Apopleksia cerebrale (goditja cerebrale, goditja në tru)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Çrregullimi i qarkullimit të gjakut ndodh papritmas në organizëm. Truri nuk furnizohet më me oksigjen dhe lëndë ushqyese, duke rezultuar në një çrregullim të funksionit të tij. Nëse kjo mungesë e oksigjenit dhe lëndëve ushqyese zgjat, indet e trurit fillojnë të nekrotizohen (vdesin).
Në rast të infarktit (mosfurnizimit me gjak) të lehtë të trurit, simptomat mund të zhduken pas disa orësh; kjo quhet goditje ishemike e përkohshme ose tranzitore.
Si shkaqe të një goditjeje në tru mund të përmenden:
- Ngushtimi (nga arterioskleroza) i arterieve karotide ose arterieve të trurit (arterieve cerebrale).
- Bllokimi i enëve të gjakut (tromboza)
- Bllokimi i enëve nga mpiksja e gjakut (embolizmi) në rast të aritmisë së zemrës ose keqformimeve në zemër.
- Rënia e ndjeshme e presionit të gjakut, si p.sh. në rast të ndalimit të zemrës ose aritmisë së zemrës.
- Inflamacionet, keqformimet e lindura dhe dëmtimi i enëve të gjakut që furnizojnë trurin (shkaqe të rralla).
Faktorët e rrezikut për goditjen në tru janë:
- Hipertensioni arterial
- Pirja e duhanit
- Diabeti i sheqerit
- Kolesteroli i lartë
- Mbipesha trupore
- Mungesa e aktivitetit fizik
- Depresioni (sipas studimeve të fundit)
Apopleksia cerebrale (goditja në tru) manifestohet me këto simptoma:
- Hemiplegjia (paraliza e një ane të trupit), ndoshta me varje të këndit të buzëve
- Çrregullime të ndjeshmërisë
- Çrregullime të të folurit, të gëlltitjes dhe të shikimit (diplopia)
- Vështirësi të koordinimit të duarve
- Marramendje
- Dhimbje koke (rrallë)
- Të përziera, të vjella
- Në raste të izoluara, mund të ndodhin kriza epileptike (në rast të një infarkti akut të trurit).
- Çrregullime të vetëdijes deri në koma

Diagnoza e një goditjeje në tru vendoset nga mjeku, duke u bazuar në:
- Historinë mjekësore të pacientit, duke marrë parasysh simptomat e tij
- Ekzaminimin fizik të pacientit
- Tomografinë e kompjuterizuar (CT-scan) dhe/ose rezonancën magnetike (MRI) të kokës, për të përjashtuar një hemorragji cerebrale
- Ekzaminimi me ultratinguj
- EKG (Elektrokardiograma) për të zbuluar çrregullime të mundshme të ritmit të zemrës
- Ekografinë e zemrës (për të vlerësuar funksionin e zemrës dhe valvulat e zemrës).
- Testet e gjakut për të nxjerrë në pah çrregullimet e mpiksjes së gjakut
Goditja në tru është një emergjencë mjekësore që kërkon trajtim mjekësor të menjëhershëm, edhe nëse simptomat mund të përmirësohen. Koha e fillimit të trajtimit ndikon fuqishëm në shanset e mbijetesës dhe të përmirësimit të shenjave të paralizës.

Trajtimi i goditjes në tru varet nga shkaqet e saj. Kështu, kur shkaku ka qenë:
- Hemorragjia cerebrale: bëhet monitorimi neurologjik i pacientit dhe sipas rastit mund të kryhet ndërhyrje kirurgjikale.
- Bllokimi i enës së gjakut: bëhet monitorimi i presionit të gjakut dhe trajtimi sipas rastit me trombolitikë (për shpërbërjen e mpiksjes së gjakut, pra synohet hollimi i gjakut për të parandaluar një goditje të re).
Rehabilitimi i hershëm
Aftësitë e humbura rifitohen nëpërmjet praktikimit të gjimnastikës terapeutike, ushtrimeve të të folurës ose ergoterapisë. Sa më shpejt të fillojë ky rehabilitim, aq më të mira do të jenë rezultatet. Në varësi të ashpërsisë së goditjes në tru, pacienti mund t’i rifitojë të gjitha funksionet e tij. Në disa njerëz nevojiten muaj apo edhe vite përpara se të jenë përsëri plotësisht të pavarur.
Përveç kësaj, është thelbësor trajtimi i sëmundjeve që rrezikojnë për një goditje në tru, si diabeti i sheqerit, hipertensioni arterial, nivelet e larta të kolesterolit dhe depresioni. Është gjithashtu shumë i rëndësishëm eliminimi i faktorëve të rrezikut: ndërprerja e pirjes së duhanit, humbja e peshës, aktiviteti i rregullt fizik.
Lidhur me ndërlikimet e mundshme të një goditjeje në tru, nuk ka një përgjigje reale pasi kushtëzohet shumë faktorë. Është vendimtare zona e trurit ku është bllokuar një enë gjaku. Në të vërtetë, ka zona të pafavorshme të trurit ku madje edhe një infarkt i vogël mund të shkaktojë aftësi të kufizuara të përhershme shumë serioze, ndërkohë që një infarkt i madh në një zonë tjetër shkakton vetëm simptoma të lehta.
Është e rëndësishme të merret në konsideratë gjendja e pacientit në javët e para pas goditjes në tru, për të dhënë një parashikim për ecurinë.
Rehabilitimi i hershëm i pacientit luan një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim.

Për të parandaluar një goditje në tru, gjëja më e rëndësishme është eliminimi i faktorëve të rrezikut dhe respektimi i një stili të shëndetshëm jetese. Pirja e duhanit duhet të evitohet. Në rast të mbipeshës, pacienti duhet t’i nënshtrohet dietës për t’u dobësuar (mbi të gjitha, kufizimi i kripës dhe konsumi i shumë frutave dhe perimeve). Gjithashtu, duhet të kontrollohet rregullisht niveli i sheqerit dhe niveli i kolesterolit në gjak, si dhe të matet rregullisht presioni i gjakut. Aktiviteti fizik i rregullt gjithashtu ndihmon për të parandaluar një goditje në tru.
Nëse presioni i gjakut është i lartë dhe nevojitet përdorimi i medikamenteve, trajtimi duhet të përshtatet për çdo pacient. Pacienti nuk duhet të vendosë vetë për të filluar apo ndaluar një medikament.
Diskutoni me mjekun tuaj mbi faktorët e rrezikut të goditjes në tru dhe mënyrat më të mira për evitimin e tyre.