Urinimi i pamjaftueshëm (Anuria, Mbajtja e urinës, Oliguria, Urinimi i pakësuar, Urinimi i reduktuar)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Urinimi i pamjaftueshëm është një term që përfshin uljen e vëllimit urinar (oliguria), deri në mungesën e plotë të urinës (anuria).
Urina prodhohet nga veshkat dhe nxirret nëpërmjet rrugëve urinare. Formimi i urinës dhe nxjerrja e saj janë jetike për organizmin, pasi kryen funksionet e mëposhtme:
- Pastron trupin nga helmet: nxjerr nga trupi produktet metabolike helmuese, të cilat nuk përdoren më prej tij
- Ruan ekuilibrin e homeostazës së ujit në organizëm
- Ruan ekuilibrin e elektroliteve
- Ruan ekuilibrin acido-bazik
Sasia e përditshme e urinës varet nga sasia e lëngjeve që marrim, si dhe sasia e lëngjeve që humbasim duke djersitur. Normalisht, ne eleminojmë 1-2 litra lëngje në hapësirën e 24 orëve, dhe kjo nëpërmjet urinimit 3-6 herë në ditë.
Në mjekësi, dallohen disa sëmundje që ndikojnë në sasinë e urinës që eleminohet. Ndryshimet e sasisë së urinës mund të jenë të tipit:
- Oliguri: në vend të 1-2 litra urinë në ditë, pacienti eleminon vetëm gjysëm litri, madje edhe më pak. Urina është më e përqëndruar dhe ka një ngjyrë portokalli të errët.
- Anuri: praktikisht nuk eleminohet fare urinë. Anuria përfaqëson një situatë urgjence, që kërkon shtrim të menjëhershëm në spital të pacientit, sepse pa trajtim mund të avancojë në gjendjen e uremisë (kur niveli i uresë në gjak bëhet vdekjeprurës). Shenjat e uremisë janë: dobësi e përgjithshme trupore, çrregullime të përqëndrimit, turbullime të ndërgjegjes, të kruajtura, aritmi në zemër (për shkak të rritjes së nivelit të kaliumit), dhe grumbullim të lëngjeve në inde (edema).
- Poliuri: eleminimi i më tepër se 4 litrave urinë në hapësirën e 24 orëve (shih gjithashtu simptomën " Urinimi i shpeshtë ").
Reduktimi i urinimit manifestohet me edema, që shfaqen në fillim tek këmbët, pastaj në mushkëri (edema pulmonare). Më shpesh, pacientëve u tërheqin vëmendjen më përpara edemat sesa pakësimi i urinimit.
Çrregullimet shoqëruese të urinimit të reduktuar janë: mukozat e thata, etja, shfaqja e palave në lëkurë, dobësia trupore, konfuzioni, dhimbja e kokës, lodhja, grumbullimi i lëngjeve në inde (edemat, edema pulmonare), shtimi në peshë (si pasojë e edemave), vështirësia në frymëmarrje (si pasojë e edemës pulmonare), dhimbja e barkut dhe ethet (në rastet me infeksione shoqëruese).Një shkak i shpeshtë i urinimit të pakësuar është mungesa e hidratimit, pra pirja e sasive të pamjaftueshme të lëngjeve. Kjo është më e shpeshtë tek të moshuarit, sepse ndjesia e etjes pakësohet me kalimin e moshës. Gjithashtu, urina pakësohet edhe në rastet e humbjeve të lëngjeve me të vjella të shpeshta dhe të vazhdueshme, diarre, djersitje e tepërt ose hemorragji, si dhe nga një shok kardio-vaskular. Shkaqe të tjera janë sëmundjet e zemrës dhe të veshkave, si dhe bllokimi i kalimit të urinës.
Shkaqet fizike që pakësojnë sasinë e urinës:
- Insufiçienca kardiake
- Insufiçienca renale
- Infeksioni në veshka (glomerulonefriti)
- Gastro-enteriti i shoqëruar me të vjella dhe/ose diarre të rëndësishme
- Hiperplazia beninje e prostatës
- Kanceri i prostatës
- Gurët e rrugëve urinare
- Striktura e uretrës, ngushtimi i rrugëve urinare
- Fimoza
- Gurët në veshka
- Insufiçienca renale akute
- Insufiçienca renale kronike
- Djegiet (humbja e lëngjeve)
Shkaqe të tjera të pakësisimit të sasisë së urinës:
- Hidratimi i pamjaftueshëm
- Djersitja e tepruar
- Hemorragjitë e rënda gjatë ndërhyrjeve kirugjikale
- Medikamentet që janë toksike për veshkën
Egzistojnë shumë mënyra për të ndihmuar veten, duke parandaluar sëmundjet që manifestohen me pakësim të urinimit. Këto janë:
- Hidratimi i mjaftueshëm: rekomandimet për të rriturit janë 2-3 litra në ditë. Të moshuarit duhet të nxisin veten të pijnë lëngje edhe pse nuk kanë etje, pasi ndjesia e etjes është e pakësuar tek ata për shkak të moshës.
- Mënyra e shëndetshme e jetesës mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe të veshkave.
- Tek pacientët që vuajnë nga sëmundje të zemrës ose të veshkave, është veçanërisht e rëndësishme të respektohet doza e medikamenteve të përshkruara nga mjeku.
- Disa medikamente (veçanërisht ata që merren pa recetën e mjekut) mund të dëmtojnë veshkat. Për këtë arsye, këshillohet të lexohet me kujdes fleta shoqëruese e çdo medikamenti, dhe të kërkohet këshilla e mjekut përpara përdorimit të tij.
- Të respektohen masat parandaluese të sëmundjeve në përgjithësi (me kontrrolle të rregullta mjekësore, konsulta parandaluese për kancerin e prostatës, etj.)
- Në rast se shfaqen shenjat e një infeksioni urinar, duhet të konsultoheni sa më shpejt me mjekun, për të evituar dëmtimin e mundshëm të veshkave.
Në përgjithësi, çdo dyshim për pakësim të vëllimit të urinës duhet të vlerësohet nga mjeku. Gjithashtu, konsulta mjekësore duhet të kryhet për çdo çrregullim që mund të tregojë për një dëmtim të veshkave, siç janë psh. shfaqja e edemave ose shfaqja e gjakut në urinë .
Me cilin mjek duhet të konsultoheni?
- Mjeku i familjes (i përgjithshëm)
- Mjeku internist
- Mjeku urolog
- Mjeku nefrolog
Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.
Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:
- Pyetjet e lidhura me pakësimin e sasisë së urinës: kur është shfaqur fillimisht, në mënyrë të menjëhershme apo graduale, sasia e urinës së eleminuar (sasi të vogla apo asnjë pikë), veçoritë e urinës (ngjyra, e turbullt apo e pastër) ose aromës së saj, sasia e ujit të pirë, sasia e djersës, nëse ka çrregulime të tjera gjatë urinimit (psh. dhimbje), nëse ka patur rënie në peshë, etj.
- Njohja me simptomat shoqëruese (shih më sipër)
- Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme, përfshirë dhe operacionet.
- Informimi mbi sëmundjet ose shkaqet e vdekjeve në familjen e pacientit
- Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
- Informimi lidhur me ndonjë alergji të mundshme
- Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
- Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, nikotina, drogat), stresi, etj.
Egzaminimi fizik
Gjatë këtij egzaminimi, mjeku mat presionin e gjakut, pulsin dhe peshën trupore të pacientit, më pas auskulton me stetoskop zemrën dhe mushkëritë. Gjithashtu, ai kontrrollon lëkurën dhe mukozat, duke kërkuar për shenja të anemisë, dehidratimit dhe edema të mundshme. Pas kësaj, mjeku palpon dhe auskulton zonën e barkut. Gjatë perkutimit të barkut, mjeku mund të vlerësojë nëse fshikëza e urinës është tepër e mbushur, që mund të tregojë për bllokime të rrugëve urinare. Perkusioni i kryer në zonën e belit (tek veshkat), nëse rezulton i dhimbshëm tregon për inflamacione të veshkave ose të rrugëve urinare. Tek meshkujt, mjeku egzaminon prostatën nëpërmjet tushesë rektale. Tek femrat, kryen egzaminimin vaginal për të evidentuar një bllokim të mundshëm të rrugëve të kalimit të urinës.
Egzaminime të tjera specifike diagnostike
- Analizat e gjakut: vlerësohen treguesit e funksionit të veshkave, niveli i elektroliteve
- Egzaminimi i sasisë së urinës gjatë 24 orëve, mundësisht me ndihmën e një kateteri
- Egzaminimi ekografik i veshkave, fshikëzës urinare dhe prostatës
- Skaneri ose rezonanca magnetike
Trajtimi i pakësimit të vëllimit të urinës varet nga shkaku i saj. Më poshtë paraqiten mënyrat e mundshme të këtij trajtimi:
- Në rastet me hidratim të pamjaftueshëm, ndihmon thjesht dhe vetëm marrja e ujit në sasi të mëdha (nga goja ose me rrugë venoze)
- Ndërprerja e medikamenteve që dëmtojnë veshkat
- Trajtimi me medikamente i insufiçiencës së zemrës ose të veshkave
- Trajtimi i edemave (periferike, në mushkëri) me medikamente diuretike (shkarkuese)
- Eleminimi i bllokimit të rrugëve urinare: gurët në veshka mund të dalin vetë ose të hiqen me rrugë kirurgjikale. Në rastet me kancer, përgjithësisht kryhet ndërhyrja kirurgjikale, e pasuar nga kimioterapia dhe/ose radioterapia.
- Gjatë insufiçiencës renale akute, furnizimi i veshkave me gjak sigurohet me marrjen e likideve dhe medikamenteve me rrugë venoze. Nëse kjo nuk mjafton, pacienti ka nevojë për dializë. Nëse insufiçienca renale është kronike, mund të nevojitet transplanti i veshkës.