Kolecistiti (Inflamacioni i fshikëzës së tëmthit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Kolecistiti përfaqëson inflamacionin e murit të fshikëzës së tëmthit, shpesh si pasojë e pranisë së gurëve në të. Ai manifestohet me dhimbje të forta dhe të menjëhershme (kolika) në zonën e fshikëzës së tëmthit, të cilat mund të bëhen kronike (të përsëritura).
Kolecistiti prek më shpesh femrat, sesa meshkujt. Ai mund të parandalohet, duke respektuar një regjim ushqimor të shëndetshëm dhe të ekuilibruar.
Krizat e kolikave (dhimbjeve të forta dhe të menjëhershme), janë shpesh pararendëse të inflamacionit të fshikëzës së tëmthit (kolecistitit), të provokuara përgjithësisht nga gurët e tëmthit.
Shkaqe të tjera të kolecistitit janë:- Inflamacioni i organeve të tjera, si psh. i zorrës së trashë (koliti), i veshkave (nefriti), etj.
- Traumat (goditje, aksidente të ndryshme)
- Anomalitë e lindura të fshikëzës së tëmthit
- Polipet
- Tumoret
- Infeksionet
- Ndërhyrjet kirurgjikale në zonën e barkut.
Faktorët e rrezikut për kolecistitin janë:
- Mbipesha trupore
- Ushqyerja e pasur në yndyrna, por kujdes: edhe ushqyerja e varfër në yndyrna mund të favorizojë shfaqjen e kolecistitit.
- Ushqyerja e varfër në fibra.
- Dietat e forta, me kufizime të mëdha ushqimore
- Mungesa e aktivitetit fizik
Faktorët shpërthyes të një krize kolecistiti:
- Vaktet e rënda, me sasi të mëdha yndyre
- Stresi

Pacienti me inflamacion të fshikëzës së tëmthit (kolecistit) paraqet këto simptoma:
- Kriza dhimbjesh të forta (kolika), të lokalizuara në pjesën e sipërme të barkut, në anën e djathtë të tij. Dhimbjet mund të përhapen edhe prapa dërrasës së kraharorit, deri në nivelin e shpatullave.
- Temperaturë, ethe
- Të përziera, të vjella
- Jashtëqitje të ngjyrosura në të verdhë
- Zverdhje e lehtë
Në rastin e kolecistitit kronik (të përsëritur), dhimbjet janë të shurdhëta dhe më të lehta.

Diagnoza e inflamacionit të fshikëzës së tëmthit (kolecistitit) vendoset në bazë të:
- Historisë së sëmundjes
- Simptomave të pacientit, ku dhimbjet janë në formën e kolikave dhe ndjeshmëria e pacientit është e lartë gjatë palpacionit (egzaminimit nëpërmjet prekjes) së pjesës së sipërme të barkut.
- Egzaminimet laboratorike, që lejojnë përjashtimin e disa sëmundjeve, të cilat kanë simptoma të ngjashme me kolecistitin, si infarkti akut i miokardit, pankreatiti akut, ulçerat e stomakut dhe duodenit, pneumonia dhe apendiciti.
- Ekografia e barkut, që evidenton praninë e gurëve në fshikëzën e tëmthit.
- Skaneri i barkut
- Në rast nevoje, kryerja e laparoskopisë (egzaminim nëpërmjet të cilit mund të kryhet edhe heqja e fshikëzës së tëmthit).

Një inflamacion i menjëhershëm (akut) i fshikëzës së tëmthit (kolecistiti) duhet të trajtohet në kushte spitalore, me qëllim që të evitohet shfaqja e ndërlikimeve akute të tij.
Trajtimi i kolecistitit varet nga shkaqet dhe nga stadi i zhvillimit të tij. Ai konsiston në:
- Përdorimin e medikamenteve antispastike (që qetësojnë tkurrjet e pavullnetshme të muskulaturës)
- Shpërbërjen e gurëve nëpërmjet përdorimit të disa medikamenteve specifike, dhe shkatërrimin e tyre nëpërmjet valës goditëse (bombardimit).
- Kryerja e laparoskopisë (hapja e vogël), me heqjen e fshikëzës së tëmthit. Ky është trajtimi i zgjedhur, por mund të kryhet vetëm jashtë çdo krize dhimbjeje.
- Kryerja e laparotomisë (hapja e madhe), me heqjen e fshikëzës së tëmthit, në rastin e inflamacionit të rëndësishëm të saj, ose në prani të ndërlikimeve.
- Trajtimi i nfeksionit shoqërues me antibiotikë.
Masat e përgjithshme
- Evitimi i mbipeshës trupore dhe i dietave tepër të forta, me kufizime të theksuara ushqimore.
- Ushqyerja e shëndetshme dhe e ekuilibruar, e pasur në fruta dhe perime, dhe e varfër në mish dhe në yndyrna, mundësisht me përdorimin e vajrave bimore.
- Aktivitetiti fizik i rregullt.
Ndërlikimet e inflamacionit të fshikëzës së tëmthit (kolecistitit) janë tepër të rënda, dhe mund të rrezikojnë jetën e pacientit. Në to përfshihen:
- Çarja e fshikëzës së tëmthit, me inflamacion të rëndë të peritoneumit (cipës që mbështjell organet e barkut).
- Inflamacioni i mëlçisë, që mund të arrijë deri në stadin e abcesit të saj.
- Bllokimi i zorrës.

Masat e rekomanduara për t’u respektuar pas shfaqjes së krizave të dhimbjes në zonën e mëlçisë dhe të fshikëzës së tëmthit, mund të konsiderohen gjithashtu edhe si masa parandaluese të inflamacionit të fshikëzës së tëmthit (kolecistitit). Ato janë:
- Ushqyerja e shëndetshme dhe e ekuilibruar, e varfër në yndyrna dhe mish, dhe e pasur në fruta dhe perime që përmbajnë fibra. Nuk nevojitet ndonjë regjim apo dietë speciale.
- Kontrolli i rregullt i nivelit të yndyrnave në gjak (sasia e kolesterolit).
- Aktiviteti fizik i rregullt
- Parandalimi i mbipeshës trupore ose reduktimi i saj.