Prova e urisë (Testi i urisë)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është prova e urisë?
Prova e urisë përdoret për vlerësimin e gjendjes së uljes së sheqerit në gjak (hipoglicemisë), që ndodh në mënyrë të përsëritur. Ai kryhet kryesisht në raste të dyshimit të insulinomës, që është një tumor beninj i pankreasit, i cili prodhon hormonin insulinë në një mënyrë të pakontrolluar. Insulina ul nivelin e sheqerit (glukozës) në gjak gjatë ngrënies, kur ai tenton të rritet, derisa të bjerë përsëri në nivele normale.
Në njerëz të shëndetshëm, prodhimi i insulinës ngadalësohet në pankreas sa më shpejt që glukoza e gjakut të kthehet në vlerat normale. Si rezultat, gjatë provës së urisë, insulina dhe glukoza pakësohen në gjak, por glukoza në gjak mbetet brenda kufijve normale. Nëse është zhvilluar një insulinomë në pankreas, ky tumor prodhon insulinë në mënyrë të vazhdueshme, edhe kur pacienti është pa ngrënë, pra jashtë vakteve, e cila shkakton një rënie të madhe në sheqerit në gjak (hipoglicemia), së bashku me çrregullime shoqëruese tipike, të tilla si djersitje, dridhje trupore, të përziera ose nervozizëm.
Prova e urisë është një ekzaminim i Endokrinologjisë, një degë e Mjekësisë së brendshme.
A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë përpara provës së urisë?
Në pjesën më të madhe të rasteve, nuk nevojitet asnjë përgatitje e veçantë përpara fillimit të provës së urisë. Mbrëmjen përpara provës, pacienti mund të ushqehet normalisht, por më pas ai nuk duhet të konsumojë asgjë. Pirja e ujit lejohet, por jo e pijeve me sheqer, që përmbajnë kafeinë, ose alkool. Pacienti duhet të informojë mjekun për orën e saktë të vaktit të mbrëmjes.
Çfarë duhet të sqarohet përpara ekzaminimit?
Në rast se pacienti ka kriza epileptike të njohura, nuk duhet t’i nënshtrohet provës së urisë, pasi ulja e sheqerit mund t’i provokojë një krizë konvulsive. Përveç kësaj, nuk nevojitet asnjë sqarim tjetër.
Si realizohet prova e urisë?
Testi kryhet në spital nën mbikëqyrjen mjekësore dhe zgjat jo më shumë se 72 orë (3 ditë). Gjatë kësaj periudhe, pacienti duhet të mos konsumojë asnjë ushqim (dietë zero), që do të thotë që mund të pijë ujë ose çaj pa sheqer, por nuk mund të hajë. Me një kanulë në parakrah, merret disa herë gjak, në intervale të caktuara, për të përcaktuar nivelet e glukozës dhe të insulinës në gjak. Paralelisht kryhet edhe matja e shpejtë e sheqerit në gjak nga një pikë e gjakut e marrë në majë të gishtit (shpimi i gishtit). Në rastin e insulinomës, hipoglicemia e dukshme zakonisht ndodh brenda 24 orëve të para. Testi ndërpritet para kohe nëse rezultati është i paqartë ose nëse sheqeri në gjak bie shumë dhe shfaqen simptoma të hipoglicemisë. Në praninë e shenjave të dukshme të hipoglicemisë, menjëherë administrohet glukozë me rrugë venoze, për stabilizim të shpejtë të situatës.
Kur përdoret prova e urisë?
Prova e urisë kryhet në rastet e dyshimta për insulinomë (tumor beninj i pankreasit, që prodhon insulinë në mënyrë të pakontrrolluar) si dhe për vlerësimin e çrregullimeve metabolike që shoqërojnë hipogliceminë.
A paraqet rreziqe ose efekte të padëshiruara prova e urisë?
Prova e urisë konsiston në provokimin e qëllimshëm të uljes së sheqerit në gjak (hipoglicemisë), dhe për këtë arsye shoqërohet me rreziqe të caktuara që lidhen me hipogliceminë. Diagnoza e insulinomës mund të vendoset vetëm nëse shfaqet hipoglicemia dhe, në të njëjtën kohë, insulina në gjak mbetet e lartë. Meqë prova e urisë kryhet nën kushte të qëndrueshme dhe nën mbikëqyrjen mjekësore, nuk pritet ndonjë ndërlikim serioz. Në rast të rezultatit të paqartë ose të uljes së ndjeshme të sheqerit në gjak, testi ndërpritet para kohe dhe trajtohet menjëherë hipoglicemia (me futje të glukozës në venë).