Angina pektoris (Dhimbja e kraharorit nga zemra)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Ngushtimi i arterieve koronare çon në një furnizim të pamjaftueshëm me oksigjen të muskulit të zemrës (miokardit). Në varësi të shkallës së këtij ngushtimi, mund të shfaqet angina pectoris, infarkti i miokardit, insufiçienca kardiake (dobësimi i punës së zemrës), ose një vdekje e papritur me origjinë nga zemra (kardiake).
Në vendet e zhvilluara, dëmtimi i arterieve koronare është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve. Ky fenomen është më i shpeshtë tek meshkujt, sesa tek femrat.
Format e angina pectoris janë:
- Angina e sforcimit (efortit)
- Angina e natës (nocturne)
- Angina pectoris e paqëndrueshme
- Angina pectoris e qëndrueshme
- Angina pectoris rezistente ndaj mjekimit
Në origjinën e një angine pectoris mund të jetë grumbullimi i kalciumit dhe yndyrnave në nivelin e mureve të arterieve koronare. Bëhet fjalë për një proçes normal të plakjes, arteriosklerozën, që mund të jetë përshpejtuar nga faktorë të ndryshëm të rrezikut.
Faktorët e rrezikut që mund të çojnë në zhvillimin e arteriosklerozës janë:
- Rritja e nivelit të kolesterolit në gjak, rritja e presionit të gjakut (hipertensioni arterial) dhe diabeti i sheqerit
- Duhanpirja
- Mbipesha trupore
- Mungesa e aktivitetit fizik
- Trashëgimia
Sëmundjet që mund të favorizojnë shfaqjen e një angine pectoris janë:
- Funksioni i shtuar i gjendrës tiroide (hipertireoza)
- Çrregullimet e ritmit të zemrës (aritmia)

Tabloja klinike tipike e një angine pectoris konsiston në një dhimbje shtrënguese në gjoks, që referohet shpesh si një shtypje prapa kafazit të kraharorit, që shoqërohet me çrregullime të frymëmarrjes. Këto shqetësime mund të shfaqen shpesh gjatë sforcimit, por në forma më të përparuara të sëmundjes, ato mund të shfaqen edhe në gjendje qetësie ose në situata stresante.
Gjithashtu, pacienti mund të ankohet për:
- Ndjesi të shtrëngimit dhe të mbytjes në nivelin e qafës, e ngjashme me një gjendje ankthi
- Vështirësi e menjëhershme në frymëmarrje
- Ndjesinë e rëndesës dhe humbjes së ndjeshmërisë (mpirjes) në nivelin e krahut, shpatullës, bërrylit ose dorës (më shpesh në anën e majtë).
Përveç këtyre simptomave tipike, gjatë anginës pectoris mund të konstatohen edhe simptoma të tjera, që normalisht janë karakteristike për sëmundjet e stomakut, problemet e dhëmbëve, etj. Si të tilla mund të përmendim dhimbjen, rëndesën ose të përzierat në stomak, apo dhimbjen ose mpirjen në nivelin e nofullës.
Faktorët shpërthyes të një krize anginoze janë:
- Sforcimi fizik pas ngrënies
- Sforcimi fizik në mot të ftohtë
- Stresi
Për diagnostikimin e saktë të anginës pectoris nevojiten:
- Evidentimi nga mjeku i simptomave të pacientit
- Elektrokardiograma (EKG), Ergometria (EKG gjatë sforcimit)
- Ekokardiograma (ekografia e zemrës)
- Shintigrafia e miokardit
- Analizat e gjakut për të përjashtuar një sëmundje tjetër
- Angiografia e koronareve (injektimi i lëndës së kontrastit në arteriet koronare)

Është thelbësore që të trajtohen sëmundjet kryesore dhe faktorët e rrezikut, që mund të shkaktojnë arteriosklerozën e enëve koronare. Kështu, trajtimi i këtyre rasteve duhet orientuar drejt: uljes së presionit të gjakut, të nivelit të kolesterolit në gjak, rënies në peshë, ndërprerjes së duhanit, trajtimit korrekt të diabetit të sheqerit, të sëmundjeve të tiroides, aktivitetit fizik dhe sporteve me efekt relaksues ndaj stresit.
Trajtimi medikamentoz- Derivatet e nitrateve (nitroglicerina -trinitrina): shkaktojnë zgjerim të enëve koronare. Ato përdoren në raste urgjente. Efektet kryesore të padëshiruara të tyre janë: skuqja e fytyrës, dhimbjet e kokës, rënia e tensionit arterial.
- Molsidomina: rrit shkallën e furnizimit me gjak të arterieve koronare. Ajo ka veprim të zgjatur dhe ndihmon në parandalimin e shfaqjes së krizës anginoze.
- Betabllokuesit: normalizojnë ritmin e zemrës.
- Antagonistët e kalciumit: ulin shkallën e konsumit të oksigjenit nga muskuli i zemrës, duke ulur në këtë mënyrë dhe shpeshtësinë e krizave anginoze.
Ndërhyrjet kirurgjikale kryesore në varësi të shkallës së sëmundjes, janë:
- Angioplastika (zgjerimi i enëve koronare nëpërmjet ballonit)
- Stenda e koronareve: vendosja e një pajisjeje artificiale në muret e arterieve koronare.
- Operacioni i baipasit: anashkalimi i një arterieje të ngushtuar, duke përdorur indin e një vene periferike, dhe në raste të jashtëzakonshme, indin e një arterieje (arteria e gjirit).
Në rastet e trajtuara në mënyrë konservatore, pa ndërhyrje kirurgjikale, medikamentet duhet të merren në mënyrë tepër të rregullt, sipas rekomandimit të mjekut. Në këtë mënyrë, këta pacientë mund të bëjnë një jetë normale për shumë vite, pavarësisht anginës pectoris.
Gjithsesi, nëse simptomat lehtësohen pak ose aspak pas marrjes së nitroglicerinës, duhet të kryhet konsulta urgjente me mjekun specialist kardiolog. Në këtë rast, mund të bëhet fjalë për një anginë pectoris të paqëndrueshme, që mund të jetë shenja paralajmëruese e një infarkti të miokardit.

Medikamentet e rekomanduara për trajtimin e hipertensionit arterial, diabetit ose kolesterolit të lartë, duhet të merren në mënyrë të rregullt.