Infarkti i miokardit
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)
Arterioskleroza përfaqëson një ndryshim që ndodh në brendësi të enëve të gjakut. Muret e këtyre enëve forcohen, humbasin elasticitetin dhe diametri i tyre zvogëlohet gjithnjë e më shumë. Për pasojë, çrregullohet proçesi i qarkullimit të gjakut në to, që mund të shkaktojë mbylljen e një ene, duke u pasuar në këtë mënyrë, nga zhvillimi i një infarkti të miokardit.
Për të parandaluar një infarkt miokardi dhe, veçanërisht, për të evituar një infarkt të ri, duhet përkatësisht të eleminohen dhe të trajtohen faktorët e rrezikut, që paraqiten më poshtë:
- Duhanpirja
- Hipertensioni arterial
- Diabeti i sheqerit
- Mbipesha dhe obeziteti
- Mbingarkesa e rëndësishme fizike dhe psiqike
- Mungesa e aktivitetit fizik
- Ushqyerje jo e ekuilibruar, e pasur me yndyrna (kolesterol)
- Trashëgimia për sëmundje të arterieve koronare
- Menopauza
Shenja më karakteristike e një infarkti të miokardit është dhimbja e fortë prapa dërrasës së kraharorit, që përhapet në shpinë, në krahë dhe/ose në qafë. Kjo dhimbje është shpesh e shoqëruar nga një gjendje ankthi, irritimi, me episode djersitjeje, vështirësi në frymëmarrje dhe të përziera.
Një tjetër shenjë e infarktit është mospërgjigja ndaj derivateve të nitruara (nitroglicerinës) sprai tek pacientët që kanë bërë dhimbje të gjoksit (dhimbje anginoze) më parë dhe u janë qetësuar me këto medikamente. Tek personat e moshuar dhe diabetikët, infarkti mund të jetë shpesh pa shenja, duke penguar në këtë mënyrë diagnostikimin dhe mjekimin sa më të hershëm të tij.
Kujdes: Në të gjitha rastet e dyshimta për infarkt të miokardit, është i detyrueshëm kontakti i menjëhershëm me mjekun e urgjencës.
Për të diagnostikuar një infarkt të miokardit, duhet të kryhet:
- Njohja e mjekut me simptomat e pacientit dhe historinë e fillimit të tyre.
- Elektrokardiograma (EKG)
- Ekografia e zemrës
- Analizat e gjakut (enzimat e zemrës dhe proteinat)
- Kateterizimi i zemrës
Infarkti i miokardit konsiderohet një urgjencë mjekësore. Pacienti duhet të shtrohet në spital në mënyrë urgjente për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjes, pasi mbijetesa e tij pas këtij episodi varet nga shpejtësia e kryerjes së këtyre proçeseve. Sa më shpejt të fillohet trajtimi dhe sa më korrekt të jetë ai, aq më të mëdha janë mundësitë e shërimit të sëmundjes.
Trajtimi në kushte spitalore
Proçedurat invazive:
- Angiografia e arterieve koronare: mundëson lokalilizimin e ngushtimit të tyre, zgjerimin e menjëhershëm të arteries përgjegjëse për infarktin, pas vendosjese së stentës.
- Në varësi të shkallës dhe të numrit të ngushtimeve të arterieve koronare, mund të sigurohet kalueshmëria e gjakut në arterie nëpërmjet bypasit& nbsp;(lidhje ndërmjet arterieve koronare të shëndosha)
Medikamentet
- Shkrirja e trombit me ndihmën e medikamenteve trombolitike.
- Frenimi i koagulimit të mëtejshëm, për të evituar formimin e pllakave në enët e ngushtuara (nëpërmjet heparinës, aspirinës, etj).
- Ulja e nevojave për oksigjen të miokardit dhe rregullimi i ritmit të rrahjeve të zemrës nëpërmjet beta-bllokuesve (atenolol, korvitol,bisocor,etj)
- Zgjerimi i enëve të gjakut, për parandalimin e insuficiencës kardiake të anës së majtë, nëpërmjet frenuesve të enzimës së konversionit të angiotenzinës (ACE-inhibitorët: Enalaprili).
- E rëndësishme: Përdorimi i këtyre medikamenteve pakëson shkallën e vdekshmërisë pas infarktit dhe përmirëson mbijetesën e pacientëve.
Trajtimi mbajtës me medikamente
Trajtimi medikamentoz i mëposhtëm rekomandohet pas daljes nga spitali:
- ACE-inhibitorët
- Antikoagulantët
- Medikamentet që mbrojnë murin e enëve të gjakut
- Medikamentet që ulin nivelin e yndyrnave (statinat- për kolesterolin e lartë)
- Stabilizimi i ritmit të zemrës (beta-bllokuesit)
- Në rastet që kanë anginë (dhimbje) të gjoksit shoqëruese rekomandohet përdorimi i nitrateve për zgjerimin e arterieve koronare.
Procedurat emergjente (ndihma e parë)
Masat e para të mjekësisë së urgjencës janë:
- Vendosja e maskës së oksigjenit
- Qetësimi i dhimbjeve
- Përdorimi i medikamenteve të grupit të nitrateve (si psh. nitroglicerina) për zgjerimin e arterieve koronare.
Ndërlikimet serioze janë të mundshme gjatë infarktit asimptomatik (pa shenja të dukshme), të konstatuara ose nga mjeku kardiolog gjatë një EKG-je të kontrollit, ose në infarktin me vdekje të menjëhershme.
Në fazën akute, faktorët që përcaktojnë ecurinë e proçesit dhe që përfaqësojnë njëkohësisht edhe ndërlikimet kryesore të tij, janë dobësimi i muskulit të zemrës dhe shfaqja e aritmisë.
Menjëherë pas shfaqjes së infarktit ose në ditët që pasojnë, këto dy ndërlikime mund të provokojnë një shok kardio-vaskular që çon në vdekjen e pacientit, për shkak të mosfunksionimit të zemrës.
Pas një periudhe të gjatë kohore, cikatricet e formuara në zonat e dëmtuara të miokardit mund të shkaktojnë ulje të rëndësishme të kapacitetit funksional të zemrës. Kjo e fundit ndikohet gjithashtu negativisht edhe nga çrregullimet e ritmit të zemrës (aritmia).
Masat më të dobishme në lidhje me parandalimin e zhvillimit të arteriosklerozës dhe shfaqjes së infarktit të miokardit përfshijnë: ushqyerjen e ekuilibruar, aktivitetin fizik të mjaftueshëm, konsumin në sasi të pakët të alkoolit dhe ndërprerjen e duhanit.
Faktorët e rrezikut, si diabeti i sheqerit, hipertensioni arterial dhe niveli i lartë i yndyrnave duhet të trajtohen në mënyrë sa më korrekte.
Pas një infarkti të miokardit, pacienti duhet të përfshihet në programe të stërvitjes kardiovaskulare, ku përfshihen sporte të tilla si: ecjet e gjata, çiklizmi, joga dhe noti. Pacienti duhet të informohet në mënyrë të hollësishme për këtë program nga mjeku që e trajton. Kjo mund të realizohet edhe në kushte spitali, me programe rehabilituese për grupe të mëdha pacientësh, që rritin shkallën e motivimit të tyre në këtë drejtim.