logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Limfogranuloma veneriane: sëmundje infektive bakteriale.
Limfogranuloma veneriane: sëmundje infektive bakteriale.

Limfogranuloma veneriane është një sëmundje që transmetohet nëpërmjet marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, dikur e përhapur vetëm në vendet tropikale. Gjatë viteve të fundit, kjo sëmundje është konstatuar në rritje edhe në Evropë, Britaninë e Madhe dhe SHBA. Ajo përfaqëson inflamacionin e gjendrave limfatike në regjionin e drenimit (zbrazjes) të organeve gjenitale, prandaj njihet edhe si limfogranuloma inguinale.  

Infektimi në këtë rast kryhet nga një tip bakteri, që quhet Klamidia trakomatis, i cili transmetohet me rrugë seksuale. Infektimi është i mundur edhe nga kontakti i mukozave gjatë disa praktikave seksuale.

Limfogranuloma veneriane: ekzaminimi fizik.
Limfogranuloma veneriane: ekzaminimi fizik.

Kjo sëmundje zhvillohet në tri stade, që janë:

  • Stadi I: pas një periudhe prej 3 javësh nga kontakti seksual, shfaqet një kokërr e vogël dhe e padhimbshme në zonën e hyrjes së agjentit shkaktar të sëmundjes. Në vazhdim, kokrra shndërrohet në një ulçer (gërryerje) të vogël, që shërohet vetë pas disa ditësh. Shpesh, kjo ulçer kalon pa u vënë re, pasi është e padhimbshme dhe lokalizohet përgjithësisht në vaginë, në rektum (pjesa fundore e zorrës së trashë) ose në uretër (kanali që nxjerr urinën nga fshikëza e urinës).
  • Stadi II: rreth 6 javë pas infektimit, shfaqet një fryrje e gjendrave limfatike të rrëzës së kofshës të njërës anë ose të të dyja anëve. Kjo fryrje është e dukshme me sy të lirë. Në këtë zonë, lëkura merr një ngjyrë të kuqe në blu. Nëse nuk trajtohet në këtë stad, fryrja qelbëzohet, çahet dhe rrjedh qelb. Gjithashtu, mund të shfaqen edhe shenja të tjera që tregojnë praninë e infeksionit në organizëm, si: temperatura, të dridhurat, të përzierat dhe dhimbja e kokës. Nëse infeksioni ka prekur rektumin, pacienti (ose pacientja) mund të shfaqë jashtëqitje me gjak, për shkak të rektitit (inflamacionit të rektumit).
  • Stadi III: Në rast se LGV nuk trajtohet, disa vite më pas mund të shfaqet sindroma ano-genito-rektale, që njihet si sindroma e Xhersilld. Ajo përfaqëson një sërë ndërlikimesh të vonshme të sëmundjes, si: stenoza (ngushtimi) i zorrës, fistulat (kanale të qelbëzuara në brendësi të indeve), abcese (vatra të qelbëzuara) ose stazë (grumbullim) të limfës, me zhvendosjen e enëve limfatike dhe fryrjen e organeve gjenitale.

 

Limfogranuloma veneriane: zbulimi i baktereve në urinë.
Limfogranuloma veneriane: zbulimi i baktereve në urinë.

Bakteri i Klamidias evidentohet në porcionin e parë të urinës ose nga materiali i marrë nga mukozat e infektuara.

Limfogranuloma veneriane: të dy partnerët trajtohen me antibiotikë.
Limfogranuloma veneriane: të dy partnerët trajtohen me antibiotikë.

Nëse sëmundja diagnostikohet dhe trajtohet në kohë, shërohet pa shkaktuar ndërlikime. Trajtimi korrekt i saj konsiston në përdorimin e antibiotikëve, në formën e tabletave. Ata mund të përdoren edhe me injeksione, me rrugë muskulare ose venoze, në format e rënda të sëmundjes. 

Që trajtimi të ketë efektin e tij maksimal, duhet që ai të kryhet edhe tek partneri (ose partnerja) seksuale, në mënyrë që edhe pas shërimit të sëmundjes tek njëri partner, ajo të mos rishfaqet për shkak të riinfektimit nga partneri tjetër i pamjekuar. Gjithashtu, rekomandohet evitimi i marrëdhënieve seksuale gjatë trajtimit edhe të paktën për një javë tjetër pas përfundimit të tij.

Limfogranuloma veneriane: mbrojtje me prezervativë.
Limfogranuloma veneriane: mbrojtje me prezervativë.

Transmetimi i agjentit shkaktar të LGV-s kryhet vetëm nëpërmjet marrëdhënieve seksuale të pambrojtura. Përdorimi i prezervativëve mbron plotësisht nga ky infektim.

Kujdes: Edhe dëmtimet më të vogla, por të pazakonshme të lëkurës pas një marrëdhënieje seksuale të pambrojtur, duhet të na bëjnë të dyshojmë për një sëmundje seksualisht të transmetueshme. Në këtë rast rekomandohet konsultimi sa më shpejt me mjekun.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.