Gastro-enteriti nga noroviruset
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Noroviruset janë zbuluar që në vitin 1972. Ato janë tepër të përhapura dhe përfaqësojnë viruset përgjegjëse për gastro-enteritet (inflamacionet e sistemit të tretjes) tek fëmijët (30%) dhe tek të rriturit (50%). Ato transmetohen lehtë nga njeriu tek njeriu. Për këtë arsye, shkaktojnë epidemi të vërteta në vende të populluara nga shumë njerëz, si hotelet ose spitalet.
Infeksioni nga noroviruset shfaqet kryesisht gjatë muajve të dimrit, nga nëntori deri në mars. Ai bën pjesë tek sëmundjet infektive me deklarim të detyrueshëm.
Noroviruset bëjnë pjesë në familjen e caliciviridae. Ato gjenden vetëm tek njerëzit, kryesisht nëpërmjet kontaktit trupor ose me materialet e jashtëqitura (feçet). Viruset mund të jenë të pranishëm në ajër pas të vjellave.
Rrugë të tjera të mundshme të infektimit janë:- Sallatat e ndryshme dhe frutat e detit të infektuara
- Uji i infektuar
- Sendet dhe veshjet e infektuara.
Periudha e inkubacionit (nga momenti i infektimit deri në momentin e shfaqjes së simptomave të para) është shumë e shkurtër dhe zgjat nga 15-50 orë. Rreziku i infektimit të personave të tjerë vazhdon edhe të paktën 48 orë pas zhdukjes së simptomave. Virusi është i dallueshëm në gjak 7-14 ditë pas infektimit.
Simptomat karakteristike:
- Të vjella të forta
- Të përziera të forta
- Diarre e fortë
- Dobësi e përgjithshme trupore
- Dhimbje barku
- Dhimbje koke
- Si pasojë e simptomave, nga humbja e sasive të mëdha të lëngjeve, mund të ndodhë dehidrimi i shpejtë, i cili është veçanërisht i rrezikshëm tek fëmijët dhe personat e moshuar.

Diagnoza e infeksionit nga noroviruset përcaktohet në bazë të:
- Simptomave të pacientit dhe historisë së fillimit të tyre
- Identifikimit të noroviruseve në gjak dhe jashtëqitje (feçe).
- Kërkimi i noroviruseve rekomandohet në rastet me diarre të shpeshta (me ose pa të vjella), si dhe në rastin e diarreve që shfaqen në ambiente të tilla si hotele dhe spitale.

Nuk egziston ende asnjë medikament kundër noroviruseve. Trajtimi i rasteve të infektuara prej tyre konsiston në qetësimin e simptomave. Pra, ai është vetëm simptomatik.
Si në çdo rast me diarre, humbja e lëngjeve dhe elektroliteve (kripërave) mund të jetë e shpejtë. Për këtë arsye, fëmijët dhe personat e moshuar duhet të trajtohen në kushte spitalore për një periudhë të shkurtër kohore, me qëllim që të kompensohet humbja e lëngjeve dhe elektroliteve. Në rastin ë të përzierave dhe të vjellave, mund të përdoren medikamente që i frenojnë ato.
Për të parandaluar infeksionin nga noroviruset, është thelbësore të zbatohen rregullat e higjienës.
Masat e përgjithshme
Kompensimi i humbjeve të lëngjeve është thelbësor. Në rastin e diarreve akute, është e mjaftueshme marrja e përditshme e 3-4 litrave lëngje, të tilla si çaj lehtësisht i ëmbëlsuar, lëng frutash tepër i holluar (në raportin 1 : 10), supë, si dhe disa lugë koka-kola. Vaktet duhet të jenë tepër të lehta, me ushqime lehtësisht të tretshme, si biskota, oriz, supa dhe ushqime të varfra në yndyrna.
Për të kompensuar humbjen në elektrolite (kripëra), rekomandohet përgatitja dhe pirja e një përzierjeje, që të përmbajë:
- 0.5 litra ujë të zier
- Gjysëm luge kafeje kripë
- 4 lugë kafeje sheqer
- Pak lëng portokalli për shije
Kur diarreje pakësohet, mund të kalohet në vakte të lehta, për të kaluar më pas në mënyrën normale të ushqyerjes, me:
- Ushqime të lehta për t’u tretur, si biskota, supa, banane dhe kajsi, që përmbajnë kalium, patate të skuqura dhe ushqime të kripura, që kompensojnë sasinë e humbur të kripës.

Në ditët e sotme, nuk egziston asnjë vaksinë kundër noroviruseve. Për këtë arsye, parandalimi i infektimit prej tyre nëpërmjet respektimit të rregullave të mëposhtme, përbën mënyrën e vetme të mbrojtjes ndaj këtyre viruseve.
- Për të evituar epidemitë e mundshme, pacientët e infektuar prej tyre duhet të izolohen sa më shpejt që të jetë e mundur.
- Të lahen dhe dezinfektohen duart shpesh, veçanërisht pas vajtjes në tualet, para gatimit, para ngrënies, pas ndërrimit të pampersit të fëmijës, etj.
- Përdorimi i dorezave, bluzave dhe maskave mbrojtëse gjatë kujdesit për këta të sëmurë.
- Të zbatohen rregullat e higjienës në kuzhinë.
- Të lahen veçmas veshjet dhe çarçafët e personave të infektuar dhe personave rreth tyre. Nëse është e mundur, këto të ziehen.
- Të lahen veçmas enët e kuzhinës të përdorura nga personat e infektuar, mundësisht në pjatalarëse (lavastovilje).
- Të dezinfektohet dyshemeja, tavolina e punës, tualetet, VC-të, dorezat e dyerve, etj.
- Të evitohet kontakti me personat që kanë diarre.
- Personat e infektuar nga noroviruset që punojnë në kontakt me produktet ushqimore, personeli mjekësor dhe ai infermier, si dhe personat e tjerë që kujdesen për ta, mund të kthehen në punë pas 2 javëve nga momenti i zhdukjes së simptomave. Më pas, duhet të respektohen rregullat e higjienës gjatë të paktën 4-6 javëve.