Meningiti (Inflamacioni i meningjeve)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Meningiti është një inflamacion i meningjeve, që janë membranat mbështjellëse të trurit. Sëmundja prek kryesisht fëmijët dhe personat me imunitet të dobësuar.
Meningiti shkaktohet kryesisht nga bakteriet dhe viruset. Mykozat ose parazitët (shiriti i qenit, shiriti i dhelprës) mund të shkaktojnë meningit, por më rrallë.
Bakteriet më shpesh përgjegjëse për meningitin janë: meningokoku, pneumokoku dhe bacilet e Pfeifer.
Për sa i takon viruseve, shpesh bëhet fjalë për virusin e shytave, të fruthit, të meningo-encefalitit stinor të pranverës dhe verës (MEPV), të HIV-it dhe herpesit.
Agjentët patogjenë arrijnë në tru nëpërmjet qarkullimit të gjakut. Gjithashtu, infeksionet e lokalizuara në nivelin e kokës (otiti i mesëm, sinuziti) mund të përhapen në meningje, duke shkaktuar meningit.

Meningiti mund të shkaktojë këto simptoma:
- Ngurtësimi i qafës (memingizmi) është shenja kryesore e sëmundjes.
- Dhimbja e kokës
- Temperatura e lartë (39-40°)
- Dobësi e përgjithshme trupore
- Të vjella dhe diarre (shpesh në meningitet me natyrë virale)
- Ndjeshmëri e tepruar ndaj dritës
- Në rastet e rënda: plogështi, pështjellim (konfuzion), konvulsione, dhe mund të arrijë deri në gjendjen e komës.
- Shfaqja e elementeve të shumtë, me ngjyrë blu në lëkurë, të shkaktuara nga septicemia prej agjentit shkaktar.
- Tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël, shpesh simptomat janë pak të dukshme. Ata refuzojnë të pijnë, janë të përgjumur dhe me humor të keq. Ata mund të kenë konvulsione.
E rëndësishme: Në rast se pacienti paraqet dhimbje të forta të kokës, temperaturë, ngurtësim të qafës dhe përkeqësim të shpejtë të gjendjes së përgjithshme, duhet të njoftohet menjëherë një mjek ose të telefonohet shërbimi i urgjencës mjekësore.

Diagnostikimi i meningitit bazohet në:
- Kryerjen e një testi specifik, që vlerëson nëse ka ngurtësim në zonën e qafës (meningizmi).
- Analizën e lëngut truno-shpinor që merret nëpërmjet punksionit lumbar, për identifikimin e agjentit shkaktar të meningitit.
- Analizat e gjakut, për vlerësimin e inflamacionit dhe të agjentit patogjen.

Meningiti është një sëmundje e rrezikshme. Nëse nuk trajtohet, ai mund të shkaktojë vdekjen e pacientit. Shtrimi i menjëhershëm në spital dhe fillimi sa më shpejt i trajtimit ka rëndësi jetike.
- Meningiti bakterial trajtohet me antibiotikë. Edhe në rast se dyshon për meningit, mjeku duhet të fillojë menjëherë trajtimin.
- Në meningitet me origjinë virale, mund të trajtohen vetëm simptomat (dhimbja e kokës, temperatura, diarrea, etj.).
Nëse nuk trajtohet, meningiti mund të shkaktojë vdekjen e pacientit. Përgjithësisht, diagnostikimi i hershëm dhe fillimi i menjëhershëm i trajtimit (nëse është e mundur nga mjeku trajtues, ose më vonë, në momentin e shtrimit në spital) rritin mundësitë e pacientit për të mbijetuar.
Per parandalimin e meningitit, egzistojnë vaksina kundër disa agjentëve patogjenë (bacilli I Pfeifer, MEPV), që mund ta shkaktojnë atë.