Kanceri i fshikëzës së tëmthit (Karcinoma e vezikës biliare)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Kanceri i fshikëzës së tëmthit është një tumor i rrallë malinj i fshikëzës së tëmthit. Zakonisht shfaqet pas moshës 60 vjeç, dhe prek femrat më shumë se meshkujt. Meqënëse simptomat e këtij kanceri manifestohen vetëm në një fazë të përparuar të sëmundjes, shpesh ai mbetet i fshehur për një kohë të gjatë ose zbulohet rastësisht gjatë heqjes së fshikëzës së tëmthit për shkak të gurëve të pranishëm në të.
Në përgjithësi, kanceri i fshikëzës së tëmthit ka shanse relativisht të pakta shërimi, sepse shpesh zbulohet në fazën e përhapjes në organe të tjera, pra pasi ka lëshuar metastaza. Vetëm rreth 5% e njerëzve jetojnë më tepër se 5 vjet pas diagnostikimit me këtë tip kanceri.
Shkaqet e shfaqjes së kancerit të fshikëzës së tëmthit nuk janë të njohura saktësisht. Megjithatë, njihen disa faktorë që rrisin shkallën e rrezikut për zhvillimin e këtij kanceri.
Të tillë janë:
- Polipet beninje të fshikëzës së tëmthit, të cilët mund të degjenerojnë në kancer.
- Prania e gurëve në fshikëzën e tëmthit për vite të tëra, e shoqëruar me inflamacion të fshikëzës së tëmthit.
- Inflamacionet e përsëritura të fshikëzës së tëmthit, që shkaktojnë kalcifikimin e plotë të murit të brendshëm të saj. Një fshikëz e tillë e forcuar (fshikëza e porcelanit) zakonisht hiqet si një masë paraprake, pasi konsiderohet një fazë prekanceroze.
- Parazitët e pranishëm në rrugët e tëmthit
- Pirja e duhanit
- Mbipesha trupore
Kanceri i fshikëzës së tëmthit shkakton simptoma vetëm në një fazë të përparuar të tij. Kjo është arsyeja pse ky kancer zbulohet shumë vonë. Shpesh, ne momentin e diagnostikimit, kanceri ka lëshuar metastaza (vatra dytësore) në bark, kryesisht në mëlçi. Në këtë stad, shërimi nuk është më i mundur.
Simptoma të mundshme të kancerit të fshikëzës së tëmthit janë:
- Simptomat e para jospecifike, që mund të hasen edhe në sëmundjet e tjera të sistemit të tretjes, si: humbja e vazhdueshme e oreksit, dobësia trupore, të përzierat, të vjellat, diarrea.
- Ndjenja e vazhdueshme e presionit në pjesën e sipërme të barkut.
- Më pas, ikteri (verdhëza) pa dhimbje: shkaktohet nga mbajtja e lëngut të tëmthit në mëlçi dhe për pasojë edhe në gjak. Ngjyrosja në të verdhë e konjuktivës (pjesës së bardhë të syrit) dhe lëkurës, me prurit (kruajtje) tepër të shprehur. Jashtëqitjet bëhen të ndritshme dhe urina ngjyroset në kafe të errët.
- Simptomat e përgjithshme të një sëmundjeje kanceroze: rënia e konsiderueshme në peshë brenda pak muajve, djersitja gjatë natës, ethet me origjinë të papërcaktuar.
- Në disa raste, vëllimi i fshikëzës së tëmthit rritet dhe ënjtja është e dukshme në zonën e barkut.
Fillimisht, mjeku informohet në mënyrë të detajuar mbi ankesat aktuale dhe sëmundjet e kaluara nga pacienti (anamneza). Për vendosjen e diagnozës së kancerit të fshikëzës së tëmthit, janë tepër të rëndësishëm faktorët e rrezikut të listuar me sipër, të cilët mjeku i kërkon gjatë komunikimit me pacientin dhe familjarët e tij.
- Ekzaminimi fizik: përfshin palpacionin e pjesës së sipërme të barkut, gjatë të cilit në disa raste tumori mund të preket.
- Testi i gjakut: disa tregues të gjakut mund të jenë të rritur dhe tregojnë mbajtjen e lëngut të tëmthit në trup. Këto përfshijnë fosfatazën alkaline (FA) dhe bilirubinën (Bb).
- Ekografia e barkut: lejon të vlerësohet p.sh. një rritje në vëllimin e fshikëzës së tëmthit, mbajtjen e lëngut të tëmthit, gurët e pranishëm në fshikëzën e tëmthit ose në rrugët e tëmthit, kalcifikimin e murit të brendshëm të fshikëzës së tëmthit dhe gjendjen e mëlçisë.
- Kolangio-pankreatografia Retrograde Endoskopike: vlerësimi endoskopik i fshikëzës së tëmthit dhe rrugëve të tëmthit me lëndë kontrasti. Gjatë ekzaminimit, mund të realizohet dhe biopsia e indeve.
- Ekzaminimet imazherike: Skaneri (CT) dhe rezonanca magnetike (MRI) përdoren për të përcaktuar saktësisht madhësinë e kancerit, dhe për të identifikuar metastaza të mundshme të tij në organe të tjera.
Trajtimi i kancerit të fshikëzës së tëmthit varet kryesisht nga faza e sëmundjes, mosha e pacientit dhe situata e tij individuale.
Operacioni
Në rastin e diagnostikimit të kancerit të fshikëzës së tëmthit në një fazë të hershme, operacioni luan një rol vendimtar. Nëse tumori mund të hiqet plotësisht, shërimi është i mundur. Si rregull i përgjithshëm, në këtë rast kryhet heqja e fshikëzës së tëmthit dhe një pjese të mëlçisë. Shumë shpesh, operacioni nuk është i mundur për shkak të përparimit të kancerit. Në të tilla raste, trajtimi kufizohet në zbutjen e simptomave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientit (p.sh. operacioni kryhet për të zvogëluar masën tumorale ose për të hequr metastazat).
Trajtimi i kancerit të avancuar të fshikëzës së tëmthit synon të frenojë rritjen e tumorit sa më shumë që të jetë e mundur. Meqenëse mbajtja në organizëm e lëngut të tëmthit është një shkak veçanërisht i rëndësishëm i ndërlikimeve, është gjithashtu e mundur, përmes masave të përshtatshme, të parandalohet kjo mbajtje, apo edhe të frenohet ajo. Për këtë qëllim, mund të bëhet një lidhje midis kanalit biliar kryesor dhe zorrës, ose në kanalin e bllokuar biliar mund të futet një tub i vogël (stent). Ekziston gjithashtu mundësia për ta zbrazur jashtë lëngun e tëmthit.
Radioterapia dhe kimioterapia
Terapia e rrezatimit (radioterapia) mund të jetë e dobishme para operacionit për të zvogëluar madhësinë e tumorit, pra për të lehtësuar heqjen e tij. Pas operacionit, çdo qelizë kanceroze ende e pranishme mund të shkatërrohet nëpërmjet radioterapisë. Në disa raste mund të përdoret kimioterapia, që kombinon përbërës të ndryshëm aktivë. Gjithsesi, kanceri i fshikëzës së tëmthit nuk i përgjigjet mirë kimioterapisë.
Terapia fotodinamike (fotokimioterapia)
Ky trajtim inovativ së pari përfshin injektimin e një përbërësi aktiv të caktuar që grumbullohet në qelizat e kancerit dhe e bën tumorin të ndjeshëm ndaj rrezatimit me lazer. Në një fazë të dytë, qelizat e kancerit shkatërrohen nga brenda nga rrezet lazer të projektuara me ndihmën e një sonde.
Meqenëse shkaqet e sakta të kancerit të fshikëzës së tëmthit nuk janë ende të njohura saktësisht, parandalimi i tij konsiston kryesisht në shmangien e faktorëve të rrezikut, të tillë si mbipesha trupore ose pirja e duhanit.