logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Diarreja akute është zakonisht një reagim mbrojtës i trupit për të hequr mikrobet
Diarreja akute është zakonisht një reagim mbrojtës i trupit për të hequr mikrobet
Shpeshtësia e jashtëqitjes dhe forma e feçeve (materialeve të jashtëqitura) janë karakteristika tepër individuale. Flitet për diarre kur një person ka defekuar (jashtëqitur) më shumë se tre herë gjatë një dite.

Diarrea përfaqëson jashtëqitjen e një sasie feçesh të paformuara mirë, të ujshme, shpesh në sasi të madhe.

Ajo mund të shoqërohet me gjak, me mukus të bardhë, ose me qelb.

Diarrea mund të jetë akute ose kronike. Më shpesh, një diarre akute është një mekanizëm mbrojtës i organizmit, me qëllim që të eleminojë sa më shpejt bakteret ose toksinat që janë futur në të. Në përgjithësi, diarrea ndërpritet spontanisht pas disa ditësh. Shpesh, ajo shoqërohet nga të vjellat. Nëse një person i rritur paraqet diarre për më shumë se katër javë, bëhet fjalë për diarre kronike. Për fëmijët, diarrea konsiderohet kronike kur zgjat më tepër se dy javë, ose kur diarrea është e vazhdueshme ose periodike.

Çrregullime shoqëruese të diarresë janë: dhimbjet e barkut, krampet e barkut, të përzierat, të vjellat, mungesa e oreksit, fryrja e barkut, ndjenja e çlirimit pas defekimit, temperatura e lartë

Shkaqet më të shpeshta të diarresë akute janë infeksionet virale ose bakteriale të aparatit tretës, rrallë ato parazitare. Gjatë udhëtimeve në vende tropikale, një sërë mikrobesh të tjera mund të shkaktojnë diarre të menjëhershme, të rrezikshme për jetën. Infeksionet toksike ushqimore shkaktohen nga ushqimet ose pijet që përmbajnë bakterie. Në origjinën e një diarreje kronike mund të jenë alergjitë dhe intolerancat ushqimore, sëmundjet e linduara të zorrëve ose çrregullimet e lëvizshmërisë së zorrëve. Gjithashtu, diarrea mund të jetë edhe pasojë e ankthit, stresit, nervozizmit ose përdorimit të disa medikamenteve (psh.antibiotikët).

Shkaqet e një diarreje akute janë:

  • gastro-enteriti
  • të vjellat dhe diarrea me origjinë virale, epidemia nga norovirusi
  • diarrea e udhëtimit: nga kolera, tifo dhe paratifo
  • diarrea dhe ethet e shkaktuara nga viruse tropikale: sëmundja Ebola, Lassa dhe Marburg
  • infeksionet toksike nga ushqimet, salmoneloza
  • helmimet

Shkaqet e një diarreje kronike janë:

  • Sëmundjet inflamatore kronike të zorrës: sëmundja Kron, rektokoliti hemorragjik (koliti ulçeroz)
  • Divertikujt e zorrës, divertikuloza, divertikuliti, sigmoiditi
  • Kanceri i zorrës së trashë, kanceri kolo-rektal
  • Tumori stromal gastro-intestinal
  • Intoleranca ndaj laktozës
  • Sëmundja Basedow
  • Alergjia, intoleranca ushqimore
  • Sindromi i zorrës së irritueshme
  • Hipertireoza
  • Sëmundja celiakeIntoleranca ndaj glutenit)
  • Abuzimi me produktet laksative
  • Efektet e padëshiruara të medikamenteve (psh.antibiotikët, suplementet me hekur, etj.)
  • Funksioni i pamjaftueshëm i pankreasit (ulja e prodhimit të enzimave tretëse)
  • Diabeti i sheqerit i tipit 1 dhe 2
  • Funksioni i pamjaftueshëm i gjendrave mbiveshkore
Pjesa më e madhe e diarreve ndërpriten spontanisht pas disa ditëve, pa asnjë mjekim të veçantë. Fillimisht, duhet treguar kujdes për lëngjet dhe elektrolitet e humbura gjatë diarresë, dhe pacienti duhet të evitojë ngrënien për një ose dy ditë, dhe të pijë vetëm çaj pa sheqer. Më pas ai duhet t’i rikthehet regjimit normal të ngrënies, pak nga pak. Përgjithësisht, nuk këshillohet përdorimi i medikamenteve kundër diarresë, sepse në këtë mënyrë pengohet eleminimi i mikrobeve shkaktare të diarresë nëpërmjet jashtëqitjeve. Ja disa mënyra për të rivendosur ekuilibrin e lëngjeve dhe elektroliteve të humbura gjatë diarresë:
  • Pini lëng mishi, lëngje frutash të freskëta dhe çaj me sheqer (çaji i zi shkakton kapsllëk)
  • Pini ujë mineral jo të gazuar
  • Pini lëngje të pasura me elektrolite
  • Merrni produkte speciale rehidratuese në farmaci, ose një përzierje me sheqer dhe kripë të përgatitur në kushtet e shtëpisë: një lugë kafeje me kripë, tetë lugë kafeje me sheqer, një gotë lëng frutash dhe përziejeni me një litër ujë të zier.

Parandalimi i diarresë së udhëtimit:

  • Rregulli i thjeshtë: gjithçka që konsumohet duhet të jetë e zier, e pjekur ose e qëruar.
  • Konsumoni vetëm ushqime të gatuara mirë
  • Mos konsumoni fruta ose perime të pagatuara, që nuk mund të qërohen
  • Evitoni konsumin e sallatave (uji i përdorur për larjen e sallatës mund të përmbajë mikrobe)
  • Pini vetëm ujë të zier ose ujë mineral
  • Mos konsumoni akull
  • Konsumoni vetëm pije që janë në shishe të mbyllura ose në kanaçe
  • Evitoni përdorimin e akullit në pije të ndryshme
  • Kujdesuni maksimalisht për higjenën e duarve
Diarrea mund të shkaktojë humbje të sasive të mëdha të lëngjeve dhe elektroliteve trupore, që mund të pasohet nga dehidrimi i shprehur, i cili çon në probleme kardio-vaskulare. Veçanërisht të rrezikuar nga situata të tilla janë të moshuarit, të porsalindurit dhe fëmijët e vegjël. Konsulta me mjekun është e detyrueshme kur:
  • Diarrea është e menjëhershme ose zgjat më tepër se 3 ditë
  • Diarrea shoqërohet nga të vjella të forta
  • Diarre është me gjak me ngjyrë të errët
  • Diarrea shoqërohet nga temperatura e lartë
  • Diarrea shoqërohet nga dhimbje të forta
  • Diarrea e menjëhershme shfaqet pas një udhëtimi jashtë vendit, veçanërisht në vendet tropikale.
  • Diarrea shfaqet tek një i porsalindur, një fëmijë i vogël, një person i moshuar ose një person që vuan nga ulja e imunitetit (imunodefiçienca) ose çdo sëmundje tjetër kronike.

Me cilin mjek duhet të konsultoheni ?

  • Mjeku i familjes (mjeku i përgjithshëm)
  • Mjeku gastro-enterolog
  • Mjeku internist
  • Mjeku pediatër

Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.

Njohja e mjekut me problemet aktuale të pacientit dhe me historinë mjekësore personale të tij (anamneza), bazohet tek:
  • Pyetjet e lidhura me diarrenë: kur është shfaqur fillimisht, kohëzgjatja e saj, në çfarë sasie, me çfarë ngjyre, çfarë ka konsumuar dy ditë para fillimit të diarresë (nëse është e mundur të merret kampion për mbjellje).
  • Informimi mbi aspektin dhe sasinë e urinës (sasia e pakët ose ngjyra e errët tregon për dehidratim).
  • Njohja me simptomat shoqëruese (shih rubrikën "Si manifestohen simptomat?")
  • Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme, përfshirë aksidentet dhe operacionet.
  • Informimi mbi sëmundje ose shkaqe vdekjesh të rëndësishme në familjen e pacientit.
  • Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
  • Informimi lidhur me ndonjë alergji ose intolerancë ushqimore të mundshme të pacientit
  • Informimi mbi udhëtime jashtë vendit, veçanërisht në vende tropikale.
  • Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
  • Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, nikotina, drogat), stresi, etj.

Egzaminimi fizik

Gjatë këtij egzaminimi, mjeku kërkon shenjat e mundshme të dehidratimit (etja, lëkura dhe mukozat e thata, ndjesia e fytit dhe gojës së thatë, çrregullime të të folurit, përgjumje). Ai mat temperaturën trupore dhe peshën trupore të pacientit, palpon dhe auskulton barkun. Gjithashtu, egzaminon rektumin nëpërmjet tushesë rektale.

Egzaminime të tjera specifike diagnostike:

  • Koprokultura (izolimi i mikrobit shkaktar)
  • Analizat e gjakut: elektrolitet, parametrat e inflamacionit
  • Urokultura
  • Izolimi i agjentëve patogjenë specifikë (psh. tifo, kolera, etj.)
  • Egzaminimi ekografik i barkut
  • Kolonoskopia, e shoqëruar me biopsi
  • Egzaminimet specifike për alergji dhe/ose intoleranca ushqimore
  • Egzaminime të tjera imazherike: skaneri (CT) dhe rezonanca magnetike (MRI)

Më tepër informacion mbi egzaminimet mjekësore (diagnostike) mund të gjeni në rubrikat e detajuara të tyre.

Trajtimi mjekësor i diarresë varet nga shkaku i saj. Kjo është veçanërisht e vërtetë për diarrenë kronike. Ja disa shembuj trajtimesh:

  • Në rastin e alergjive ose intolerancave ushqimore, duhet të evitohen ushqimet që i provokojnë ato.
  • Në rastin e sëmundjeve inflamatore kronike të zorrës, përdoren medikamentet antiinflamatore.
  • Në rastin e sëmundjeve të tjera shkaktare të diarresë (si hipertireoza, funksioni i pamjaftueshëm i gjendrave mbiveshkore, diabeti i sheqerit, funksioni i pamjaftueshëm i pankreasit, etj.), fillimisht bëhet trajtimi i tyre.

Masat e përgjithëshme gjatë diarresë

Gjatë diarresë akute dhe kronike, që në fillim duhet të rivendoset ekuilibri i lëngjeve dhe elektroliteve në gjak (shih rubrikën "Si të veproni?". Për këtë qëllim, në varësi të sasië së lëngjeve të humbura, mund të nevojitet konsumi i sasive të mëdha të çajit pa sheqer për dy ditë, dhe më pas kalimi gradual në ushqyerje normale. Në rastet kur humbja e lëngjeve është serioze, kompensimi i tyre bëhet me rrugë venoze.

Megjithëse probiotikët përshkruhen shpesh nga mjekët gjatë diarreve, efikasiteti i tyre nuk është gjithmonë i sigurt. Gjithsesi, ata pakësojnë disi shkallën dhe kohëzgjatjen e diarresë. Përdorimi i tyre ka më tepër vlerë tek pacientët që marrin antibiotikë.

Medikamentet kundër diarresë

Përdorimi i medikamenteve kundër diarresë duhet të bëhet vetëm pas konsultës me mjekun. Meedikamentet që pakësojnë lëvizshmërinë e zorrës nuk do të duhet të merreshin në fillim të diarresë, pasi kjo do të pengonte eleminimin e mikrobeve. Këto medikamente nuk këshillohen të përdoren veçanërisht në rastin e diarresë me gjak ose me qelb, ose kur pacienti ka edhe temperaturë të lartë. Në të tilla raste, rekomandohet përdorimi i antibiotikëve, pasi të jetë provuar natyra bakteriale e diarresë.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...