Sinkopi (Humbja e shkurtër e ndërgjegjes, Humbje e vetëdijes, Kolapsi, Zalisja)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Sinkopi (Kolapsi, Zalisja) zgjat vetëm disa sekonda dhe rrallë mund të shkaktojë vdekjen e pacientit.
Sinkopi është një çrregullim afatshkurtër i ndërgjegjes, që shkaktohet nga mungesa e përkohshme e gjakut dhe oksigjenit në tru. Nëse kjo gjendje zgjat më shumë se një minutë, bëhet fjalë për një urgjencë mjekësore që ka nevojë për ndihmë mjekësore të menjëhershme; një humbje më e gjatë e vetëdijes mund ta rrezikojë jetën e pacientit ose të lërë pasoja tek ai për gjithë jetën.
Sinkopi mund të ndodhë si rezultat i sëmundjeve të zemrës, të tilla si sëmundja e valvulave të zemrës, infarkti i miokardit apo aritmitë. Zemra rreh shumë shpejt, në mënyrë shumë të çrregullt ose shumë ngadalë; në të gjitha këto raste, furnizimi i trurit me gjak është momentalisht i kufizuar. Sidomos tek të moshuarit, ndonjëherë ndodhin edhe pushime ndërmjet rrahjeve të zemrës.
Qarkullimi i zemrës
Më shpesh, ky është një sinkop vazo-vagal, dmth një rënie e papritur e presionit të gjakut dhe pulsit, të shkaktuara nga një reagim i tepruar i sistemit nervor. Kjo formë e sinkopit më shpesh prek njerëzit e shëndetshëm, dhe shpesh shkaktohet nga frika, dhimbja ose stresi mendor.
Përveç kësaj, kalimi i papritur nga pozicioni shtrirë në pozicionin në këmbë, ose qëndrimi i zgjatur në këmbë mund të çojë gjithashtu në humbjen e vetëdijes (sinkopi ortostatik). Ky lloj i sinkopit shpesh prek njerëzit shumë të hollë ose shumë të gjatë, të cilët kanë tendencë të kenë presion të ulët të gjakut. Në këtë rast, tensioni nuk është më i mjaftueshëm për furnizimin e trurit me gjak në sasinë e duhur. Diabetikët gjithashtu preken shpesh nga kjo formë e sinkopit.
Truri
Ngushtimet e enëve të gjakut që çojnë gjakun në tru ose në enët e trurit mund të rezultojnë në uljen e furnizimit me gjak të këtyre strukturave. Përveç kësaj, një ndryshim i arterieve karotide, më shpesh në formën e kalcifikimit (arteriosklerozës), mund të shkaktojë një sinkop kur subjekti kthen kokën në mënyrë të menjëhershme.
Sëmundjet e mëposhtme mund të provokojnë një sinkop:- Inflamacioni i trurit dhe inflamacioni i meningjeve (cipave të trurit)
- Tumoret e trurit dhe dëmtimet e tij
- Apopleksia cerebrale (aksidentet vaskulare të trurit)
- Krizat e epilepsisë
- Metabolizmi
- Mungesa e lëndëve ushqyese në gjak, si në rastin e hipoglicemisë (ulja e nivelit të sheqerit në gjak), mund të jetë një tjetër shkak i zbehjes.
Metabolizmi
Mungesa në gjak e substancave ushqyese për trurrin, siç ndodh në rastin e uljes së sheqerit në gjak (hipoglicemisë), mund të jetë një tjetër shkak i gjendjes sinkopale.
Medikamentet dhe alkooli
Disa medikamente mund të favorizojnë një sinkop. Si të tilla mund të përmendim ato që përdoren për uljen e tensionit arterial (antihipertensivët) dhe medikamentet e forta kundër dhimbjes (antialgjikët). Faza e shkëputjes nga alkooli ose droga konsiderohet gjithashtu si një faktor që mund të shkaktojë sinkop.

Shpesh sinkopi paraprihet nga një tendencë për djersitje, të përziera, marramendje, zbehje dhe ndoshta palpitacione. Në shumë raste, njerëzit gjithashtu përshkruajnë pamjen e papritur të një "velloje të zezë" para syve.
Sidomos në rastet e aritmisë së zemrës, sinkopi mund të ndodhë pa ndonjë shenjë paraprake.
Për të vendosur diagnozën e sinkopit, mjeku bazohet në:
- Anamnezën mjekësore, duke marrë parasysh simptomat e pacientit
- Egzaminimi fizik, me matjen e pulsit dhe të tensionit arterial për disa herë.
- Analizat laboratorike, për të përjashtuar çrregullimet e metabolizmit, inflamacionin dhe aneminë.
- Në varësi të historisë së sëmundjeve, simptomave të pranishme dhe moshës, mund të jenë të nevojshme: elektrokardiograma (EKG), monitorimi me EKG për 24 orë, elektroencefalograma (EEG) për të regjistruar aktivitetin elektrik të trurit, dhe, ekzaminimi me ultratinguj i arterieve të mëdha të qafës (Eko Doppler e arterieve karotide).

Masat e ndihmës së parë:
Pacienti duhet të lihet (ose të vendoset) në pozicionin shtrirë, t’i ngrihen këmbët dhe të mbulohet me një batanije të ngrohtë.
Pas disa sekondave, pacienti duhet të reagojë përsëri ndaj të folurës. Në rast se pacienti është diabetik i njohur dhe sinkopi ka qenë pasojë e hipoglicemisë, duhet t’i jepet sheqer (kokërr, pluhur ose i tretur në ujë), që ai të reagojë përsëri ndaj të folurës.
Kujdes! Nëse humbja e ndërgjegjes zgjat për më tepër se disa sekonda:
Masat e ndihmës së parë sipas skemës ABCD
A = Rrugët e ajrit: lirimi i rrugëve të kalimit të ajrit
B = Frymëmarrja: në rast se ka ndaluar frymëshkëmbimi (frymëthithja dhe frymënxjerrja), realizohen menjëherë dy fryrje në hundë.
C = Shtypja: shtypja dhe masazhet në zonën e zemrës.
D = Defibrilimi: defibrilimi, elektroshoku (goditja me rrymë elektrike)
Masat shtesë
Lidhen me përcaktimin e shkakut të humbjes së ndërgjegjes. Në këtë mënyrë evidentohet dhe trajtohet sëmundja kryesore, duke evituar përsëritjen e episodeve të sinkopit.

Në rastin e simptomave të parëndësishme, masat terapeutike janë të kufizuara, shpesh vetëm me edukimin e pacientit, që do të thotë:
- Evitim i situatave që mund të provokojnë një sinkop
- Njohja e shenjave të alarmit, që paraprijnë sinkopin (si psh. shenjat e një hipoglicemie: djersitje, dridhje e trupit, nervozitet, ndjenjë urie,etj)
- Konsumi i sasive të mëdha të lëngjeve
- Praktikimi i kryqëzimit ose shtrirjes së këmbëve
Situata ndryshon për pacientët në rrezik, veçanërisht ato me dështim të punës së zemrës (insufiçiencë kardiake), ata që bëjnë sinkop gjatë një krize epileptike ose ata që i përkasin kategorive të caktuara profesionale, si shoferët apo njerëzit që punojnë në makineri.
Vendimi për mënyrën e trajtimit, apo për të menaxhuar një sinkop, varet drejtpërdrejt nga diagnoza e saktë, nga gjendja e përgjithshme e pacientit, si dhe nga mjedisi i tij shoqëror, dhe prandaj duhet të merret, sipas rastit, nga mjeku.