Hipertensioni arterial (Presioni i lartë i gjakut, Rritja e presionit arterial, Tensioni i lartë i gjakut)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)
Matja e tensionit arterial nëpërmjet aparatit me shirit në krah dhe me stetoskop në vesh jep informacion mbi presionin në qarkullimin arterial. Zemra, duke u tkurrur dhe lëshuar si një muskul i vetëm, pompon gjakun në arterie. Pikërisht në varësi të nivelit të presionit të ushtruar apo lëshimit të muskulit të zemrës, ndodh përkatësisht rritja dhe ulja e tensionit arterial. Pulsi reflekton kurbën e tensionit. Vendi ku lind presioni i gjakut janë pikërisht enët e gjakut.
Ndër këto të fundit, arteriet janë ato që mund të tkurren dhe lëshohen, pasi muri i tyre përmban edhe ind muskular.
Presioni arterial varet nga:- Vëllimi i gjakut
- Rezistenca e enëve të gjakut
- Funksioni pompë i zemrës
Vlerat e tensionit arterial tek një i rritur:
Tensioni arterial shprehet me dy vlera: vlera e sipërme (sistolike), që i korrespondon tensionit më të lartë, dhe vlera e poshtme (diastolike), që i korrespondon tensionit më të ulët brenda enëve të gjakut.
- Përshkrimi Vlerat e sipërme (sistolike) Vlerat e poshtme (diastolike)
- Vlerat e sipërme normale 120-129 mmHg 80-84 mmHg
- Vlerat e sipërme në kufirin e sipërm të normës 130-139 mmHg 85-89 mmHg
- Hipertension grada I 140-159 mmHg 90-99 mmHg
- Hipertension grada II 160-179 mmHg 100-109 mmHg
- Hipertension grada III > 180 mmHg > 110 mmHg
Vlera e tensionit arterial varet nga mosha. Me rritjen e moshës, ajo ka tendencë të rritet, për shkak të humbjes së elasticitetit të mureve të enëve të gjakut.
Veçanërisht tek personat e moshuar, tensioni arterial mund të kapë vlera më të larta për shkak të kalcifikimit të arterieve.
Tensioni arterial shumë i lartë favorizon zhvillimin e arteriosklerozës (kalcifikimit të arterieve). Në rastet e rënda, kjo arteriosklerozë mund të jetë përgjegëse për një infarkt miokardi (ataku i zemrës) ose aksident cerebral (infarkt ose hemorragji në tru).
Dallohen dy tipe të hipertensionit arterial:
- Hipertensioni arterial parësor (thelbësor), shkaku i të cilit nuk është ende i njohur. Ai përfaqëson një sëmundje në vetvete.
- Hipertensioni arterial dytësor: bëhet fjalë për një hipertension të fituar pas një sëmundjeje themelore, siç është psh. insuficienca renale (dobësimi i funksionit të veshkave), sëmundja e arterieve të veshkave, ose çrregullimet hormonale.
- Duhanpirja
- Konsumi i shpeshtë i alkoolit
- Konsumi i kafesë
- Trashëgimia familjare
- Mosha
- Sëmundja e diabetit të sheqerit, diabeti tip 1 dhe tip 2
- Ushqyerja me shumë kripë dhe yndyrna
- Stresi i vazhdueshëm
- Medikamentet (kortizoni, ato që përdoren për të rënë në peshë)
- Përdorimi i drogave (kokainë, ekstazi, amfetaminat, etj.)
Rritja e tensionit arterial shpesh ndodh pa simptoma. Kjo mund të jetë mjaft e rrezikshme, pasi një tension i lartë mund të provokojë dëmtime të trurit, veshkave, zemrës dhe syve.
Shenjat e para të alarmit mund të shfaqen në formën e:- Dhimbjes së kokës
- Marrje mendsh
- Gjakrrjedhje nga hunda
- Dhimbje në kafazin e kraharorit
- Vështirësi në frymëmarrje
- Çrregullime të shikimit
Situatat e urgjencës:
- Çrregullime të rëndësishme të shikimit
- Marrje mendsh
- Të përziera, të vjella
- Dhimbje koke e fortë
- Vështirësi e theksuar në frymëmarrje
- Shtëngim në gjoks (angina pectoris)
- Njohja e mjekut me simptomat, faktorët e rrezikut dhe trashëgiminë familjare për aksidentet në zemër dhe në tru.
- Matja e përsëritur e tensionit arterial në gjendje dhe pozicione të ndryshme (në këmbë, shtrirë, ulur).
- Dëgjimi me stetoskop nga kardiologu në zonën e zemrës, arteries karotide (në qafë) dhe të aortës abdominale (në bark).
- Ekzaminimi i fundit të syrit (fundus oculi) nga okulisti.
- Elektrokardiograma (EKG)
- Elektrokardiograma në sforcim (Prova ushtrimore-biçikleta)
- Monitorimi i tensionit arterial për 24 orë (vendosja e Holterit të tensionit).
- Analizat e gjakut (kolesteroli, sheqeri, acidi urik) dhe analiza e urinës
- Ekografia e zemrës
- Ekografia e barkut (abdominale)
Hapi i parë i trajtimit të hipertensionit arterial konsiston në evitimin ose korrigjimin e faktorëve të rrezikut (ndërprerja e duhanit, alkoolit, rënia në peshë, aktiviteti i rregullt fizik), ose në trajtimin e sëmundjeve themelore, që kanë shërbyer si shkak për rritjen e tensionit arterial. Si të tilla mund të përmendim: diabetin, kolesterolin e lartë, funksionin e shtuar të gjendrës tiroide, funksionin e shtuar të gjendrave mbiveshkore, etj.
Medikamentet
Medikamentet klasifikohen në këto grupe:- Frenuesit e enzimës së konversionit dhe antagonistët e receptorëve të angiotenzinës: veprojnë mbi hormonet që rregullojnë tensionin arterial.
- Diuretikët: nxisin eleminimin e lëngjeve dhe të kripës nga organizmi, duke ulur në këtë mënyrë vëllimin qarkullues dhe tensionin arterial.
- Beta-bllokuesit: pakësojnë vëllimin e gjakut të hedhur nga zemra dhe shpeshtësinë e rrahjeve të zemrës (frekuencën kardiake).
- Alfa-bllokuesit: pakësojnë tensionin arterial nëpërmjet lëshimit të enëve të gjakut.
- Antagonistët e kalciumit: pakësojnë tensionin e enëve të gjakut, duke pakësuar kështu edhe punën e muskulit të zemrës.
Është thelbësore ndjekja e rregullt e trajtimit të përshkruar nga mjeku kardiolog ose hipertonist, në mënyrë që të parandalohet zhvillimi i dëmtimeve afatgjata në organe të rëndësishme të trupit.
Çfarë mund të bëjmë vetë?
Është tepër e rëndësishme të matet rregullisht tensioni arterial në shtëpi ose tek mjeku. Pacientët duhet të pajisen me një ditar ku të shënojnë vlerat e tensionit të matura gjatë ditës, për periudhat midis konsultimeve të radhës nga mjeku.
Gjithashtu i rëndësishëm është ndryshimi i mënyrës së jetesës, që mund të konsistojë në:
- Ndërprerjen e duhanit, të alkoolit dhe drogave të tjera
- Ushqyerje e varfër në kripë dhe yndyrna, dhe e pasur në fruta dhe zarzavate
- Ushtrimi i rregullt i një sporti me intensitet të lehtë (noti, ecja, çiklizmi, etj)
- Teknikat e relaksimit dhe pakësimit të stresit (joga)
Arterioskleroza është një proçes që varet nga mosha, dhe është mjaft e favorizuar nga një hipertension arterial shoqërues. Ndër sëmundjet dytësore, që janë pasojë e hipertensionit, mund të përmendim:
- Aksidenti vaskular cerebral (infarkti ose hemorragjia cerebrale)
- Insuficienca kardiake, infarkti i miokardit, angina pectoris
- Dëmtimi i veshkave
- Prekja e syve