Kanceri pankreatik (Kanceri i pankreasit)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)
Kanceri i pankreasit është pasojë e shndërrimeve të tipit kanceroz të qelizave të pankreasit. Sëmundja është më e shpeshtë tek meshkujt dhe prek veçanërisht meshkujt e moshës 60-80 vjeç. Megjithatë, gjatë viteve të fundit është konstatuar shtim i numrit të rasteve me kancer të pankreasit në mosha më të reja.
Pankreasi është një organ që luan rol thelbësor në proçesin e tretjes së ushqimeve. Ai gjendet në mesin e pjesës së përparme të hapësirës së barkut, pak më lart se veshkat, pranë harkut të duodenit (zorrës së hollë), prapa stomakut. Ai përbëhet nga pjesa endokrine që është përgjegjëse për prodhimin e disa hormoneve (insulina, glukagoni) dhe pjesa ekzokrine që është përgjegjëse për prodhimin e enzimave pankreatike (enzimat tretëse).
Këto enzima tretëse janë proteaza, lipaza dhe amilaza pankreatike, dhe shërbejnë për zbërthimin e produkteve ushqimore që mbërrijnë në zorrën e hollë, që janë përkatësisht: proteinat, yndyrnat dhe sheqernat. Nëse funksioni i pankreasit çrregullohet, zbërthimi dhe tretja e këtyre produkteve do të jetë e pjesshme.
Ashtu si edhe për shumë kancere të tjerë, edhe për kancerin e pankreasit nuk njihet ende shkaktari. Megjithatë egzistojnë disa faktorë, që konsiderohen shpërthyes, duke luajtur një rol të rëndësishëm në shfaqjen e tij. Si të tillë mund të përmendim:
- Duhanpirjen e theksuar
- Konsumin e sasive të mëdha të alkoolit
- Pankreatitet kronike (inflamacionet kronike të pankreasit)
- Zverdhje e ngjyrës së lëkurës, e pashoqëruar me dhimbje
- Zverdhje e ngjyrës së lëkurës, e shoqëruar me kruajtje
- Dhimbje në stomak, që përhapet edhe në shpinë (jo gjithmonë)
- Mungesë e oreksit
- Të përziera, të vjella
- Rënie në peshë
- Ndjenjë pafuqie e theksuar
Për vendosjen e diagnozës së kancerit të pankreasit, rol mjaft të rëndësishëm luan njohja e mjekut me të dhënat klinike dhe simptomat që referon pacienti gjatë konsultimit të tij. Pas kësaj etape, janë të nevojshme:
- Ekzaminimi i barkut nëpërmjet prekjes (palpacionit) nga mjeku
- Ekografia e barkut
- Skaneri i barkut (Tomodensitometria)
- Ekzaminimi radiologjik endoskopik retrograd i rrugëve të tëmthit dhe pankreasit (Kolangio-pankreatografia retrograde endoskopike (ERCP): ky është një ekzaminim tepër i rëndësishëm, pasi mundëson eksplorimin e kanalit ku derdhet tëmthi dhe kanalit ku derdhen enzimat e pankreasit. Për realizimin e tij përdoret një sondë (endoskop) e lëvizshme, që depërton në stomak dhe në zorrën e hollë. Vrima fundore e kanalit kryesor të tëmthit dhe kanalit pankreatik, që gjenden në zorrën e hollë, mbushen më një lëndë kontrasti me anën e sondës. Pikërisht në këtë moment kryhen radiografitë, nëpërmjet të cilave bëhet i dukshëm kanali, duke u evidentuar ngushtimet apo bllokimet e mundshme të tij, që reflektohen në ndërprerjen e kalimit të lëndës së kontrastit.
- Laparoskopia
- Përcaktimi i nivelit të markuesve tumoralë në gjak (që jo vetëm ndihmojnë për diagnozën, por edhe për vlerësimin e ecurisë së sëmundjes gjatë trajtimit)
Nëse kanceri është i kufizuar vetëm në pankreas, kryhet heqja e plotë e tij. Meqenëse bëhet fjalë për një ndërhyrje kirurgjikale mjaft të vështirë, ajo duhet kryer nga kirurgë të specializuar në këtë drejtim.
Pankreasi mund të hiqet i gjithi ose pjesërisht. Për të realizuar këtë, kirurgu bën një prerje në pjesën e mesme të barkut. Veprohet në të njëjtën mënyrë sikurse edhe gjatë heqjes së pjesëve të stomakut, të zorrës së hollë ose të rrugëve të tëmthit. Pas operacionit, është e nevojshme kryerja e terapisë intensive. Megjithë kryerjen korrekte të operacionit dhe zbatimin e protokollit të ndjekjes së pacientit pas tij, shërimi është shpesh i pamundur.
Nëse në momentin e diagnostikimit, kanceri është përhapur në zonat përreth ose ka prekur organe të tjera nëpërmjet rrugëve të gjakut dhe atyre limfatike (metastaza), mund të nevojitet radioterapia (rrezatimi) ose kimioterapia (me medikamente), për të frenuar përhapjen e mëtejshme të tij dhe/ose për të lehtësuar dhimbjet. Në këtë stad, shërimi është gjithmonë i pamundur.
Në rastin e operacioneve të rënda, vdekshmëria gjatë operacionit është e rëndësishme (3%) dhe efektet e padëshiruara rreth 30-50%. Për më tepër, pacienti është i ekspozuar ndaj rreziqeve të përhershme që paraqet çdo ndërhyrje kirurgjikale, siç janë: vonesa në mbylljen e plagës, hemorragjitë, trombozat, infeksionet e plagës, temperatura dhe reaksionet alergjike ndaj disa medikamenteve ose garzave të përdorura.
Gjithashtu, mund të shfaqen edhe probleme me cikatrizimin (mbylljen) në nivelin e qepjeve të brendshme, ku veçanërisht delikate është qepja ndërmjet pankreasit dhe zorrës së hollë. Në rastin e heqjes së plotë të pankreasit, pacienti nuk mund të prodhojë më as enzima tretëse, as insulinë.
Kështu, pacientit do t`i duhet t`i zëvendësojë enzimat tretëse, duke i marrë ato nga goja në çdo vakt. Megjithatë, tretja dhe thithja e ushqimeve çrregullohet, dhe pacientët paraqesin shpesh probleme të stomakut dhe të zorrëve. Mungesa e insulinës kompensohet nëpërmjet injeksioneve të rregullta të saj, që duhet të vazhdojnë për gjithë jetën.