logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard EmrichDr. med. Daniel DesalmandDoris Zumbühl)
Alzheimer: frika e madhe nga harrimi i veprimeve të përditshme.
Alzheimer: frika e madhe nga harrimi i veprimeve të përditshme.

Sëmundja Alzheimer është një sëmundje që  shkatërron qelizat nervore të trurit. Ajo shfaqet kryesisht në moshat e avancuara dhe shoqërohet me dobësim të aftësive të trurit dhe çrregullim të kujtesës. Kjo sëmundje është përshkruar për herë të parë në fillim të shekullit 20 nga mjeku gjerman, Dr. Alois Alzheimer, i cili u bazua në të dhënat klinike dhe ato anatomo-patologjike të evidentuara në njërin prej pacientëve të tij.  

Pllakat e formuara nga depozitimet  proteinike (beta-amiloidi) në nivelin e trurit, shkaktojnë  çrregullime të të folurit, çrregullime të të menduarit dhe çrregullime të kujtesës. Substanca të rëndësishme që transmetojnë ngacmimin në qelizat nervore, të tilla si acetilkolina, nuk mund të prodhohen në sasi të mjaftueshme, duke shkaktuar në këtë mënyrë dobësimin e aftësive të trurit.

Me rritjen e jetëgjatësisë, veçanërisht në vendet e zhvilluara, shkalla e hasjes së kësaj sëmundjeje është rritur shumë. Kjo ndodh ngaqë rreziku për zhvillimin e sëmundjes Alzheimer rritet me moshën. Megjithatë, njihen edhe disa forma të trashëguara të saj, që janë të rralla dhe që mund të shfaqen nga mosha 30 vjeç.

Depozitimi i proteinave në nivelin e trurit në Alzheimer.
Depozitimi i proteinave në nivelin e trurit në Alzheimer.

Shkaqet e vërteta të sëmundjes Alzheimer janë ende të panjohura, por mendohet që në zhvillimin e saj ndikojnë faktorë të ndryshëm. Depozitimet e proteinave në nivelin e trurit shkaktojnë vdekjen e qelizave nervore. Nga ky proçes preken të parat qelizat e trurit të qendrës së kujtesës,të qendrës së të folurit dhe të qendrës përgjegjëse për aftësitë njohëse.

Ekzaminimet imazherike që përcaktojnë diagnozën e sëmundjes së Alzheimerit.
Ekzaminimet imazherike që përcaktojnë diagnozën e sëmundjes së Alzheimerit.

Në momentin e diagnostikimit, zakonisht, kujtesa afatshkurtër dhe aftësitë njohëse të pacientit janë mjaft të dëmtuara. Për këtë arsye, të dhënat e nevojshme rreth të sëmurit duhet të kërkohen nga një familjar i tij. Pacientët jetojnë shpesh në të kaluarën dhe e kanë të vështirë të njohin objektet dhe personat e jetës së tyre të përditshme. Aktivitetet e përditshme (veshja, ngrënia e vakteve, blerjet në dyqane, urinimi dhe jashtëqitja e ndërgjegjshme) bëhen gjithnjë e më të vështira për t`u kryer nga vetë pacienti. Gradualisht, vjen një moment kur këta pacientë nuk mund të jetojnë dot vetëm, duke u shndërruar kështu në një barrë për familjarët e tyre. 

Në ditët e sotme, sëmundja Alzheimer mund të diagnostikohet në sajë të testeve tepër të specializuara të kujtesës. Diagnoza përfundimtare e saj vendoset përmes egzaminimeve të specializuara, të tilla si skaneri dhe rezonanca magnetike e kokës.

Trajtimi me medikamente i sëmundjes së Alzheimerit.
Trajtimi me medikamente i sëmundjes së Alzheimerit.

Në pacientët me sëmundjen Alzheimer, medikamentet, aktiviteti fizik dhe ushtrimet e kujtesës mund të ndihmojnë në ruajtjen sa më gjatë të aftësive njohëse mbi jetën e përditshme. Medikamentet lejojnë përmirësimin e transmetimit të sinjaleve ndërmjet qelizave nervore. Megjithatë, ato nuk arrijnë të parandalojnë shkatërrimin e qelizave nervore të trurit.

Në rastet e nevojshme, mund të rekomandohen edhe medikamente të tjera për trajtimin e acarimit nervor, të çrregullimeve të gjumit, të çrregullimeve të lidhura me lëvizjet, si dhe të depresionit. Stimulimi i këtyre pacientëve, gjithnjë pa e tepruar, është mjaft i rëndësishëm.

Gjatë gjithë historisë së sëmundjes, janë mjaft të rëndësishme konsultimet e rregullta me mjekun specialist. Kjo do të ndihmonte edhe në zbulimin e sëmundjeve të tjera shoqëruese, për të cilat mund të rekomandohej konsultimi nga mjeku specialist përkatës, nëse do të ishte e nevojshme. 

Trajtimi medikamentoz i sëmundjes Alzheimer përfshin dy grupe medikamentesh: memantinën dhe frenuesit e acetilkolinesterazës. 

  • Memantina mbron qelizat nervore të trurit nga vdekja qelizore. Për pasojë, pacientët  qëndrojnë aktivë për një kohë më të gjatë, duke patur më pak nevojë për ndihmën e familjarëve.
  • Frenuesit e enzimës acetilkolinesterazë (galantamina, donepezili, rivastigmina) përmirësojnë transmetimin e informacioneve përmes qelizave të trurit. Përdorimi i këtyre substancave ka një efekt pozitiv mbi aftësitë njohëse (çrregullimet e kujtesës, çrregullimet e të menduarit, humbja e sensit të  realitetit), mbi aktivitetet e jetës së përditshme dhe mbi gjendjen e përgjithshme shëndetësore të pacientit. Efektet e padëshiruara të tyre janë të përzierat, të vjellat dhe çrregullimet e gjumit. Medikamentet e kësaj klase nuk e shërojnë sëmundjen, por frenojnë përparimin e saj.

 

Trajtimi jomedikamentoz i sëmundjes Alzheimer përfshin:



 

Sa më e re të jetë mosha e fillimit të sëmundjes Alzheimer, aq më i shpejtë është përparimi i saj. Mund të ndodhin përmirësime të përkohshme të aftësive njohëse, por herët ose vonë, pacienti do të bëhet përfundimisht i varur nga të tjerët, duke u shkaktuar një stres të madh mendor dhe fizik familjarëve të tij.
Jeta aktive fizike dhe mendore, me ushtrime të vazhdueshme për kujtesën, ndihmojnë në parandalimin e sëmundjes së Alzheimerit.
Jeta aktive fizike dhe mendore, me ushtrime të vazhdueshme për kujtesën, ndihmojnë në parandalimin e sëmundjes së Alzheimerit.
Nuk njihen ende mënyra të provuara shkencërisht për parandalimin e sëmundjes Alzheimer. Aktualisht, studimet klinike janë përqëndruar tek prodhimi i një vaksine kundër saj. Studimet kanë treguar që përparimi i sëmundjes Alzheimer është shpesh i ngadaltë tek njerëzit aktivë nga ana intelektuale.
 
Studime të tjera kanë treguar se sëmundja është më pak e shpeshtë tek femrat e trajtuara me terapi zëvendësuese hormonale (kontraceptivë). Megjithatë, ky konstatim mbetet i diskutueshëm, përderisa studime të tjera specifike kanë treguar që përdorimi për kohë të gjatë i tyre rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, të enëve të gjakut dhe të kancerit të gjirit.

Efekti parandalues i statinave (medikamente që ulin nivelin e yndyrnave në gjak), i antiinflamatorëve josteroidë (voltareni, ibuprofeni, indometacina) dhe ai i aspirinës është ende në diskutim. Megjithatë, nuk rekomandohet përdorimi i tyre për qëllime parandaluese të sëmundjes Alzheimer.

Dr. med. Gerhard Emrich

Gerhard Emrich ka studiuar Mjekësi në Vjenë. Ai është një gazetar mjekësor me shumë vite përvojë në shkrime mjekësore.

Dr. med. Daniel Desalmand

Daniel Desalmand ka studiuar Mjekësi në Bern. Pas diplomimit, ai ka patur një përvojë të gjatë klinike në Kirurgji dhe Mjekësi të Brendshme përpara se t'i kushtohej gazetarisë shkencore.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.