logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
MERS: simptoma të gripit me ethe të papritur dhe temperaturë të lartë.
MERS: simptoma të gripit me ethe të papritur dhe temperaturë të lartë.

Sindroma e frymëmarrjes e Lindjes së  Mesme (MERS) është një infeksion viral i shkaktuar nga një virus i familjes së koronaviruseve. Këto viruse mund të shkaktojnë sëmundje të ndryshme tek njerëzit, që variojnë nga ftohja e thjeshtë tek SARS-i (sindromi i rëndë akut i frymëmarrjes). Sidoqoftë, koronavirusi i MERS ndryshon ndjeshëm nga ai i SARS.

Tipi i koronavirusit shkaktar të MERS u zbulua për herë të parë në Arabinë Saudite në vitin 2012. Ai shkakton infeksione serioze të frymëmarrjes dhe, në raste të rënda, mund të çojë në sindromën akute të frymëmarrjes ose dështimin e funksionit të veshkave. Të gjithë pacientët e mëparshëm ishin infektuar në vendet e Gadishullit Arabik, veçanërisht në Arabinë Saudite, ose në mesin e udhëtarëve pas kthimit nga këto vende. MERS mund të jetë fatal, veçanërisht për të sëmurët kronikë.

Në fillim u supozua se virusi shkaktar i MERS-it e ka origjinën nga lakuriqët, por kjo asnjëherë nuk është vërtetuar shkencërisht. Antitrupat ndaj tij u gjetën më vonë tek devetë, gjë që sugjeron që devetë janë bujtës të ndërmjetëm të virusit. Afërsia e njerëzve me devetë në vendet arabe sugjeron një transmetim të mundshëm prej tyre.

Që kur u shfaq për herë të parë në vitin 2012, rastet me MERS janë raportuar në vende të ndryshme, kryesisht në Gadishullin Arabik, por edhe në Evropë, Afrikën e Veriut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Azi. Përveç rasteve të reja, disa shpërthime të mëdha të tij ndodhën në një spital në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në prill dhe maj të vitit 2014, me deri në 100 raportime të reja në javë. Përhapja më e fundit ka ndodhur në Korenë e Jugut në maj të vitit 2015, dhe është shpërthimi më i madh i MERS-it  deri tani jashtë Lindjes së Mesme. Infeksioni u soll prej Lindjes së Mesme nga një udhëtar i Koresë së Jugut.

MERS shkaktohet kryesisht nga spërklat e infektuara (veçanërisht përmes kollitjes, teshtitjes ose përmes sekrecioneve të syrit), por mundësisht edhe përmes jashtëqitjeve ose urinës së kontaminuar. Burimi më i mundshëm i infeksionit nga rastet e para janë devetë (kontakti i drejtpërdrejtë ose i tërthortë, d.m.th. edhe përmes produkteve të papërpunuara të tyre).

Transmetimi nga njeriu tek njeriu është i provuar, por jo edhe aq i lehtë. Kjo do të thotë që anëtarët e familjes ose njerëzit e tjerë në kontakt të ngushtë me pacientin (personeli i kujdesit dhe infermierët) kanë një rrezik të rritur për t'u infektuar gjithashtu.

Njerëzit e moshuar dhe të sëmurët kronikë, psh. diabetikët, pacientët me sëmundje pulmonare obstruktive kronike (SPOK), pacientët e sëmurë nga zemra etj., dhe ata me sistem imunitar të dobësuar janë më të rrezikuar për t'u sëmurur nga MERS.

Periudha e inkubacionit (koha nga infektimi deri në fillimin e sëmundjes) është zakonisht nga më pak se një javë deri në 14 ditë. 

Personat e infektuar konsiderohen ngjitës vetëm kur shpërthejnë simptomat e para. Pas kthimit nga një zonë e rrezikuar, pas kontaktit me persona të sëmurë dhe njëkohësisht pas shfaqjes së simptomave të dyshimta, menjëherë duhet të këshilloheni me mjekun.

Së pari, MERS zakonisht ka simptoma të ngjashme me gripin, si ethe  (temperatura mbi 38°C), e shoqëruar nga kollitja dhe vështirësia në frymëmarrje.

Ankesa të tjera të mundshme janë:

Urgjencë: pacientët shpesh zhivillojnë pneumoni brenda një jave, që mund të përparojë në sindromin akut të frymëmarrjes. Në rastin më të keq, ndodh dështimi i funksionit të veshkave dhe dështimi i shumëfishtë i organeve, gjë që zakonisht çon në vdekje. 

Së pari, mjeku njihet me historinë e plotë mjekësore të pacientit, përfshirë simptomat e tij. Përfshihen gjithashtu informacione mbi aktivitetet dhe udhëtimet, kontaktin me pacientë ose sëmundje akute të familjes.

Tepër të rëndësishëm për përcaktimin e diagnozës janë: ekzaminimi fizik, gjendja e përgjithshme e pacientit, vlerat laboratorike (treguesit e inflamacionit, zbulimi i antitrupave kundër virusit MERS në sekrecionet e hundës ose të fytit), radiografia (mundësisht skaneri). Vetë virusi mund të zbulohet në sekrecionet e trakesë ose të bronkeve.

E rëndësishme: Për sa kohë që diagnoza e MERS-it nuk është përfundimtare, pacienti konsiderohet ngjitës. Për të shmangur ngjitjen, personi në fjalë duhet të kujdeset me masat e duhura mbrojtëse (mbrojtja e gojës, dorezat, etj.). Kjo vlen edhe për anëtarët e familjes ose persona të tjerë.

Shumica e pacientëve kanë simptoma shumë të forta të sëmundjes dhe duhet të mjekohen në njësinë e kujdesit intensiv në spital.

Nuk ka trajtim medikamentoz për vetë virusin. Mund të trajtohen vetëm simptomat, me:

Në rastet me vështirësi në frymëmarrje të theksuar, vendoset terapia me oksigjen. Nëse në të njëjtën kohë ekziston edhe një infeksion bakterial, përdoren antibiotikë.

Kur qëndroni në vendet e Lindjes së Mesme dhe jetoni me njerëz të infektuar, në veçanti duhet të respektohen rregullat e mëposhtme të higjienës:

  • Vendosni doreza dhe një maskë për fytyrën
  • Lani dhe dezinfektoni duart rregullisht me sapun dhe ujë
  • Ruani higjenën e ushqimit, zakonisht "gatuajeni, qërojeni ose lëreni" - kjo vlen edhe për ujin e pijshëm: pini vetëm ujë të zier ose ujë mineral dhe përdoreni atë edhe për të larë dhëmbët.
  • Shmangni kontaktet me fermat, kafshët shtëpiake dhe të egra
  • Shmangni kontaktin e ngushtë fizik me njerëzit e sëmurë dhe vendosni maskë për fytyrën dhe doreza kur kujdeseni për ta.

Në rast të simptomave të para pas kontaktit me pacientët ose pas kthimit nga vendet arabe, menjëherë duhet të konsultoheni me mjekun.

Aktualisht nuk ka kufizime udhëtimi për në Lindjen e Mesme dhe rreziku i infeksionit është i ulët.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.