Mielografia
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është mielografia?
Mielografia është një ekzaminim imazherik me kontrast i kanalit kurrizor, ku kalon palca kurrizore dhe nga ku dalin rrënjët nervore. Për realizimin e saj, injektohet një sasi e vogël e lëndës së kontrastit në kanalin kurrizor, më saktësisht në hapësirën e mbushur me lëngun truno-shpinor, i cili rrethon kordonin e palcës kurrizore. Pas kësaj, realizohen radiografi të njëpasnjëshme në pozicione të ndryshme të pacientit, si psh. shtrirë dhe në këmbë, që i lejojnë mjekut të vlerësojë hapësirën në kanalin kurrizor, si dhe anomalitë e shtyllës kurrizore që japin dëmtim të palcës kurrizore ose të rrënjëve nervore (psh. ngushtimi i kanalit të palcës kurrizore, hernie diskale apo tumore).
Mielografia është një ekzaminim që i përket fushës së Radiologjisë.
A është e nevojshme ndonjë parapërgatitje specifike e pacientit?
Medikamentet që përdoren për hollimin e gjakut duhet të ndërpriten disa ditë përpara mielografisë, në të kundërt të zëvendësohet marrja e tyre me të tjera medikamente. Çdo veprim duhet të kryhet me udhëzimin e mjekut.
Kujdes: Disa medikamente analgjezike (qetësuese të dhimbjeve), gjithashtu mund të shkaktojnë hollim të gjakut. Duhet të këshilloheni paraprakisht me mjekun nëse jeni duke përdorur ndonjë prej tyre. Për këtë qëllim, përpara se të kryeni mielografinë, informoni mjekun për çdo medikament që jeni duke përdorur, apo që keni përdorur gjatë periudhës së fundit.
Çfarë sqarimi nevojitet përpara këtij ekzaminimi?
Përpara se të kryejë mielografinë, mjeku duhet ta informojë pacientin për proçedurat e nevojshme paraprake, që janë:
- Përjashtimi i presionit të rritur brenda kafkës (intrakranial): kjo realizohet nëpërmjet CT-skanerit të kokës ose rezonancës magnetike të kokës. Ekzaminimi i fundus okuli (fundit të syrit) për të përjashtuar presionin intrakranial ka vlerë të kufizuar.
- Përjashtimi i mundësisë së infeksionit në kufijtë e punksionit (shpimit)
- Konsultimi paraprak me mjekun në rastet me alergji nga lëndët e kontrastit apo medikamentet që përdoren për anestezi (mpirje) lokale.
- Vlerësimi i nivelit të mpiksjes së gjakut (analiza e nivelit të protrombinës/INR).
- Vlerësimi i treguesve të funksionit të veshkës (analiza e azotemisë dhe kreatinemisë), pasi lëndët e kontrastit mund të dëmtojnë veshkën.
- Vlerësimi i kontrollit të funksionit të gjendrës tiroide, pasi lëndët e kontrastit mund të dëmtojnë gjendrën tiroide.
Si kryhet mielografia?
Mielografia mund të kryhet në kushte ambulatore dhe zgjat rreth 30-45 minuta. Më pas, pacienti duhet të shtrihet dhe të monitorohet për 3-4 orë të tjera.
Ekzaminimi kyhet me pacientin e shtrirë në anë. Përkulja e këmbëve në njërën anë mundëson lakimin e pjesës lumbare të shtyllës kurrizore (pjesa e mesit) dhe lehtëson ndërhyrjen e mjekut në këtë zonë. Pas dezinfektimit të përsëritur të zonës, në kushte sterile bëhet punksioni (shpimi) i kanalit të shtyllës kurrizore të mbushur me lëngun trunoshpinor, në nivelin e mesëm apo të poshtëm të pjesës lumbare, më saktësisht nën palcën kurrizore. Kjo ndërhyrje quhet ndryshe punksion lumbar. Pas mpirjes lokale, mjeku fut një age të hollë pikërisht në këtë zonë, në kanalin kurrizor. Pasi thith një sasi të vogël lëngu truno-shpinor, që dërgohet për ekzaminim në laborator, mjeku injekton rreth 15 ml lëndë kontrasti të jodizuar, të tretshme, në kanalin e shtyllës kurrizore. Pasi hiqet agia, përftohen imazhe radiografike të palës kurrizore në pozicionin shtrirë dhe në këmbë, si dhe në pozicione të ndryshme të trupit (si psh. përkulur).
Më pas, zakonisht, kryhet edhe një CT-skaner i shtyllës kurrizore.
Për të shmangur dhimbjen e kokës pas ekzaminimit, rekomandohet pushimi në shtrat me pjesën e sipërme të trupit të pozicionuar pak më lart, dhe marrja e sa më shumë lëngjeve.
Kur këshillohet kryerja e mielografisë?
Mielografia nevojitet për diagnostikimin e sëmundjeve që prekin shtyllën kurrizore, si dhe për vlerësimin e ankesave neurologjike të lidhura me to (për shkak të prekjes së sistemit nervor).
Megjithatë, kjo proçedurë e ka humbur rëndësinë e saj për shkak të përdorimit të teknikave imazherike jo-traumatike, siç janë: tomografia e kompjuterizuar (CT-skaneri) dhe rezonanca magnetike (MRI). Ajo përdoret kryesisht kur MRI ose CT-skaneri nuk mund të kryhen, ose kur informacioni që ato japin është i pamjaftueshëm, si dhe për fusha specifike si psh. në Neurokirurgji, Ortopedi apo kur planifikohet një ndërhyrje kirurgjikale.
Përparësia e mielografisë përkundrejt rezonancës magnetike (MRI) dhe CT-skanerit qëndron në faktin se shtylla kurrizore mund të ekzaminohet gjatë sforcimit apo në qetësi.
Situatat kur duhet të kryhet mielografia janë:
- Pacienti nuk mund të kryejë rezonancën magnetike: kur ka pacemaker kardiak apo pjesëza metalike.
- Pacienti ka ankesa të lidhura me sistemin lokomotor (sistemin e lëvizjes së trupit): ankesat vijnë si pasojë e pozicionimit apo lëvizjes së trupit, si psh. gjatë qëndrimit apo gjatë një sforcimi fizik.
- Pacienti ka rrëshqitje të diskut vertebral (hernia diskale)
- Pacienti ka stenozë spinale (ngushtim i kanalit të shtyllës kurrizore), stenozë të foramenit (ngushtim i vrimës ku kalojnë rrënjët nervore)
- Pacienti ka sindromë radikulare kompresive (shtypje ose bllokim të rrënjëve nervore, për shkak të rrëshqitjes së diskut vertebral, të tumoreve apo të ndryshimeve të strukturave kockore)
- Pacienti ka dëmtime të shtyllës kurrizore
- Pacienti ka dëmtime traumatike të rrënjëve nervore
- Pacienti do të planifikohet për ndërhyrje kirurgjikale
A paraqet kjo proçedurë rreziqe apo efekte të padëshiruara për pacientin?
Mielografia, në përgjithësi, paraqitet si një proçedurë rutinë e parrezikshme, me ndërlikime të rralla, por që nuk mund të përjashtohen. Pas injektimit të lëndës së kontrastit, pacienti mund të paraqesë shqetësime që vijnë në rritje, të përqëndruara në zonën e mesit (zona lumbare) apo tek këmbët. Për shkak të punksionit (shpimit), ndryshimet e presionit mund të sjellin dhimbje koke me të përziera dhe të vjella, që mund të zgjasin për disa ditë.
Gjithashtu, mund të shfaqen episode të rralla apo tepër të rralla të alergjisë, hemorragjisë, infeksioneve apo dëmtimit të nervave, me paralizë të përkohshme ose të përhershme, kriza epileptike në përgjigje ndaj lëndës së kontrastit ose dëmtim të gjendrës tiroide.
(shiko edhe rreziqet apo pasojat e proçedurës së punksionit lumbar)