Faringoskopia (Nazofaringoskopia)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është faringoskopia?
Gjatë faringoskopisë, fyti dhe pjesa e pasme e hundës ndriçohen dhe ekzaminohen nga goja me një llampë të posaçme të mjekut Otojatër (Otorinolaringolog) dhe një pasqyrë të vogël të pjerrët ose një endoskop zmadhues. Kjo bën të mundur zbulimin e sëmundjeve të faringut, ku përfshihen tonsilat palatine (bajamet), qiellza e butë dhe uvula, si dhe ato të nazofaringut, tonsilat faringeale (polipet).
Faringoskopia është një ekzaminim i Otorinolaringologjisë.
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje të veçantë paraprake?
Faringoskopia mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë. Nëse është e nevojshme, mpihet më parë faringu me një sprai për fytin, për të pakësuar refleksin e të vjellit.
Si realizohet faringoskopia?
Faringoskopia realizohet me ndihmën e një pasqyre të vogël të pjerrët dhe një llampe ORL (që vendos mjeku ORL në kokë, në zonën e ballit, për ndriçim maksimal). Pasi pacienti nxjerr gjuhën, ajo tërhiqet dhe ulet me një spatul nga mjeku, derisa pasqyra të mund të bëjë të dukshëm murin e pasëm të fytit. Ky veprim ndihmon ndriçimin e fytit dhe pjesës së pasme të hundës, që të mund të shihen në pasqyrë. Faringoskopia me një endoskop zmadhues kryhet ose me gojë të hapur, duke përdorur një endoskop të hollë në formën e një tubi, ose në ditët e sotme kryhet nganjëherë edhe nëpërmjet një fibre optike të përkulshme e cila futet në grykë përmes hundës.
Kur përdoret faringoskopia?
Faringoskopia përdoret për diagnostikimin dhe kontrollin e trajtimit të sëmundjeve të fytit dhe të pjesës së pasme të hundës.
Arsyet më të zakonshme për kryerjen e faringoskopisë janë:
- Inflamacioni i fytit, faringiti
- Tonsiliti, amigdaliti, angina
- Hipertrofia e polipeve, adenoidet
- Tumoret e nazofaringut
- Keqformimet e faringut
- Trupat e huaj në faring ose dëmtimet e faringut
- Çrregullimet e funksionit të faringut
- Prania e sekrecioneve të pashpjegueshme me përmbajtje gjaku në mukozën (veshjen e brendshme) e hundës
- Keqformimi i lindur me çarje të buzës dhe të nofullës së sipërme (fente labio-palatine)
- Dhimbja e fytit
- Çrregullimet e gëlltitjes
- Ndjenja e trupit të huaj (ndjenja e topit) në fyt
A paraqet faringoskopia rreziqe apo efekte të padëshiruara?
Faringoskopia me një pasqyrë dhe një llampë ORL është plotësisht e padhimbshme dhe pothuajse e sigurt. Dëmtimet e mukozës së faringut janë jashtëzakonisht të rralla. Megjithëse për disa njerëz faringoskopia është e pakëndshme, për shkak të ndjesisë së të vjellit, kjo e fundit mund të pakësohet me përdorimin e një sprai për mpirjen e fytit.