logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Testi i tolerancës së glukozës: përdoret për zbulimin e një çrregullimi të mundshëm të përthithjes së glukozës në gjak.
Testi i tolerancës së glukozës: përdoret për zbulimin e një çrregullimi të mundshëm të përthithjes së glukozës në gjak.

Çfarë është prova e ngarkesës me glukozë?

Prova e ngarkesës me glukozë, ose ndryshe e njohur si testi i tolerancës së glukozës, përdoret për zbulimin e një çrregullimi të përthithjes së glukozës, për diagnostikimin e diabetit të sheqerit, si dhe për zbulimin e diabetit gestacional (të shtatzënisë). Ky test përcakton nivelin e sheqerit në gjak përpara dhe dy orë pas pirjes së një solucioni me sheqer. Ai nuk duhet të kryhet tek personat e diagnostikuar më parë me diabet të sheqerit.

Prova e ngarkesës me glukozë është një ekzaminim i fushës së Endokrinologjisë dhe Diabetologjisë, që është degë e Mjekësisë së Brendshme, si dhe i fushës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës.

A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë përpara Provës së ngarkesës me glukozë?

Për kryerjen e këtij testi, pacienti duhet të jetë esëll, pra të mos ketë ngrënë asgjë që nga darka e një nate më parë. Në mëngjesin e testit pacienti nuk duhet të pijë duhan apo të pijë kafe. Medikamentet e mëngjesit mund të merren me një gllënjkë uji, gjithmonë nëse ato nuk ndikojnë në nivelin e sheqerit në gjak. Është mjeku ai që jep udhëzime specifike për çdo rast.

Çfarë duhet të sqarohet përpara Provës së ngarkesës me glukozë?

Nuk nevojitet asnjë sqarim paraprak për pacientin që do t’i nënshtrohet provës së ngarkesës me glukozë.

Si realizohet prova e ngarkesës me glukozë?

Kjo provë mund të kryhet në kushte ambulatore, në kabinetin e mjekut ose në laborator. Fillimisht, matet glicemia (niveli i sheqerit në gjak) në gjakun e marrë nga shpimi në gisht. Vlera e përftuar quhet glicemi esëll, dhe ka vlerë krahasuese me vlerat e mëpasme. Në vazhdim, në çerek litri (250 ml) ujë treten 75 gramë glukozë (dekstrozë), dhe tretësira e përftuar i jepet pacientit ta pijë brenda 5 minutave. Tek fëmijët, sasia e sheqerit përcaktohet në varësi të peshës trupore. Pas dy orësh nga momenti i prirjes së solucionit me sheqer, matet përsëri niveli i sheqerit në gjak. Gjatë këtyre dy orëve, pacienti duhet të qëndrojë i qetë në pozicionin ulur ose shtrirë, të mos hajë, të mos pijë lëngje dhe as duhan. Sigurisht që mund të shkojë në tualet. Normalisht, pirja e solucionit me sheqer shkakton një rritje të lehtë të nivelit të sheqerit në gjak edhe tek personat e shëndetshëm. Gjithsesi, nëse kjo rritje është më e madhe, pacienti konsiderohet me intolerancë ndaj glukozës. Rritja akoma më e madhe e këtij niveli flet për një diabet të sheqerit.

Kur përdoret Prova e ngarkesës me glukozë?

Testi i tolerancës së glukozës përdoret për të zbuluar një çrregullim të përthithjes së glukozës (intolerancës së glukozës) ose fillimin e diabetit të sheqerit. Përveç kësaj, ai kryhet gjatë çdo shtatzanie për kërkimin e diabetit të shtatzënisë, sepse nivelet e sheqerit në gjak tentojnë të rriten gjatë shtatzënisë si pasojë e stresit metabolik, gjë që mund të jetë e dëmshme për fëmijën.

Arsyet e zakonshme që kërkojnë kryerjen e Provës së ngarkesës me glukozë janë:

A paraqet Prova e ngarkesës me glukozë rreziqe apo efekte të padëshiruara?

Ky test zakonisht është pa dhimbje dhe i sigurt. Disa njerëz nuk e pëlqejnë shijen e ëmbël të solucionit, madje ajo mund t’u shkaktojë edhe të përziera ose të vjella.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.