logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Sëmundja nga rrezatimi radioaktiv: varet nga lloji, doza dhe kohëzgjatja e ekspozimit ndaj rrezatimit.
Sëmundja nga rrezatimi radioaktiv: varet nga lloji, doza dhe kohëzgjatja e ekspozimit ndaj rrezatimit.

Rrezatimi nga substancat radioaktive nuk është edhe aq i dëgjuar. Megjithatë, një gjë është e sigurt: ne jemi të rrethuar prej tij ditë e natë. Mundësia e rrezatimit dhe shkalla e dëmtimit prej tij varen nga tre faktorë: doza e rrezatimit, zgjatja e ekspozimit ndaj tij dhe lloji i substancës rrezatuese. Doza e rrezatimit matet me sievert (1Sv=1J/kg).

Sëmundjet e shkaktuara nga rrezatimi shfaqen pas një rrezatimi akut (të menjëhershëm) të trupit, për shembull, gjatë një aksidenti bërthamor, ose pas radioterapisë për sëmundje kanceroze. Çrregullimet në këtë rast kanë simptoma të ngjashme me gripin, por, në varësi të dozës së rrezatimit dhe substancës rrezatuese, mund të shkaktojnë edhe vdekjen pas disa ditëve.

 

Shkaqet e dëmtimit nga radioaktiviteti janë:

  • Ekspozimi akut ose kronik ndaj një substance radioaktive
  • Radioterapia për sëmundje kanceroze

Efekti i radioaktivitetit varet nga disa faktorë:

  • Kohëzgjatja e rrezatimit: nëse rrezatimi është i shkurtër, organizmi, të paktën, do të mund të kundërvepronte ndaj tij më mirë se sa në rastin e marrjes të së njëjtës dozë për kohë më të gjatë.
  • Doza: një dozë e lartë rrezatimi shkakton në ditët që pasojnë sëmundje akute e deri edhe vdekjen. Kështu, një rrezatim prej 5 Sv, për disa ditë, shkakton vdekjen tek rreth 50% e personave të ekspozuar.
  • Substanca rrezatuese: një qendër bërthamore prodhon gaze të rralla radioaktive, veçanërisht të rrezikshme (ksenon 133 dhe kripton 85). Përparësia e këtyre substancave është se janë ekstremisht të avullueshme. Për pasojë, rreziku për t’u infektuar prej tyre zhduket disa kilometra larg qendrës bërthamore. Jodi 131 dhe Ceziumi mund të gjenden në produktet ushqimore dhe në ujin e pijshëm. Jodi radioaktiv i marrë nëpërmjet këtyre produkteve grumbullohet me shpejtësi në gjendrën tiroide, duke rritur në këtë mënyrë shkallën e rrezikut për zhvillimin e kancerit të tiroides.

Stronciumi 90 dhe Plutoni 239 qëndrojnë në ajër dhe, duke u thithur nëpërmjet ajrit, hyjnë në organizëm përmes rrugëve të frymëmarrjes, ku shkaktojnë dëmtim qelizor.

 

Periudha e inkubacionit, që nënkupton periudhën ndërmjet momentit të rrezatimit dhe shfaqjes së çrregullimeve, varion nga disa ditë deri në disa javë.

Simptomat e lehta të shkaktuara nga rrezatimi i lehtë, deri në 1 Sv

Simptomat e rënda të shkaktuara nga radioaktiviteti 2-4 Sv

  • Të përziera të forta, të vjella
  • Rënie e flokëve
  • Dobësi e përgjithshme trupore
  • Rrezik tepër i lartë për infeksione, nga ulja e numrit të qelizave të bardha të gjakut (leukopeni)
  • Infertilitet i përkohshëm tek femrat (paaftësi për të mbetur shtatzana)
  • Diarre
  • Hemorragji në mukozën (shtresën e brendshme) e gojës, lëkurës dhe veshkave, e shkaktuar nga ulja e numrit të trombociteve në gjak (trombopeni).
  • Ulje e numrit të qelizave të kuqe të gjakut (eritropeni)
  • Vdekje brenda 30 ditëve në 10% të rasteve.

Simptomat akute (të menjëhershme) të shkaktuara nga radioaktiviteti 4-6 Sv

Në këto raste, çrregullimet e mësipërme shfaqen më shpejt dhe janë më të forta, sepse periudha e inkubacionit është e shkurtër, nga disa orë në disa ditë.

Kështu, steriliteti është i përhershëm. Substanca radioaktive qëndron në organizëm nga disa muaj deri në një vit. Pa trajtim intensiv, personat e rrezatuar mund të vdesin brenda 3 muajve. Shkaqet e vdekjes janë shpesh infeksionet ose hemoragjitë.

Ndërlikimet e shkaktuara nga rrezatimi mbi 6 Sv

Shkatërrimi i palcës së kockave dhe mukozave, duke përfshirë edhe aparatin e tretjes.

Rrezatimi ndërmjet 10-20 Sv

Të përzierat dhe dobësia trupore shfaqen brenda disa minutave. Kjo pasohet nga një fazë e përkohshme përmirësimi (faza e ecjes së fantazmës), që zgjat disa ditë përpara shfaqjes së simptomave masive, si çrregullimet e sistemit kardio-vaskular dhe faza e dëmtimit të pakthyeshëm të organeve, gjë që shkakton vdekjen brenda një kohe të shkurtër.

 

Për diagnostikimin e shpejtë dhe të saktë të dëmtimit nga radioaktiviteti, janë të nevojshme:

  • Informimi i mjekut lidhur me historinë e sëmundjes që, në këtë rast, nënkupton kohën e rrezatimit dhe dozën e tij
  • Kontrrolli i funksioneve të organeve vitale dhe i gjendjes së përgjithshme shëndetsore të personit të rrezatuar
  • Ekzaminimi laboratorik i gjakut dhe përgatitja për transplantim të palcës kockore

 

Trajtimi i një personi të dëmtuar nga radioaktiviteti konsiston në këto hallka:

  • Largimi i pacientit nga zona e rrezatuar
  • Dezinfektimi i tij, që do të thotë largimi nga trupi i substancës radioaktive, nëpërmjet larjes së tij në dush.
  • Ruajtja dhe trajtimi i funksioneve të organeve me rëndësi jetike
  • Përdorimi i tabletave të jodit (në formën e jodurit të kaliumit): jodi radioaktiv thithet nga gjendra tiroide dhe grumbullohet aty. Duke përdorur jod joradioaktiv, konkurohet ky proces, pra frenohet thithja e jodit radioaktiv nga tiroidja.
  • Transfuzioni i gjakut dhe transplanti i qelizave të dëmtuara
  • Terapia mbajtëse që përfshin: marrjen e vitaminave dhe antibiotikëve, ekuilibrin ndërmjet marrjes së lëngjeve dhe humbjes së elektroliteve (natriumi, kaliumi, kalciumi, magneziumi,etj).
  • Psikoterapia

Edhe në rastet me doza të vogla rrezatimi radioaktiv, ekspertët deklarojnë që duhet vlerësuar brenda 3-4 ditëve, nëse një viktimë e këtij rrezatimi ka nevojë ose jo për trajtim të momentit ose të mëvonshëm, apo për transplantimin e palcës kockore.

 

Ndërlikimet e mëvonshme tek të mbijetuarit e një sëmundjeje të shkaktuar nga radioaktiviteti

Kujdes! Dozat e vogla të radioaktivitetit nuk janë vdekjeprurëse, por ato rrisin shkallën e rrezikshmërisë afatgjatë për zhvillimin e një kanceri.

Për shembull, një ekspozim prej 100 miliSv e rrit këtë rrezik me 1%, veçanërisht për leuçeminë, kancerin e gjirit dhe kancerin e tiroides, por mund të shkaktojë edhe dëmtime të genomit (në nivelin e geneve), që reflektohen më pas me keqformime tek pasardhësit. Në këtë drejtim, janë veçanërisht të rrezikuar fëmijët, për shkak të ndarjes më të shpejtë qelizore.

 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.