Tonometria (Matja e presionit brenda syrit, Matja e presionit të brendshëm të syrit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është tonometria?
Tonometria është një ekzaminim i syve, që shërben për matjen e presionit brenda tyre. Ajo kryhet ose me një sensor të vogël të matjes së presionit, të vendosur në sipërfaqen e syrit, ose me një pajisje që mat presionin brenda syrit pa kontakt me syrin (tonometri ajror). Matja e presionit të syve përdoret kryesisht për parandalimin dhe diagnozën e glaukomës.
Sytë kanë një presion të brendshëm të caktuar, i cili krijohet nga lëngu ujor, një lëng i qartë që prodhohet në sy dhe shkarkohet përmes një sistemi kanalesh. Presioni i syrit shprehet në milimetra shtyllë mërkuri (mm Hg). Presioni normal i syrit është midis 10 dhe 21 mm Hg dhe varet në veçanti nga momenti i ditës kur matet.
Tonometria është një ekzaminim i fushës së Oftalmologjisë.
A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë përpara tonometrisë?
Përpara se të kryhet tonometria, hidhen pika në sy, në mënyrë që të bëjnë sipërfaqen e syve të pandjeshme ndaj prekjes. Matja e presionit me tonometrin ajror (pa kontakt me sytë) mund të kryhet pa patur nevojë të hidhen pika në sy, pasi sipërfaqa e syrit nuk preket gjatë matjes.
Çfarë duhet të sqarohet përpara tonometrisë?
Nuk nevojitet asnjë sqarim i veçantë përpara kryerjes së tonometrisë.
Si realizohet tonometria?
Tonometria zgjat vetëm disa minuta dhe është krejtësisht e padhimbshme. Presioni i syrit mund të matet në dy mënyra:
- Matja e presionit të syrit me sondë (tonometria me kontakt): sipërfaqa e syrit është e pandjeshme në sajë të veprimit të pikave që janë hedhur paraprakisht në sy. Mjekra dhe balli mbështeten në aparatin e ekzaminimit (i quajtur llampa e ndarjes). Ajo është e pajisur me një sondë të vogël matëse që vendoset direkt në sipërfaqen e syrit dhe ushtron një presion të lehtë në sy. Proçesi i matjes mund të konsiderohet si një shkallë që mat presionin e nevojshëm për të sheshuar kokërdhokun e syrit në një nivel të caktuar. Mjeku e shënon këtë presion në një shkallë, dhe kjo vlerë korrespondon me presionin e brendshëm të syrit.
- Matja e presionit të syrit me tonometrin pa kontakt: Në këtë proçes, pikat në sy nuk janë të nevojshme sepse sipërfaqja e syve nuk preket. Pajisja shpërndan një rrymë të padhimbshme, të shkurtër por të fuqishme ajri mbi syrin e hapur. Kjo rrymë ajri e sheshon pak sipërfaqen e syrit. Pajisja regjistron këtë deformim të lehtë të syrit dhe llogarit presionin brenda syrit në përputhje me rrethanat.
Kur përdoret tonometria?
Ky ekzaminim shërben kryesisht për të diagnostikuar dhe kontrolluar trajtimin e glaukomës, si edhe për zbulimin e hershëm të saj.
Arsyet e shpeshta për kryerjen e tonometrisë janë:
- Glaukoma
- Inflamacionet e brendshme të syrit, uveiti
- Pas operacioneve të syrit
- Dëmtimet e syve
- Çrregullimet e pamjes, kufizimi i fushës së pamjes
- Sytë e kuq
A paraqet tonometria rreziqe ose efekte të padëshiruara?
Ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe me një shkallë të ulët rrezikshmërie. Tepër rrallë, kontakti i sensorit të matjes së presionit me sipërfaqen e syrit shkakton dëmtime të vogla në sipërfaqen e syrit ose infeksione të syrit (konjuktivit ose keratit). Pikat e syve mund të shkaktojnë një ndjesi djegieje të lehtë gjatë hedhjes brenda në sy. Pamja është e kufizuar për rreth gjysëm ore pas hedhjes së pikave, dhe për këtë arsye pacienti nuk duhet të drejtojë automjetin, derisa ky efekt të largohet.