logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Çrregullimi maniako-depresiv: luhatje emocionale.
Çrregullimi maniako-depresiv: luhatje emocionale.

Mania mund të përkufizohet si fenomeni i kundërt i depresionit. Personat e prekur prej saj karakterizohen nga energji, ndjenja dhe impulse të tepërta. Ata përshkruhen nga familjarët dhe miqtë e tyre si persona të qeshur, të gëzuar, euforikë dhe komunikues, por gjithashtu shpesh edhe si persona të irrituar, agresivë dhe grindavecë.

Sëmundja e çrregullimit bipolar karakterizohet nga episode maniakale, të cilat shumë shpesh alternohen me episode depresive. Pikërisht për këtë arsye është emërtuar çrregullim emocional bipolar, ose çrregullim maniako-depresiv.

Një episod maniakal mund të shfaqet në mënyrë të menjëhershme, brenda një kohe shumë të shkurtër ose të zhvillohet për disa javë, madje edhe muaj. Kohëzgjatja e të tilla episodeve është tepër e ndryshueshme, ajo shtrihet përgjithësisht nga 4-6 muaj. Në pjesën më të madhe të kohës, këto episode zhduken plotësisht, por ndiqen shpesh nga episode depresive të përkohshme. 

Personat me simptoma të lehta maniakale quhen "hipomaniakë".

Pacientët me çrregullim emocional bipolar (maniako-depresiv) paraqesin këto simptoma:

  • Çrregullime të humorit: një person maniakal është euforik pa arsye. Kjo eufori mund të shndërrohet shumë shpejt në irritim dhe agresivitet (disfori).
  • Impulsiviteti dhe hiperaktiviteti: manifestohen me një nevojë të tepruar për të folur, për të lëvizur dhe për të vepruar (në aspektin shoqëror, profesional dhe seksual) ose një rënie të nevojës për gjumë.
  • Fluturimi i ideve: këta pacientë shprehin mendime të shpejta, paqëndrueshmëri në aktivitetet dhe projektet e tyre, mosfrenim ose eufori, humbje të sensit kritik dhe vetëvlerësim të tepruar, që çon në sjellje të papërgjegjshme dhe të pamatura (drejtimi i makinës me shpejtësi tepër të madhe, kryerja e shpenzimeve të pamatura dhe partnerët e shumtë seksualë). Këto ide të madhështisë mund të arrijnë deri në shfaqen e megalomanisë.
  • Një shenjë tipike e sëmundjes është fakti që pacientët maniakalë nuk ndihen të sëmurë gjatë kalimit të krizës maniakale (mungesa e pranimit të sëmundjes nga pacienti).
Mania: a fshihet ndonjë përdorim medikamentesh ose substancash të tjera pas kësaj simptome?
Mania: a fshihet ndonjë përdorim medikamentesh ose substancash të tjera pas kësaj simptome?

Diagnoza e çrregullimit emocional bipolar (maniako-depresiv) bazohet në informacionin e përftuar nga mjeku specialist psikiatër, pas kontaktit të tij të drejtpërdrejtë dhe tepër të kujdesshëm me pacientin, dhe konstatimeve të tij klinike mbi mënyrën e sjelljes dhe deklaratat e këtij të fundit. Gjithashtu, të dobishme në këtë drejtim konsiderohen edhe informacionet dhe vëzhgimet e familjarëve ose miqve të pacientit, të cilat e ndihmojnë mjekun për vendosjen e diagnozës.

E rëndësishme: përpara se të vendoset përfundimisht diagnoza e çrregullimit emocional bipolar, mjeku psikiatër duhet të përjashtojë mundësinë e një abuzimi me drogat, konsumin e substancave të tjera, si dhe sëmundje të tjera fizike që mund të jenë përgjegjëse për simptomat dhe sjelljet e pacientit.

 

Mania: trajtimi ime medikamente ndihmon në stabilizimin e saj.
Mania: trajtimi ime medikamente ndihmon në stabilizimin e saj.

Trajtimi i pacientëve me çrregullim emocional bipolar (maniako-depresiv) është i ndryshëm, në varësi të situatës, nëse bëhet fjalë për krizë maniakale akute (të menjëhershme) apo për fazën pas saj.

Trajtimi i krizës

Në fazën akute, pra gjatë episodeve të krizave maniakale, proçesi i trajtimit të pacientit mund të jetë tepër i komplikuar, pasi ai nuk e kupton dhe nuk e pranon që është i sëmurë dhe ka nevojë për trajtim. Në rastet kur pacienti përbën rrezik për veten dhe/ose për të tjerët, ai duhet të mbahet i izoluar në një insitucion të specializuar psikiatrik, me ose pa pëlqimin e tij.

Trajtimi bazë

Për të parandaluar një episod të ri maniakal, pacienti duhet t’i nënshtrohet një trajtimi afatgjatë. Për shkak të efekteve të padëshiruara të tyre, medikamentet neuroleptike nuk duhet të përdoren për periudha të gjata kohore. Pra, ata rekomandohen vetëm gjatë episodit maniakal, duke ulur dozën në mënyrë progresive. Pas kësaj faze, rekomandohet trajtimi me litium (ose me karbamazepinë), që duhet të vazhdojë për të paktën 2-3 vjet, madje edhe më gjatë në rastet e depresioneve pasuese. 

E rëndësishme: në rastet e trajtimit me medikamentet e përmendura më sipër për periudha të gjata kohore, duhet të maten rregullisht nivelet e këtyre medikamenteve në gjak. Gjithashtu, përpara fillimit të trajtimit me litium, mjeku specialist psikiatër duhet t’i shpjegojë pacientit se cilat janë shenjat e një mbidozimi të tij.

Shenjat e një mbidozimi të litiumit:

  • Të përziera
  • Të vjella
  • Çrregullime të shikimit
  • Plogështi
  • Dëmtime të veshkave
  • Ngërçe muskulare
  • Gjendje të komës (humbje të vetëdijes)

Masat e përgjithshme

Në rastin e personave me çrregullime bipolare, duhet patur parasysh:

  • Mbrojtja e tyre nga faktorët e jashtëm ngacmues
  • Në aspektin shoqëror, është mjaft e rëndësishme marrja në konsideratë seriozisht e këtyre personave, pavarësisht natyrës maniakale të sjelljes së tyre.
  • Në rastin e hiperaktivitetit, rekomandohet përfshirja e pacientit në veprimtari të ndryshme, që të mund të normalizojë ritmin e lëvizjeve.
  • Të normalizohet ritmi i gjumit, duke evituar pagjumësinë. 

Medikamentet

Gjatë episodeve maniakale të menjëhershme (krizave akute), është i domosdoshëm trajtimi me medikamente. Më të përdorshmet janë medikamentet neuroleptike dhe litiumi. Si medikamente alternative përmendim acidin valproik dhe benzodiazepinat. 

Masat Psikologjike

Psikoterapia: Pas kalimit të episodeve maniakale, pacientët ndihen shpesh të turpëruar për sjelljen e tyre gjatë krizës akute. Në këtë fazë janë tepër të nevojshme seancat e psikoterapisë, gjatë të cilave ai mund ta kapërcejë ndjenjën e turpit. Për këtë arsye, kjo mënyrë e trajtimit rekomandohet për pacientët maniakalë, pas kalimit të fazës së krizës (episodit maniakal).

Çrregullimi emocional bipolar (maniako-depresiv) karakterizohet nga instalimi i episodeve maniakale për disa javë ose muaj me radhë, ose edhe nga shfaqja e menjëhershme e tyre (akute). Kohëzgjatja e këtyre episodeve është e ndryshme, mesatarisht 4-6 muaj. Përgjithësisht, episodet maniakale zhduken plotësisht, por shpesh pasohen nga episode depresive kalimtare.

Çrregullimi emocional bipolar (maniako-depresiv) mund të shkaktojë:

  • Probleme shoqërore, në aspektin e marrëdhënieve me të tjerët, në atë profesional dhe ekonomik. Si në mjedisin familjar, ashtu edhe në atë shoqëror, personat bipolarë përgjigjen shpesh me sjellje kriminale ndaj keqkuptimeve dhe refuzimeve.
  • Abuzim me drogat dhe alkoolin
  • Pagjumësi
  • Indiferentizëm
  • Ndërlikime kardio-vaskulare (me zemrën dhe enët e gjakut)

Pas një episodi maniakal, shkalla e rrezikut për vetëvrasje është tepër e lartë, për shkak të ndjenjës së fajit, turpit, ose të një episodi depresiv pasues.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.