Insuficienca renale kronike (Insufiçienca renale, IRK, Nefriti kronik)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Një individ i shëndetshëm ka dy veshka, të cilat janë përgjegjëse për nxjerrjen e urinës, rregullimin e ekuilibrit acido-bazik dhe ekuilibrin e lëngjeve në organizëm. Veshkat kryejnë edhe funksione të tjera, si: prodhimi i hormoneve dhe rregullimi i metabolizmit kockor.
Insufiçienca Renale Kronike (IRK) përfaqëson proçesin e uljes progresive të aftësisë së veshkave për të kryer funksionet e tyre, që pasohet nga çrregullimi i tensionit arterial, i metabolizmit të vitaminave dhe hormoneve, si dhe i mpiksjes së gjakut.
Në rastin e IRK, kjo ulje e funksionit të veshkave është më shpesh e parikthyeshme. Veshkat nuk janë më në gjendje të nxjerrin në sasinë e duhur toksinat (helmet) që gjenden në organizëm, duke çuar në grumbullimin e tyre në gjak (uremia).
IRK është pasojë e një sëmundjeje kronike, me ecuri të ngadaltë. Si pasojë e uljes graduale të funksionit të veshkave, eleminimi i toksinave të trupit dhe nxjerrja e ujit prej tij kanë nevojë për trajtim të veçantë. Pa trajtim, IRK mund të shkaktojë humbje përfundimtare (të përhershme) të funksionit të veshkave dhe të çojë në vdekjen e pacientit.
Rritja e numrit të sëmundjeve kronike ka shkaktuar një rritje të madhe të rasteve me IRK. Trajtimi vendoset për çdo rast, në përshtatje me shkakun dhe shkallën e sëmundjes.
Në pothuajse 15% të rasteve, shkaqet e IRK mbeten të pashpjeguara. Sëmundjet kronike shkaktojnë dëmtime të indit të veshkave, duke çuar kështu në një kufizim progresiv të funksionit të tyre.
Shkaqet e shpeshta të një uljeje graduale të funksionit të veshkave:
- Diabeti i sheqerit
- Hipertensioni arterial
- Inflamacioni i glomerulave (sistemit të kapilarëve ku filtrohet gjaku) të kores së veshkave (glomerulonefriti)
- Nefritet dhe pielonefritet kronike
- Dëmtimet e veshkave të shkaktuara nga hipertensioni
- Keqformimet e lindura të veshkës, me praninë e kisteve, që shkaktojnë një IR në moshën e rritur.
- Përdorimi i shpeshtë i medikamenteve qetësuese të dhimbjeve (antialgjikëve) dhe disa medikamenteve të tjera.
- Sëmundjet reumatizmale, si lupusi eritematoz.
- Tumoret e veshkës
Sëmundja e IRK (uljes graduale të funksionit të veshkës) përparon në katër stade:
Stadi I: karakterizohet nga sëmundja kronike e veshkave, e kompensuar mirë, me ulje të lehtë të funksionit të veshkës, me rezultate normale të analizave.
Stadi II: karakterizohet nga ulja e lehtë e funksionit të veshkave, me rritje të lehtë të nivelit të kreatininës në gjak, pa simptoma tek pacienti.
Stadi III: karakterizohet nga ulja e theksuar e funksionit të veshkave, ku niveli i kreatininës është mesatarisht i lartë në gjak, me shfaqjen e simptomave të rëndësishme tek pacienti.
Stadi IV: konsiderohet stadi përfundimtar (stadi uremik), ku niveli i kreatininës është shumë i lartë në gjak, me simptoma të rënda për pacientin. Në mungesë të trajtimit, në këtë stad pacienti mund të vdesë. Ky stad karakterizohet nga:
- Mbajtja e ujit në nivelin e indeve dhe më pas në nivelin e mushkërive.
- Çrregullime të sistemit të tretjes, me të përziera, të vjella, dhe diarre.
- Anemi
- Dhimbje të kockave
- Dhimbje muskulare
- Ngërçe muskulare
- Aromë karakteristike e urinës
- Aspekti i shkumës në urinë, për shkak të proteinave të pranishme në të (albuminuria).
- Ndryshimi i ngjyrës së urinës.
- Kruajtje në lëkurë.
- Humbje e ndjeshmërisë
- Çrregullimet e përqëndrimit (pështjellim), që mund të arrijnë deri në humbje të vetëdijes.
- Lodhje e theksuar trupore

Diagnoza e IRK vendoset nga mjeku specialist nefrolog, duke u bazuar në:
- Historinë e sëmundjes dhe simptomat e pacientit.
- Praninë e sëmundjeve kronike
- Analizat e gjakut, me matjen e nivelit të kreatininës dhe uresë në të
- Analizat e urinës
- Egzaminimi ekografik i veshkave
- Skaneri (tomodensitometria) i veshkave
- Radiografia e aparatit urinar me lëndë kontrasti
- Biopsia e indit të veshkave (në rastet e nevojshme)

Trajtimi i IRK (uljes graduale të funksionit të veshkave) varet nga shkaku dhe nga stadi i sëmundjes. Para së gjithash, duhet të trajtohet në mënyrë korrekte sëmundja kronike kryesore, që mund të jetë diabeti i sheqerit, hipertensioni arterial, inflamacioni, anemia, etj.
Masat e përgjithshme:
- Ushqyerja e përshtatshme, e bazuar në një regjim të varfër në proteina dhe në kalium, ul sasinë e uresë dhe kaliumit që nxirret nga organizmi. Regjimi i varfër në kripë nuk është i nevojshëm, përveç rasteve me hipertension arterial.
- Marrja e rregullt e lëngjeve, 2-3 litra në ditë.
- Kontrollet e rregullta të elektroliteve (natrium, kalium, klori dhe bikarbonatet) në gjak.
- Kontrolli i rregullt i peshës trupore. Kujdes: shtimi në peshë mund të jetë shenjë e mbajtjes së ujit në organizëm.
- Kufizimi i përdorimit të medikamenteve që qetësojnë dhimbjet (antialgjikëve).
Trajtimi me medikamente konsiston në:
- Përdorimin e shkarkuesëve (diuretikëve)
- Trajtimin e hipertensionit arterial
- Trajtimin e nivelit të rritur të kaliumit në gjak
- Trajtimin e dëmtimeve kockore
- Favorizimin e formimit të rruazave të kuqe të gjakut, në rastin e anemisë.
- Trajtimin e faktorëve të tjerë të rrezikut kardio-vaskular (të zemrës dhe enëve të gjakut), si lënia e duhanit, normalizimi i nivelit të yndyrnave në gjak, normalizimi i nivelit të sheqerit në gjak.
Trajtimi korrekt i sëmundjes kryesore dhe ndryshimi i mënyrës së ushqyerjes mund të ndihmojnë në evitimin e dëmtimeve të rënda të kockave, organeve dhe enëve të gjakut. Gjithsesi, përparimi i IRK e bën të pashmangshme kryerjen e proçedurave të tjera, si:
- Dializa që është në dy mënyra: hemodializa jashtë-trupore (realizohet me ndihmën e një aparati të posaçëm) dhe dializa peritoneale (realizohet me ndihmën e një kateteri). Hemodializa kryhet 2-3 herë në javë, për rreth 4 orë. Dializa peritoneale kryhet në vazhdimësi, pacienti është aktiv.
- Transplanti I veshkës, që ka për qëllim t’i sigurojë pacientit cilësi më të mirë të jetës. Shkalla e mbijetesës së pacientëve në 10 vjet është mbi 50%.
IRK (ulja graduale e funksionit të veshkave) ul jetëgjatësinë e pacientëve, veçanërisht në rastet e shkaktuara nga diabeti i sheqerit. Përgjithësisht, në të tilla raste pacientët vdesin nga një aksident kardio-vaskular (i zemrës dhe enëve të gjakut).
Parandalimi i IRK konsiston në trajtimin korrekt të sëmundjeve kronike, shkaktare të saj, si hipertensioni arterial, diabeti i sheqerit dhe inflamacionet kronike. Përveç kësaj, është mjaft e rëndësishme të evitohet përdorimi i shpeshtë i disa medikamenteve që qetësojnë dhimbjet (antialgjikët).