Zbehtësia (Hije e zbehtë, Lëkurë e zbehtë)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)
Simptomat shoqëruese më të mundshme janë: marrje mendsh, palpitacione, aritmi, dhimbje në zonën e zemrës, dhimbje në kraharor, vështirësi në frymëmarrje, frymëmarrje e dobësuar, zhurmë në vesh, çrregullime të gjendjes së vetëdijes, të vjella, temperaturë e lartë, lodhje, dobësi e përgjithshme trupore, çrregullime të përqëndrimi, kruajtje, tharje e lëkurës, mungesë e oreksit, rënie në peshë, inflamacion i gjendrave limfatike, etj.
Lëkura e zbehtë mund të jetë gjithashtu tregues i një sëmundjeje sistemike, ose i çrregullimeve të metabolizmit. Në situatat e frikës ose në rastin e qarkullimit të dobët të gjakut, zbehtësia shfaqet menjëherë, me shpejtësi. Në veçanti, kur ulet presioni i gjakut ose në rast anemie, fytyra e zbehtë është një shenjë e qartë. Gjithashtu, ajo mund të shkaktohet nga një infeksion akut (grip) ose sëmundje të tjera të rënda (sëmundje infektive, tumorale, etj). Edhe situata të tjera, si ulja e shkallës së furnizimit me gjak të lëkurës, si në rastin e insufiçiencës kardiake, mund të shkaktojnë zbehtësi.
Zbehtësia nga furnizimi i pamjaftueshëm me gjak i lëkurës mund të shkaktohet nga:
- Gjendja e shokut (psh. pas një aksidenti, hemorragjie, çrregullimeve të qarkullimit të gjakut, shokut alergjik)
- Frika, ankthi dhe kriza e panikut
- Kolapsi, humbja e vetëdijes, sinkopi
- Rënia e presionit të gjakut (hipotensioni arterial)
- Sëmundja e arterieve koronare
- Insufiçienca kardiake
- Anemia në rastin e humbjeve kronike të gjakut (psh. nga menstruacionet e zgjatura dhe/ose të bollshme)
- Anemia nga mungesa e hekurit, acidit folik, vitaminës B12
- Hipotermia, të ftohtët.
Sëmundje të tjera që mund të manifestohen me zbehtësi janë:
- Ftohja
- Sëmundjet infektive (gripi, zbehja rreth gojës në rastin e skarlatinës)
- Sëmundja e arterieve koronare
- Funksioni i ulur i gjendrës tiroide (hipotireoza)
- Insufiçienca renale
- Humbjet kronike të gjakut (psh. ulçera e stomakut)
- Anoreksia
- Kanceri, psh. Leuçemia akute, leuçemia mieloide kronike (LMK)
Sëmundjet e rënda, si disa sëmundje metabolike ose disa kancere, mund të parandalohen nëpërmjet kontrrolleve të rregullta mjekësore.
Në rastin e zbehtësisë së shkaktuar nga cilësia e keqe e jetës, është tepër i rëndësishëm ndryshimi i mënyrës së jetesës, që konsiston në ushqyerjen e shëndetshme , aktivitetin fizik të rregullt , pakësimin e stresit, gjumin e mjaftueshëm dhe evitimin e duhanit.
Me cilin mjek duhet të konsultoheni?
- Mjeku i familjes
- Mjeku internist
- Mjeku gastro-enterolog
- Mjeku kardiolog
Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:
- Pyetjet lidhur me zbehtësinë: kur është shfaqur, në mënyrë të menjëhershme apo graduale, etj.
- Njohja me simptomat shoqëruese (shih më sipër)
- Informimi i mjekut mbi probleme mjekësore të mëparshme, përfshirë edhe aksidentet dhe operacionet.
- Informimi mbi sëmundje ose shkaqe vdekjesh të rëndësishme në familje
- Njohja me alergji të mundshme të pacientit
- Informimi mbi përdorimin e medikamenteve të ndryshme
- Njohja me mënyrën e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale.
- Njohja me cilësinë e jetës: ushqyerjen, gjumin, produktet që konsumon (kafe, alkool, nikotinë, droga, stresi, etj).
- Informimi mbi ndryshime të mundshme të jashtëqitjes
- Tek femrat fertile: nëse kanë çrregullime të menstruaconeve, shtatzani, etj.
Egzaminimi klinik
Gjatë tij, mjeku mat pulsin dhe presionin e gjakut, auskulton me stetoskop zemrën dhe mushkëritë. Ai inspekton lëkurën, mukozat (sytë, gojën dhe gjuhën), thonjtë, duart, hapësirën e gojës dhe fytin. Gjithashtu, ai palpon gjendrën tiroide, barkun dhe nyjet limfatike.
Egzaminime të tjera specifike diagnostike
- Analiza e gjakut, që konsiston në matjen e: qelizave të gjakut, hemoglobinës, hekurit, vitaminës B 12 , acidit folik, treguesve specifikë të funksionit të organeve (mëlçia, veshkat, gjendrat tiroide), etj.
- Elektrokardiograma (EKG)
- Egzaminimi ekografik (i zemrës dhe barkut)
- Gastroskopia ose kolonoskopia
- Proçedura të tjera imazherike: skaneri (CT), rezonanca magnetike (MRI)
Më tepër informacion rreth egzaminimeve diagnostike mund të gjeni në tablotë klinike të sëmundjeve përkatëse.
- Në rastin e hipotensionit arterial, rekomandohen sportet e rezistencës, dushi me ujë të ftohtë, sauna, sasi të mëdha lëngjesh, ngrënie e rregullt, shtim i sasisë së kripës në ushqim. Në të tilla raste, terapia medikamentoze është e panevojshme.
- Mungesa e hekurit duhet të kompensohet me marrjen e tij në formën e tabletave; mungesa e vitaminë B12 trajtohet me injeksione ose tableta.
- Zbehtësia që shfaqet në mënyrë të menjëhershme mund të shkaktohet nga një hemorragji e rëndë ose një humbje gjaku dhe ka nevojë për transfuzion gjaku.
- Sëmundje të tjera si kanceret, infeksionet kronike, etj. duhet të trajtohen sipas protokolleve përkatëse të trajtimit.