logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)

Diafragma është një fletë e hollë e lakuar, që përbëhet nga muskuj dhe tendine, dhe vendoset në mes të trungut. Ajo ndan kraharorin nga barku.

Normalisht, ajo përshkohet vetëm nga aorta dhe ezofagu. Për shkak të trashësisë së saj, diafragma shërben si një barrierë, që pengon zhvendosjen e organeve të barkut drejt kraharorit, gjatë rritjes së presionit në bark ose gjatë ndryshimit të pozicionit të trupit.

Hernia diafragmale: keqformim i lindur.
Hernia diafragmale: keqformim i lindur.

Hernia e diafragmës përfaqëson një keqformim të lindur të saj, ku hapja e diafragmës, në të cilën kalon ezofagu, është më e gjerë sesa duhet. Për pasojë, një pjesë e stomakut mund të kalojë në hapësirën e kraharorit. Kjo shoqërohet me ngjitjen e lëngut acid të stomakut në ezofag, që mund të shkaktojë dëmtime të mukozës (pjesës së brendshme) në këtë nivel. Ky fenomen emërtohet sëmundja e refluksit gastro-ezofageal (SRGE). Pikërisht për këtë arsye, çdo rast me refluks të stomakut duhet të egzaminohet lidhur me praninë e një hernieje të diafragmës, pasi kjo e fundit është sëmundja më e mundshme shkaktare e tij.  

Nëse hapja e diafragmës në nivelin ku kalon ezofagu është tepër e gjerë, në kraharor mund të ngjiten edhe organe të tjera të barkut. 

Egzistojnë tipe të ndryshme të hernies së diafragmës, në varësi të shkallës së hapjes së saj në vendin ku përshkohet nga ezofagu. Pjesa më e madhe e tyre shkaktojnë çrregullime të lehta, si psh. ndjesia e shtypjes në zonën e zemrës. Nëse hapja e saj është tepër e madhe, mund të shfaqen ndërlikime vdekjeprurëse, si në rastin e hernies paraezofageale. 

Hernia e diafragmës konstatohet në rreth 10% të popullatës. Në pjesën më të madhe të kohës, ajo nuk shkakton asnjë çrregullim, duke mos patur nevojë për trajtim specifik.

Dallohen disa forma të hernies së diafragmës, edhe pse në përgjithësi bëhet fjalë më tepër për kombinime të tyre.

Hernia hiatale: shfaqet në rastet e dobësimit të indit lidhor të diafragmës, pikërisht në zonën e përshkuar nga ezofagu.

Hernia qendrore/e lëvizshme, rrëshqitëse (përbën rreth 90% të hernieve diafragmale): në këto raste, vrima e diafragmës ku kalon ezofagu është relativisht e madhe, e tillë sa që pjesa e sipërme e stomakut lëviz (rrëshqet) lirisht përgjatë ezofagut. Çrregullimet e kësaj forme janë të lehta.

Hernia paraoezofageale: kur hapja e diafragmës është e madhe, një pjesë e stomakut ngjitet në kraharor, pranë ezofagut. Në rastet ekstreme, ndodh që të ngjitet i gjithë stomaku në këtë nivel. Një situatë e tillë rrezikon për mbytje nga hernia, sepse stomaku nuk mund të rikthehet në vendin e tij normal, pasi vrima është e bllokuar. Kjo mund të pasohet nga hemorragji, ulçera ose pakësim i furnizimit me gjak në këtë zonë. Kjo situatë përbën një urgjencë mjekësore.

Forma e rrallë: Këputja e diafragmës, që paraprihet nga një çarje e saj gjatë plagosjeve të ndryshme, shfaqet zakonisht në gjysmën e saj të sipërme.

Pjesa më e madhe e  hernieve të diafragmës janë të lindura (kongenitale). Në përgjithësi, shkaku i saj është një dobësi e përgjithshme e indit lidhor. Gjithashtu, nuk duhet neglizhuar fakti që indi lidhor ka tendencë të dobësohet edhe me kalimin e moshës. 
 
Më rrallë, lëshimi i muskulaturës rrethore dhe ndryshimi i këndit ndërmjet ezofagut dhe stomakut mund të shërbejnë si shkak i hernies diafragmale.
 
Edhe rritja e shpeshtë, në mënyrë të përsëritur, e presionit në hapësirën e barkut, siç ndodh në rastin e obezitetit, kollës ose kapsllëkut kronik, rrit jo vetëm rrezikun e shfaqjes së hernies diafragmale, por edhe të zhvendosjes së organeve.
 
Këputja e diafragmës lidhet vetëm me mbingarkesat mekanike ekstreme dhe të menjëhershme, si psh. gjatë aksidenteve, gjuajtjeve me grusht, etj.

Simptoma shkaktojnë vetëm rreth 10% e hernieve të diafragmës. Pra, në pjesën më të madhe të rasteve kjo sëmundje diagnostikohet në mënyrë të rastësishme.

Simptomat e hernies së diafragmës janë:

  • Ndjesia e fryrjes në kraharor
  • Djegia në stomak, ngjitjet e acidit lart, veçanërisht në pozicionin shtrirë.
  • Të vjella
  • Ndjesia e rëndesës në stomak
  • Nëse një pjesë e madhe e stomakut është zhvendosur në kraharor, çrregullimet mund të shfaqen pas vaktit, për shkak të shtypjes së organeve të vendosura në kraharor prej ushqimit. Këto çrregullime përfshijnë vështirësinë në frymëmarrje dhe problemet e zemrës.
  • Inflamacionet e ezofagut, pasojë e ngjitjes së lëngut acid të stomakut në të.
  • Gjakderdhjet e mukozës dhe  bllokimi i pjesëve të zhvendosura në zonën e këputjes së diafragmës: kjo mund të shkaktojë probleme të furnizimit me gjak, shpimin dhe inflamacionin e peritoneumit. Këto ndërlikime mund të jenë vdekjeprurëse për pacientin. 
Hernia diafragmale: fibrogastroskopia dhe radiografia.
Hernia diafragmale: fibrogastroskopia dhe radiografia.

Diagnoza e hernies së diafragmës vendoset përgjithësisht nga mjeku imazherist, gastro-hepatolog ose ai kirurg, në varësi të situatave të zbulimit të saj. Në të gjitha rastet, janë të nevojshme:

Kujdes: simptoma të njëjta me ato të hernies së difragmës mund të shfaqen edhe në rastet me një tumor, paralizë të diafragmës ose çrregullime të zemrës. Kjo vlen veçanërisht për dhimbjet e lokalizuara prapa kafazit të kraharorit. Në të gjitha këto raste është mjaft e rëndësishme të përjashtohet mundësia e pranisë së këtyre sëmundjeve, përpara se të vendoset përfundimisht diagnoza e hernies së diafragmës.

Hernia diafragmale: operacioni kryhet për simptoma më të rënda.
Hernia diafragmale: operacioni kryhet për simptoma më të rënda.

Mënyrat konservative të trajtimit (pa operacion) të hernies së diafragmës munden vetëm të qetësojnë simptomat në format e lehta të saj, por ato nuk sigurojnë shërimin e hernies. 

Masat e përgjithshme

Çrregullimet e lehta të shkaktuara nga hernia e diafragmës mund të qetësohen pjesërisht duke ndryshuar mënyrën e jetesës dhe të ushqyerjes. Ky ndryshim konsiston në:

  • Evitimin e ngrënies së sasive të mëdha të ushqimit. Rekomandohet ngrënia e shpeshtë, e sasive të pakta të ushqimit gjatë ditës.
  • Ngrënien e vaktit të darkës të paktën dy orë para gjumit.
  • Evitimin e ushqimeve të yndyrshme
  • Konsumin e kufizuar të alkoolit dhe kafesë, veçanërisht në mbrëmje.
  • Rënien në peshë, në rastet me mbipeshë trupore
  • Ndërprerjen e duhanit
  • Evitimin e stresit
  • Vendosjen e kokës në pozicion të ngritur (me dy jastëkë) gjatë natës.
  • Përdorimin e kufizuar të medikamenteve që qetësojnë dhimbjet (antialgjikët), pasi ato rritin shkallën e rrezikut për probleme në ezofag dhe stomak.

Medikamentet

Për pacientët me hernie të diafragmës rekomandohet përdorimi i dy tipeve të medikamenteve:

Operacionet

Nga të gjitha format e përmendura më sipër, operacioni është veçanërisht i nevojshëm në hernien paraezofageale, meqenëse pjesët e stomakut ose të zorrës mund të mbeten të burgosuara në kraharor. Në rastin e hernies qendrore, operacioni mund të jetë i nevojshëm vetëm në format e rënda, dhe nëse medikamentet nuk kanë dhënë rezultat.

Operacioni  ka për qëllim të rikthejë organet në pozicionin e tyre normal dhe të evitojë rizhvendosjen e tyre në kraharor në të ardhmen. Kjo realizohet nëpërmjet laparotomisë (hapjes së barkut) ose laparoskopisë (teknikë kirurgjikale moderne, që realizohet me prerje të vogla të barkut, nga 0,5-1,5 cm). Kirurgu zgjedh metodën në varësi të rrethanave dhe të madhësisë së hernies.

Në rastin e këputjes së diafragmës, nevojitet hapje kirurgjikale e kafazit të kraharorit, për të kryer riparimin e saj.

Rreziku i përsëritjes së nje hernieje të diafragmës pas trajtimit varet drejtpërdrejt nga madhësia e saj. Sforcimi i indeve dhe mbingarkesat e forta mekanike e rritin këtë rrezik.

Përgjithësisht nevojiten rreth 6 muaj që diafragma të stabilizohet plotësisht. Gjatë kësaj periudhe, pacienti nuk duhet të kryejë aktivitete fizike të egzagjeruara, si sporte të rënda, ngritje objektesh të rënda, etj.

Një kthim lart në mënyrë të përsëritur i lëngut acid të stomakut në ezofag, mund të shkaktojë inflamacion të ezofagut (ezofagit). Ky proçes rrit shkallën e rrezikut për zhvillimin e kancerit të ezofagut.
 
Në rastin e hernies paraezofageale, egziston rreziku i burgosjes (bllokimit) së pjesëve të stomakut ose të zorrës në nivelin e të çarës së diafragmës. Kjo mund të pasohet nga inflamacioni i stomakut në mënyrë të përsëritur (gastrit kronik), të shoqëruar nga gjakderdhje të vogla të përsëritura në nivelin e mukozës (pjesës së brendshme) të stomakut. Kjo situatë shoqërohet nga një anemi e rëndë nga mungesa e hekurit, të cilin trupi e humbet gjatë  gjakderdhjes (anemia ferriprive).
 
Ndërlikimet e rënda, që rrezikojnë jetën e pacientit janë: problemet e furnizimit me gjak të zonave të burgosura, shpimi dhe inflamacioni i peritoneumit.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.