Gurët e veshkave (Nefrolitiaza)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Gurët e veshkave janë formacione të ngjashme me gurët, që zhvillohen në nivelin e veshkave, të legenit dhe të rrugëve urinare. Ata formohen si rezultat i precipitimit të substancave që normalisht duhet të eleminohen nëpërmjet urinës.
Gurët më të shpeshtë janë ata që përbëhen nga oksalati i kalciumit. Më rrallë konstatohen gurët e përbërë nga fosfati i kalciumit, cistina ose acidi urik. Ata janë dy herë më të shpeshtë tek meshkujt sesa tek femrat.
Faktorët që favorizojnë formimin e gurëve në veshka janë:
- Mënyra e ushqyerjes, kur konsumohen ushqime tepër të pasura në proteina shtazore dhe në yndyrna, si dhe që përmbajnë oksalate (arrat, spinaqi, panxhari).
- Vëllimi i pakët urinar, që është pasojë e marrjeve të pamjaftueshme të lëngjeve gjatë ditës ose humbjes së tyre nëpërmjet djersitjes. Ky është shkaku kryesor i formimit të gurëve që përmbajnë kalcium.
- Infeksionet e rrugëve urinare, kur janë të shpeshta.
- Sëmundjet metabolike (si diabeti i sheqerit)
- Keqformimet ose ngushtimet e rrugëve urinare
- Mungesa e aktivitetit fizik
- Rënia e madhe në peshë

Kur gurët qëndrojnë në zonën e legenit, ata më pas mbeten të bllokuar në nivelin e ureterit, duke shkaktuar dhimbje të forta. Në këto raste bëhet fjalë për kolikën renale (të veshkës).
Simptomat e krizave të dhimbjes në veshka janë:
- Dhimbjet në zonën e belit dhe të shpinës, që janë të forta, të tipit shtrëngues (si ngërçe). Në rastin e gurëve të vendosur në thellësi të veshkës, dhimbjet mund të përhapen deri në pjesët gjenitale.
- Të përziera dhe të vjella.
- Mungesa e feçeve dhe gazrave (refleksi i bllokimit të zorrës).
- Prania e gjakut në urinë në pothuajse një të tretën e rasteve, për shkak se guri mund të ketë dëmtuar mukozën (shtresën e brendshme) të rrugëve urinare.
- Pakësimi i vëllimit të urinës së nxjerrë gjatë urinimit.
Nëse gurët mbeten të bllokuar në legen, ata mund të ndërlikohen me pielonefrit kronik.

Diagnoza e gurëve në veshka vendoset në bazë të:
- Simptomave të pacientit dhe historisë së fillimit të tyre.
- Analizës së urinës (prania e gjakut në urinë, shenjat e infeksionit).
- Egzaminimit ekografik të aparatit urinar
- Radiografive të sistemit urinar (me ose pa lëndë të kontrastit)
- Skanerit të barkut, i cili përjashton edhe mundësinë e sëmundjeve të tjera, me simptoma të ngjashme me ato që shkaktojnë gurët e veshkave.
Gurët e vegjël të veshkave shpërbëhen përgjithësit vetë, duke shkaktuar vetëm dhimbje të lehta në momentin e urinimit.
Në rastin e gurëve më të mëdhenj, trajtimi varet nga madhësia, tipi dhe pozicioni i gurit. Kështu, sipas rastit, mund të mjaftojnë vetëm disa masa të përgjithshme, të shoqëruara me medikamente, dhe në rast se ato nuk rezultojnë efikase, pacienti i nënshtrohet litotripsisë ose ndërhyrjes kirurgjikale.
Masat e përgjithshme
- Pirja e sasive të mëdha të lëngjeve gjatë ditës
- Kryerja e ushtrimeve të lehta gjimnastikore, që favorizojnë nxjerrjen e gurit.
Medikamentet
Për trajtimin e gurëve në veshka ndihmojnë:
- Liruesit e spazmave muskulare (tkurrjeve të pavullnetshme)
- Sipas rastit, gurët urinarë mund të treten edhe me ndihmën e medikamenteve (shkrirja e gurit- litoliza).
Operacionet
Trajtimi kirurgjikal i gurëve në veshka përfshin kryerjen e:
- Ureteroskopisë, që përdoret për rastet kur guri gjendet në nivelin e ureterit, nga ku nxirret me anën e një pajisjeje që quhet ureteroskop.
- Nefrektomisë, që është një operacion me hapje të jashtme në zonën e veshkës, që përdoret më rrallë për nxjerrjen e gurit prej saj.
Masat fizike
Shpërbërja e gurit nëpërmjet valëve goditëse (litotripsia) realizohet pasi përcaktohet vendndodhja e saktë e gurit me anën e ekografisë. Pasi copëtohet guri, pjesët e tij eleminohen nëpërmjet urinës. Kjo metodë nuk ka nevojë për asnjë hapje kirurgjikale në lëkurë.
Gurët e veshkave mund të ndërlikohen me:
- Pielonefrit (infeksion në veshka)
- Hidronefrozë (grumbullimin e ujit në veshka)
- Hemorragji
- Çrregullime të funksionit të veshkave (insuficienca renale)
Formimi i gurëve në veshka mund të parandalohet duke respektuar rregullat e mëposhtme:
- Të pihen sasi të mëdha lëngjesh gjatë ditës (të paktën 1,5 litra).
- Të ndryshohet mënyra e ushqyerjes, duke konsumuar më tepër ushqime të varfra në yndyrna dhe vezë, pasi këto favorizojnë formimin e gurëve, për shkak të aciditetit të lartë të urinës.
- Të evitohet konsumi i sasive të mëdha të ushqimeve që përmbajnë oksalate (arrat, spinaqi, panxhari). Nëse është e mundur, këto të kombinohen me ushqime të pasura në kalcium (djathi).
- Personat që vuajnë nga gurët e veshkave, duhet të konsultohen me një specialist dietolog për t’u informuar lidhur me mënyrën e tyre të ushqyerjes.