logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Ethet janë gjithmonë një shenjë e sëmundjes dhe duhet të merren seriozisht
Ethet janë gjithmonë një shenjë e sëmundjes dhe duhet të merren seriozisht
Ethja i korrespondon rritjes së temperaturës trupore mbi vlerën 38°C. Nëpërmjet saj, organizmi reagon ndaj një sëmundjeje. Tek fëmijët, temperatura rritet përgjithësisht më shpejt se tek të rriturit.

Nëse temperatura trupore i kalon 37°C, flitet për temperaturë të lartë . Nëse ajo i kalon 38°C, bëhet fjalë për ethen.

Një temperaturë e lartë trupore lejon stimulimin e përgjigjes imunitare të trupit tonë kundrejt patogjenëve, duke ndihmuar kështu në shërimin e tij. Pikërisht për këtë arsye, një temperaturë lehtësisht mbi normën nuk duhet të ulet nëpërmjet medikamenteve. Vetëm temperatura tepër e lartë mund të jetë lodhëse për trupin tonë dhe për këtë arsye, duhet të ulet me anën e medikamenteve.

Njihen 5 tipe të ndryshme ethesh:

  • Ethja e vazhdueshme: është pak a shumë konstante dhe vazhdon për disa ditë.
  • Ethja me ndërprerje: temperatura trupore është e paqëndrueshme gjatë ditës, psh. është normale gjatë ditës dhe ngrihet në mbrëmje.
  • Ethja me alternime: pacienti ka periudha pa temperaturë, që alternohen me periudha të tjera me temperaturë të lartë.
  • Ethja me dy pika kulmore: disa ditë me temperaturë të lartë, që pasohen nga disa ditë me temperaturë normale, dhe më pas temperatura ngrihet përsëri.
  • Ethja e Pel-Ebstein: shfaqet në sëmundjen Hodgkin, gjatë së cilës temperatura qendrore e pacientit ngrihet dhe ulet në mënyrë ciklike për një ose dy javë.

Matja e temperaturës rektale është metoda më e saktë për të ditur nëse një person ka rritje të temperaturës, pasi ajo e mat më mirë temperaturën qendrore. Metodat e tjera (matja e temperaturës në gojë, në sqetull ose në vesh) janë më pak të sakta.

Çrregullimet shoqëruese: djersitje, afshe nxehtësie, të dridhura (gjatë ngritjes së temperaturës), dhimbje të kyçeve , dhimbje koke , shpeshtim i pulsit, çrregullim i qarkullimit të gjakut, shpejtim i ritmit të frymëshkëmbimit, ulje e oreksit, simptoma gripale (rrufë, kollë, ngjirje e zërit, vështirësi në gëlltitje ), ndjeshmëri e lartë ndaj dhimbjes, zhurmave dhe dritës, konvulsione (tek fëmijët e vegjël), lodhje, dobësi e përgjithshme, gjendje konfuzioni, çrregullime të gjumit, dehidratim, pakësim i urinës, etj.

Ethja është një reaksion trupor, që ka shumë shkaqe. Më shpesh, në origjinën e saj janë infeksionet virale ose bakteriale.

Shkaqet më të shpeshtë të ethes janë:

  • Sëmundjet infeksioze: gripi, bronkiti, pneumonia, sëmundjet e stomakut dhe të zorrëve, infeksionet urinare, sëmundjet e lëkurës dhe ato veneriane; sëmundjet fëminore(fruthi, rubeola, shytat, lija, skarlatina), sëmundjet pas udhëtimeve (malarja, ethja tropikale, virusi i Nilit perëndimor, ethja Lasa).
  • Hipertireoza
  • Efektet e padëshiruara të medikamenteve
  • Alergjitë
  • Rrezatimi, goditja nga dielli
  • Septicemia, infektimi i një plage të thjeshtë ose plage pas operacionit
  • Ethja e shkaktuar nga humbja ose mungesa e lëngjeve/vëllimit trupor
  • Sëmundja e kancerit
  • Sëmundjet autoimune të indit lidhor ose enëve të gjakut, sarkoidoza
  • Reumatizma ose artriti reumatoid

Disa këshilla për rastet me temperaturë të lartë:

  • Respektimi i regjimit të shtratit
  • Kryerja e matjeve të sakta të temperaturës (veçanërisht tek fëmijët, duke preferuar termometra plastikë)
  • Konsumi i sasive të mjaftueshme të lëngjeve
  • Të evitohet veshja trashë dhe mbulesat e trasha (grumbullojnë nxehtësi)
  • Të përdoren teknika për largimin e nxehtësisë (psh.kompresa të lagura me uthull, me akull, etj).
  • Të freskohet dhoma herë pas here, por të evitohen korrentet e ajrit
  • Përdorimi i medikamenteve për uljen e temperaturës të bëhet në dozën e duhur, të përshkruar nga mjeku ose në fletën shoqëruese të tyre.

Nëse jeni duke kaluar një gjendje gripale të thjeshtë, për sa kohë që temperatura nuk është ngritur shumë nuk është nevoja të konsultoheni me mjekun.

Me mjekun duhet të konsultoheni në situatat e mëposhtme:

  • Kur temperatura i kalon 39,5°C
  • Kur temperatura e lartë vazhdon për disa ditë, pa ndonjë shkak të dukshëm
  • Kur temperatura e lartë përsëritet
  • Kur temperatura e lartë shoqërohet me çrregullime të tjera serioze, si: dhimbje koke, dhimbje barku, dhimbje gjatë urinimit, ngrirje të qafës, përkeqësim të gjendjes së përgjithshme trupore.
  • Kur temeratura e lartë shfaqet tek personat që vuajnë nga sëmundje të zemrës, diabeti i sheqerit ose sëmundje të tjera të rëndësishme.
  • Kur temperatura e lartë shfaqet pas një udhëtimi (veçanërisht në zona tropikale)
  • Kur temperatura e lartë shfaqet tek fëmijët e vegjël, veçanërisht nëse shoqërohet me të vjella, diarre, dhimbje ose puçrra në lëkurë, konvulsione.
  • Çdo foshnje që shfaq temperaturë të lartë duhet të egzaminohet nga mjeku pediatër.

Me cilin mjek duhet të konsultoheni?

  • Mjeku i familjes (i përgjithshëm)
  • Mjeku internist
  • Mjeku pediatër

Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.

Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:

  • Pyetjet e lidhura me temperaturën e lartë dhe ecurinë e saj
  • Njohja e mjekut me çrregullimet shoqëruese
  • Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme.
  • Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
  • Informimi lidhur me ndonjë udhëtim të pacientit gjatë kohëve të fundit
  • Informimi lidhur me ndonjë alergji ose intolerancë ushqimore të mundshme të pacientit.

Egzaminimi fizik konsiston në:

  • Matjen e saktë të temperaturës
  • Matjen e tensionit arterial
  • Auskultacionin me stetoskop të mushkërive, zemrës dhe barkut

Egzaminime të tjera shtesë:

Më tepër informacion lidhur me egzaminimet mjekësore diagnostike mund të gjeni në informacionin e plotë mbi sëmundjet kryesore.

Trajtimi mjekësor i temperaturës së lartë bëhet sipas shkakut të saj. Kështu:

  • Nëse ajo shfaqet në kuadër të një infeksioni viral, masat e përgjithshme janë ato të përshkruara në rubrikën "Si duhet të veproni?"
  • Kur temperatura i kalon 38,5°C, duhet të përdoren medikamentet antipiretike për uljen e saj. Kjo duhet të shoqërohet edhe me kompresa të lagura, që ndihmojnë në largimin e nxehtësisë nga trupi.
  • Gjatë periudhave kur temperatura është e lartë, duhet të konsumohen sasi të mëdha lëngjesh, pasi trupi humbet sasi të mëdha lëngjesh dhe elektrolitesh gjatë djersitjes.
  • Nëse shkaku i temperaturës së lartë është një infeksion bakterial, duhet të përdoren antibiotikët.
  • Mykozat trajtohen me medikamente antimykotike .
  • Në rastet e sëmundjeve të tjera shkaktare të hipertermisë, si malarja, mund të nevojiten trajtime të tjera.
  • Tek fëmijët që kanë tendencë për konvulsione febrile, nuk duhet lejuar që temperatura trupore të ngrihet mbi 39°C. Për këtë, rekomandohet përdorimi i suposteve për uljen e temperaturës, si dhe aplikimi i kompresave të vazhdueshme.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...