logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Të vjellat me gjak janë një urgjencë mjekësore
Të vjellat me gjak janë një urgjencë mjekësore
Vjellja e gjakut (e quajtur hematemezë) është një simptomë që duhet të merret seriozisht. Ajo mund të jetë shenjë e një gastriti, ulçere të stomakut, dëmtimi të ezofagut ose variçeve të tij, si dhe e një kanceri të stomakut.
Hematemeza nënkupton praninë e gjakut të pastër ose të përzier në materialet e nxjerra gjatë të vjellave. Sipas pamjes, gjaku ka aspekte të ndryshme. Kështu, ai mund të jetë:
  • Gjak i freskët, me ngjyrë të kuqe të hapur: kur vjen nga trakea, hunda ose ezofagu, apo nga pjesa e sipërme e stomakut.
  • Gjak i kuq i errët në të zezë: kur vjen nga pjesa e poshtme e stomakut ose duodeni. Në të tilla raste, gjaku i kuq dhe i freskët bie në kontakt me lëngjet tretëse të stomakut, të cilat i japin ngjyrën e errët në të zezë. Për këtë arsye, bëhet fjalë për "të vjella si llum kafeje".
  • Gjak me flluska dhe me ngjyrë të çelët: vjen nga mushkëritë (psh.hemorragjia nga mushkëritë në rastin e një kanceri të tyre).
  • Të vjellat me gjak të pakontrrollueshëm: shkaktohen nga çarja e variçeve të ezofagut dhe përbëjnë një urgjencë mjekësore, pasi rrezikojnë jetën e pacientit.

Simptomat shoqëruese të hematemezës janë: të përzierat, kolla, dhimbja e barkut, shoku kardio-vaskular (me gjendjen e frikës, axhitimin, palpitacionet, vështirësinë në frymëmarrje, uljen e presionit arterial, zbehtësinë dhe djersët e ftohta).

Në pjesën më të madhe të rasteve, hematemeza shkaktohet nga hemorragji të rrugëve të sipërme të tretjes (ezofagu, stomaku ose duodeni). Më rrallë, hemorragjia mund të ndodhë në nivele të tilla, si hunda apo trakea (psh.në rastin e hemorragjive të mëdha nga hunda).

Shkaqet e hematemezës janë:

 

Hematemeza duhet të konsiderohet gjithmonë një urgjencë mjekësore, që duhet trajtuar në kushte spitalore. Për këtë arsye, në çdo rast të tillë njoftoni sa më parë shërbimin e urgjencës mjekësore.

Më konkretisht, nëse ndodheni pranë një personi që shfaq të vjella me gjak, duhet sa më parë të:

  • Njoftoni menjëherë një ambulancë.
  • Të qetësoni personin që vuan, duke e ndihmuar të qëndrojë në pozicion ulur, të përkulur përpara. Kujdes : mos e lejoni të shtrihet në shpinë, sepse të vjellat nuk duhet t’i kalojnë në mushkëri!
  • Në rastin e shenjave të gjendjes së shokut: vendoseni menjëherë në pozicionin e gjendjes së shokut (të shtrirë në sipërfaqje të sheshtë, me këmbët e ngritura), kontrrolloni frymëshkëmbimin, qarkullimin dhe gjendjen e vetëdijes.
  • Në rastin e humbjes së vetëdijes: vendoseni në pozicionin anësor të qëndrueshëm, aplikoni masat e ndihmës së parë për këto raste.
Në çdo rast me hematemezë, duhet të njoftoni menjëherë shërbimin e urgjencës mjekësore.

Me cilin mjek duhet të konsultoheni?

  • Mjeku i urgjencës
Përballë një rasti me hematemezë, gjëja e parë që mjeku duhet të bëjë, është të lokalizojë sa më parë burimin e hemorragjisë dhe ta trajtojë atë.

Njohja e mjekut me historinë mjekësore personale të pacientit, në mënyrë që të mund të zbulojë shkaqet e mundshme të hematemezës, konsiston në:

  • Informimin e tij mbi sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, që mund të kenë shkaktuar të vjellat me gjak (psh.ulçer gastrike, sëmundje të mëlçisë, alkoolizmi, variçet e ezofagut).
  • Informimin mbi përdorimin e medikamenteve: veçanërisht të antikoagulantëve, dhe disa qetësuesve të dhimbjeve që acarojnë mukozat dhe provokojnë të vjella me gjak.
  • Informimin mbi simptoma të tjera të pranishme tek pacienti, siç janë të përzierat e forta, që mund të provokojnë çarje të mukozës së ezofagut, dhe për pasojë edhe të vjella me gjak.

Egzaminime të tjera specifike diagnostike

  • Analiza e gjakut (vlerësimi i sasisë së gjakut të humbur)
  • Gastroskopia: evidenton burimin e gjakderdhjes dhe njëkohësisht mund ta ndalojë atë (psh.nëpërmjet skleroterapisë në rastin e variçeve të ezofagut)
  • Egzaminime të tjera, si radiografia ose ekografia, madje mund të jetë e nevojshme edhe ndërhyrje kirurgjikale urgjente për ndalimin e gjakderdhjes, në varësi të shkakut të saj.
Çdo rast me hematemezë duhet të menaxhohet në mënyrë urgjente nga një ekip mjekësor, në mënyrë që të stabilizohet sa më parë sistemi kardio-vaskular. Më pas, vazhdimi i trajtimit varet nga shkaku. Kështu:

Fillimisht, duhet të ndalohet hemorragjia. Përgjithësisht, kjo proçedurë kryhet njëkohësisht me diagnostikimin (psh.skleroterapia e variçeve të ezofagut).

Për shkaqet e tjera, si ulçerat e stomakut, mund të nevojitet ndërhyrje kirurgjikale. Kanceret trajtohen me kimioterapi dhe/ose radioterapi.

Në rastin e ulçerës së stomakut ose gastritit, përdoren medikamente që mbrojnë mukozën e stomakut ose pakësojnë aciditetin në të (si psh.frenuesit e pompës protonike). Në rastin e infeksionit bakterial të stomakut nga helikobakteri i pilorit, rekomandohet përdorimi i antibiotikëve.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.