjenjën e të përzierit (nauzesë).
Situatat e mëposhtme kërkojnë konsultë mjekësore:
- Të vjellat vazhdojnë për më tepër se 1-2 ditë
- Shfaqen shenjat e dehidratimit: etje e tepërt, urinim i pakët, marrje mendsh gjatë ngritjes në këmbë
- Të vjellat shfaqen tek foshnjat, fëmijët e vegjël dhe tek pacientët me imunitet të dobësuar ose tek personat e moshuar (me rrezik për dehidratim të shpejtë)
- Të vjellat vazhdojnë edhe pas aplikimit të masave të përgjithshme (pushimi, regjimi i kufizuar ushqimor)
- Të vjellat shoqërohen me ethe, dhimbje të forta (veçanërisht dhimbje koke), çrregullime kardio-vaskulare ose shenja të tjera të rëndësishme
- Të vjellat janë me gjak ose të vazhdueshme, materiet fekale përzihen me të vjellat (situatë urgjente)
- Egziston mundësia e një efekti të padëshiruar medikamentoz
- Të vjellat vazhdojnë në terren të shtatzanisë
Me cilin mjek duhet të konsultoheni?
- Mjeku i familjes (i përgjithshëm)
- Mjeku internist
- Mjeku gastro-enterolog
- Mjeku gjinekolog
- Mjeku neurolog
- Mjeku i urgjencës
Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza ) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.
Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:
- Pyetjet e lidhura me të përzierat dhe të vjellat: kur janë shfaqur fillimisht, me çfarë shpeshtësie, çfarë përmbajtjeje kanë të vjellat (psh. të kuqe me gjak, të verdha, të errëta si llumi i kafesë, me copa ushqimesh të patretura, etj.), faktorët shpërthyes të tyre: psh. nëse janë të lidhura me konsumin e ushqimeve (ndjesia e nauzesë përpara apo pas ngrënies, çfarë ka konsumuar pacienti/pacientja gjatë 24 orëve të fundit), nëse ka patur rënie të pavullnetshme në peshë, nëse është shtatzanë, nëse ka pjesëtarë të tjerë të familjes të sëmurë me të tilla probleme, etj.
- Njohja me simptomat shoqëruese (shih më sipër)
- Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme, përfshirë traumat dhe operacionet.
- Informimi mbi sëmundje ose shkaqe vdekjesh të rëndësishme në familjen e pacientit
- Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
- Informimi lidhur me ndonjë alergji të mundshme
- Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
- Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, nikotina, drogat), stresi, etj.
Egzaminimi fizik
Mjeku egzaminon qarkullimin e gjakut (tensionin arterial, pulsin) dhe kërkon për shenja të mundshme të dehidrimit nga të vjellat (lëkura dhe mukozat e thata, ndjenja e etjes). Gjithashtu, mjeku mat temperaturën dhe peshën trupore, palpon dhe perkuton barkun (për dhimbje dhe mbrojtje të mundshme muskulare), zorrët, auskulton zemrën dhe mushkëritë. Rektumi dhe pjesa fundore e zorrës së trashë palpohen gjatë tushesë rektale . Mjeku vlerëson funksionin e veshit të brendshëm dhe aftësinë e dëgjimit në çdo rast kur të vjellat shoqërohen me marrje mendsh.
Egzaminime të tjera specifike diagnostike
- analizat e gjakut
- analizat e urinës dhe të feçeve
- radiografia e barkut, sipas rastit edhe me lëndë kontrasti
- ekografia e organeve të brendshme të barkut
- gastroskopia , sipas rastit edhe kolonoskopia
- skaneri, rezonanca magnetike
- EKG (elektrokardiografia)
- Matja e presionit brenda syrit (glaukoma )
- Operacion urgjent (psh. në rastet me bllokim të zorrës ose apendicit, etj.).
Trajtimi i të përzierave dhe të vjellave varet nga shkaku i tyre. Më poshtë paraqiten disa mënyra të mundshme të trajtimit:
Masat e përgjithshme
- Zëvendësimi i lëngjeve dhe elektroliteve të humbura gjatë të vjellave
- Shtrimi në spital dhe trajtimi me perfuzione me rrugë venoze gjatë të vjellave të forta që kanë shkaktuar dehidratim
Trajtimi i sëmundjes kryesore
Kur të përzierat dhe të vjellat janë shkaktuar nga një sëmundje kryesore, fillimisht duhet trajtuar kjo e fundit. Trajtimi mund të jetë medikamentoz, kirurgjikal ose me psikoterapi.
Medikamentet kundër të vjellave
Gjatë çrregullimeve të rëndësishme, mund të përdoren medikamentet antiemetike (kundër të përzierave dhe të vjellave), që pakësojnë ndjenjën e të përzierit. Ato mund të përdoren edhe për qëllim parandalues të të përzierave, si psh. gjatë kimioterapisë.