Aborti (Dështimi, Ndërprerja e shtatzanisë)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)
Aborti përkufizohet si një ndërprerje e shtatzënisë përpara lindjes së fetusit. Ai përfaqëson ndërlikimin më të shpeshtë të shtatzanisë.
Flitet për abort kur fëmija nuk tregon asnjë shenjë jete, si psh. frymëshkëmbim, rrahje të zemrës ose pulsim të kordonit umbilikal (të kërthizës së bebit) dhe kur pesha e tij është nën 500 g. Kufiri i lejuar i kryerjes së abortit është deri në javën e 24-t të shtatzënisë. Rreziku për abort është i pranishëm tek rreth 20% e të gjitha grave shtatzëna. Sa më e madhe të jetë mosha e gruas shtatzënë, aq më i madh është rreziku për abort.
Gjithsesi, sa më e madhe të jetë mosha e shtatzënisë, aq më i vogël është rreziku për të humbur fëmijën.
Format e aborteve janë:
- Rreziku për abort: përfaqëson etapën që i paraprin abortit. Në rast se trajtohet në mënyrë korrekte, shtatzënia mund të vazhdojë normalisht.
- Aborti spontan (pa dashje): konsiston në nxjerrjen spontane të fetusit, pa u ndikuar nga faktorët e jashtëm. Shkaku i këtij tipi është shpesh i panjohur.
- Aborti përzgjedhës (selektiv): ndodh në rastin e një shtatzënie të iimplantuar keq, ose në rastin e vdekjes pa simptoma të embrionit.
- Aborti i detyruar: konsiston në ndërprerjen e shtatzënisë nëpërmjet proçedurave instrumentale ose përdorimit të medikamenteve.
- Aborti i përsëritur: quhet i tillë nëse gruaja ka patur më shumë se 3 aborte gjatë jetës së saj.
Sipas studimeve të viteve të fundit, vetëm rreth 30% e shtatzënive realizohen deri në fund. Shpesh, vdekja e fetusit ndodh në një stad shumë të hershëm dhe për pasojë shtatzënia kalon pa u vënë re.
Shkaqet e lidhura me nënën në rastin e abortit spontan:- Mosha e nënës: abortet janë dy herë më të shpeshta tek femrat me moshë mbi 35 vjeç, krahasuar me ato me moshë 20-29 vjeç.
- Dobësia e qafës së mitrës: njihet si insufiçienca cervikale dhe është e lidhur me dobësinë e indit lidhor dhe atij muskular të qafës së mitrës, ose me zgjerimin artificial të kanalit të mitrës (psh. nga abortet e përsëritura).
- Traumatizimi mekanik (si psh. goditja)
- Stresi i fortë psiqik
- Sëmundjet endokrine, si diabeti i sheqerit dhe funksioni i shtuar i gjendrës tiroide (hipertireoza).
- Reaksionet imunologjike (në rastet e mospranimit të fetusit nga organizmi i nënës), për shkak të mospërputhjes së grupit të gjakut në sistemin Rezus. Në këtë rast, nëna me grup Rezus negativ nuk mund të pranojë një fetus me grup Rezus pozitiv, si babai.
- Sëmundjet autoimune, si lupusi eritematoz i diseminuar.
- Sëmundjet e mitrës (miomat uterine)
- Çrregullimet hormonale (dobësia e trupit të verdhë)
Shkaqet e lidhura me fëmijën:
- Anomali të pranishme në nivelin e kromozomeve
- Keqformime të fëmijës
Shkaqe të jashtme
- Infeksionet
- Medikamentet
- Nikotina e duhanit, alkooli, drogat, ndotësit e ambientit.
Shkaqe të lidhura me babain e fëmijës
- Çrregullime gjenetike, të tilla si anomalitë e spermës.
Në rastin e dhimbjeve të mëdha në fundin e barkut dhe/ose të hemorragjive vaginale gjatë shtatzënisë, duhet të konsultohet një mjek menjëherë, edhe nëse simptomat nuk janë domodoshmërisht shenja të një aborti. Pothuajse gjysma e grave me hemorragji gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë përfundojnë me abort.
Ankesat dhe simptomat që mund të lajmërojnë një abort:
- Hemorragjitë, që mund të jenë edhe thjesht humbje të vogla të gjakut
- Kontraktime të dhimbshme (tkurrje) të mitrës
- Zbehja e shenjave karakteristike për shtatzëninë, si mungesa e tensionimit të gjinjve, ndërprerja e të përzierave në mëngjes
- Temperaturë (rrallë)
- Në rastin e dobësisë së qafës së mitrës, është mjaft i shpeshtë aborti pa dhimbje dhe pa kontraksione.
- Informimi i mjekut obstetër-gjinekolog mbi simptomat e pacientes (hemorragji, dhimbje gjatë shtatzënisë).
- Ekografia obstetrikale
- Dozimet hormonale
- Egzaminimi i indeve, nëse placenta është nxjerrë jashtë trupit
- Analizat laboratorike: përcaktimi i grupit të gjakut dhe faktorit Rezus, nëse nuk janë të disponueshëm në momentin e konsultës nga specialisti.
Masat e përgjithshme
- Në rastin e rrezikut për abort, duhet të kryhet në mënyrë urgjente shtrimi në spital i pacientes, me regjim shtrati, mbikqyrje nga personeli mjekësor dhe përdorim të medikamenteve.
- Eleminimi ose trajtimi i faktorëve të rrezikut. Më pas, është mjeku ai që do të vendosë nëse është i nevojshëm regjimi i shtratit për gruan shtatzënë.
Trajtimi medikamentoz
- Në rastin e rrezikut për abort: përdorimi i medikamenteve tokolitike, që frenojnë kontraktimet e mitrës, si dhe të qetësuesve nëse është e nevojshme.
- Në rastin e abortit jo të plotë, medikamente me efekt nxitës të tkurrjeve uterine, në mënyrë që të nxitet aborti i plotë.
- Tek gratë me faktor Rezus negativ, rekomandohet injektimi i antitrupave, për të parandaluar një mospërputhje të faktorit Rezus ndërmjet nënës dhe fëmijës gjatë një shtatzanie të ardhshme.
Operacionet
Kyretimi (pastrimi i mukozës së mitrës): pas një aborti, është shpesh i nevojshëm kyretimi. Ai bëhet nën efektin e anestezisë së përgjithshme. Më pas, indet e marra gjatë kyretimit i nënshtrohen egzaminimit mikroskopik.
- Një abort i vetëm nuk pasohet domosdoshmërisht nga aborte të tjera gjatë shtatzënive të ardhshme. Ecuria e këtyre të fundit varet nga shkaku i abortit të mëparshëm dhe nga mënyra e trajtimit të tij.
- Rreziku për të patur një abort tjetër rritet me numrin e aborteve të kaluara.
- Abortet e përsëritura kanë nevojë për një bilanc mjekësor tepër të detajuar, për të identifikuar shkaqet e mundshme.
Ndërlikime të tjera të abortit:
- Inflamacioni i vezoreve dhe anekseve të tyre (adneksiti)
- Inflamacioni i peritoneumit (peritoniti)
- Trombozat e venave të këmbëve