logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Çrregullimet e ndjeshmërisë: ndjesi shpimi gjilpërash, mpirje, simptomat e paralizës
Çrregullimet e ndjeshmërisë: ndjesi shpimi gjilpërash, mpirje, simptomat e paralizës
Bëhet fjalë për një ndryshim sasior ose cilësor të ndjeshmërisë në nivelin e gjymtyrëve.

Çrregullimet e ndjeshmërisë në gjymtyrët (krahët dhe këmbët) mund të manifestohen me ndjesi të ndryshme jonormale, të tilla si:

  • Tipe të tjera perceptimi, ku më të shpeshtat janë ndjesia e shpimit ose mpirjes. Gjithashtu, mund të jenë edhe në formën e ndjesisë së kruajtjeve, djegieve, të shtypjes ose tensionit, dhe dhimbjeve. Në disa raste mund të shfaqet ndjesia e të ftohtit ose të nxehtit të pazakontë.
  • Çrregullimet e ndjeshmërisë ndaj stimujve ndjesorë: prekja, dhimbja ose temperatura perceptohen më fort ose më dobët se normalisht.

Sipas rastit, çrregullimet e mësipërme mund të shfaqen në njërën anë ose në të dy anët e trupit.

Dëmtimi i nervave (neuropatia) shkakton dhimbje tipike, çrregullime të ndjeshmërisë dhe një dobësi që arrin deri në paraliza muskulare, sepse muskujt kontrollohen nga nervat. Kur preken shumë nerva, bëhet fjalë për polineuropati, ndërsa në rastet kur është prekur vetëm një nerv flitet për mononeuropati.

Simptomat shoqëruese të çrregullimeve të ndjeshmërisë janë: dhimbjet, kufizimi i lëvizjeve, dobësia muskulare, paraliza.

Shkaqet më të shpeshta të dëmtimeve afatgjata të nervave, që çojnë në çrregullime të ndjeshmërisë tek gjymtyrët, janë diabeti i sheqerit dhe abuzimi me alkoolin. Megjithatë, në origjinën e këtyre çrregullimeve mund të jenë edhe sëmundje të tjera të sistemit nervor, të aparatit loko-motor (psh.një hernie diskale), çrregullimet e qarkullimit, çrregullimet hormonale (kryesisht të gjendrës tiroide), sindroma e mungesës vitaminike dhe shkaqe të tjera. Në disa raste, nuk gjendet asnjë shkak i mundshëm i çrregullimeve të ndjeshmërisë.

Dëmtimet e një nervi të vetëm (mononeuropatia) shkaktohen më shpesh nga një presion i ushtruar mbi nervin, një inflamacion, një intoksikacion (nga metalet e rënda) ose dëmtimi i nervit gjatë një aksidenti ose operacioni.

Ndjesia e shpimit të gjilpërave tek gjymtyrët, që shfaqet në mënyrë të papritur dhe kalimtare, mund të jetë simptomë e një krize migrenoze, stresit ose panikut (që shkaktojnë hiperventilim ).

Shkaqet e çrregullimeve të ndjeshmërisë në krahët dhe këmbët janë:

  • Çrregullimet e qarkullimit tek gjymtyrët
  • Variçet, venat varikoze
  • Ataku cerebral
  • Migrena
  • Diabeti i sheqerit, me kontrroll të keq të glicemive
  • Funksioni i pamjaftueshëm i gjendrës tiroide (hipotireoza )
  • Hernia diskale
  • Shtypja e nervit: sindroma e tunelit karpal, ishialgjia
  • Skleroza multiple
  • Sëmundja e Parkinsonit
  • Abuzimi me alkoolin
  • Sëmundjet infeksioze me natyrë virale (si psh.Herpes zoster) ose bakteriale (si psh.Borrelioza)
  • Sindroma e këmbëve të shqetësuara
  • Lëndimet (plagosjet) me dëmtim të nervit: luksacioni i shpatullës, fraktura e humerusit, e parakrahut, traumat e qafës
  • Morthi
  • Sindroma e mungesës vitaminike (Vitamina B12 ), mungesa në magnezium ose në hekur
  • Hiperventilimi
  • Krizat e frikës ose panikut
  • Tumoret e trurit ose të palcës kurrizore
  • Spina bifida
  • Efektet dytësore të një medikamenti të përdorur, ose pas një kimioterapie
  • Intoksikacioni nga metalet e rënda

Në përgjithësi, një mënyrë e shëndetshme jetese, në rastin e disa sëmundjeve, ndihmon në parandalimin e çrregullimeve të ndjeshmërisë tek gjymtyrët. Kjo vlen veçanërisht për personat e diagnostikuar me sëmundje që shkaktojnë polineuropati, si diabeti i sheqerit dhe alkoolizmi.

Më poshtë paraqiten disa masa të përgjithshme, që ndihmojnë në parandalimin e këtyre çrregullimeve:

  • Evitimi i alkoolit
  • Ushqyerja e shëndetshme dhe aktiviteti fizik i rregullt
  • Rënia në peshë, në rastin e mbipeshës trupore dhe obezitetit
  • Evitimi i nikotinës
  • Tek diabetikët: kontrrolli korrekt i nivelit të sheqerit në gjak, informimi i diabetikëve rreth ushqyerjes dhe parandalimit të ndërlikimeve kronike të diabetit në organizëm.

Çrregullimet e ndjeshmërisë në gjymtyrët, që shfaqen papritur dhe me intensitet të lartë, që përsëriten ose zgjasin për kohë të gjatë, duhet të egzaminohen patjetër nga një mjek. Gjithashtu, konsulta me mjekun rekomandohet edhe në rastet me çrregullime të ndjeshmërisë në krahë dhe këmbë pas një dëmtimi (nga një rrëzim, goditje, etj.)

Aksidenti vaskular cerebral është një urgjencë!

Mpirja e papritur e njërës gjysmë të trupit (krahut, këmbës, gjysmës së fytyrës ose gojës) është gjithmonë sinjal alarmi i një goditjeje të mundshme cerebrale. Shenjat e tjera janë: dhimbje koke, marrje mendsh, të përziera, çrregullime të të folurit dhe shikimit, si dhe mpirjet. Edhe nëse simptomat zhduken pas një periudhe të shkurtër kohore, personi duhet të paraqitet në urgjencën spitalore.

Me cilin mjek duhet të konsultoheni?

  • Mjeku i familjes
  • Mjeku internist
  • Mjeku neurolog
  • Mjeku ortoped
  • Mjeku dermatolog
  • Mjeku i urgjencës

Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.

Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:

  • Pyetjet e lidhura me çrregullimet e ndjeshmërisë në gjymtyrët: kur janë shfaqur fillimisht, në mënyrë të menjëhershme apo progresive, tipet e mpirjes (gudulisje, djegie apo ngrirje), manifestohen në një apo disa pjesë të trupit, nëse janë të përhershme apo në disa momente apo disa situata, nëse varen nga temperatura, çfarë i përkeqëson apo i lehtëson simptomat, etj.
  • Njohja me simptomat shoqëruese (shih më sipër)
  • Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme (sëmundje të njohura të zemrës dhe mushkërive), përfshirë aksidentet dhe operacionet.
  • Informimi mbi sëmundjet ose shkaqet e vdekjeve në familjen e pacientit
  • Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
  • Informimi lidhur me ndonjë alergji të mundshme
  • Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
  • Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, nikotina, drogat), stresi, etj.

Egzaminimi klinik

Ky egzaminim përfshin vlerësimin e përgjithshëm klinik të pacientit dhe egzaminimin neurologjik të tij, që ka për qëllim të vlerësojë funksionet nervore. Konkretisht, mjeku vlerëson forcën, reflekset, çrregullimet e ndjeshmërisë dhe koordinimin e lëvizjeve.

Egzaminime të tjera specifike diagnostike:

  • Elektroneurografia (vlerësimi i shpejtësisë së përçimit të impulsit nervor, që tregon shkallën e dëmtimit të nervave)
  • Elektromiografia (Vlerësimi i aktivitetit muskular, që teston ndërveprimet ndërmjet muskujve dhe nervave që i inervojnë)
  • Analizat e gjakut
  • Egzaminimi radiografik
  • Egzaminimi ekografik
  • Skaneri (CT)
  • Biopsia nervore
Më tepër informacione lidhur me diagnozën mund të gjeni në informacionet kryesore të sëmundjeve përkatëse.

Trajtimi i çrregullimeve të ndjeshmërisë në krahë dhe në këmbë varet nga shkaku. Më poshtë paraqiten mënyrat e ndryshme të trajtimit:

Trajtimi i sëmundjes shkaktare:

  • Tek diabetikët: kontrrolli optimal i glicemisë, edukimi diabetik
  • Në rastin e infeksioneve bakteriale, rekomandohen antibiotikë për trajtimin e tyre
  • Në sëmundje inflamatore: tabletat ose injeksionet me kortizonikë
  • Kompensimi i mungesës së vitaminës B12
  • Trajtimi i varësisë nga alkooli

Medikamentet

Në rastin e dhimbjeve të shkaktuara nga nervat, shpesh medikamentet analgjezike klasike nuk ndihmojnë. Për të lehtësuar dhimbjet, shpesh mund të ndihmojnë medikamentet antidepresive ose antiepileptikët. Në rastet e vështira, mjeku mund të rekomandojë përdorimin e medikamenteve opioide (për dhimbje të forta).

Forma të tjera trajtimi:

  • Fizioterapia, gjimnastika terapeutike
  • Elektroterapia (stimulimi i nervave me rrugë elektrike nënlëkurë/terapia me ultratinguj)
  • Përdorimi i ortezave, këpucëve ortopedike, etj. për të lehtësuar dhe stabilizuar gjymtyrët.
  • Banjat e nxehta dhe të ftohta të alternuara, aplikimi i kompresave të nxehta ose të ftohta.
  • Psikoterapia / terapia e sjelljes për të përballuar më mirë dhimbjen kronike.

Operacionet

Në rastin e tumoreve dhe dëmtimeve të fijeve nervore ose që shtypin nervat (hernie diskale), mund të planifikohet ndërhyrja kirurgjikale.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...