Anoreksia nervore
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Anoreksia është një çrregullim i sjelljes ndaj ushqimit, që prek kryesisht adoleshentët dhe femrat me moshë nga 15-25 vjeç. Në pjesën më të madhe të rasteve, personat që vuajnë nga anoreksia i përmbahen një regjimi ushqimor tepër të kufizuar, madje duke refuzuar çdo lloj ushqimi. Shpesh, ata ushtrohen në mënyrë të egzagjeruar në sporte të ndryshme, dhe përdorin medikamente që nxisin jashtëqitjen (laksativë) ose urinimin (diuretikë), me qëllim që të bien në peshë.
Kjo sëmundje fillon më shpesh para ose gjatë pubertetit. Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, mosha e fillimit të anoreksisë nervore po ulet gjithnjë e më shumë. Madje në ditët e sotme, ajo po haset edhe tek djemtë dhe vajzat e shkollës fillore.
Termi “anoreksi” shpesh përdoret gabimisht, duke iu referuar mungesës së oreksit. Por shpesh, personat anoreksikë nuk vuajnë nga mungesa e oreksit. Përkundrazi, të menduarit e tyre është tërësisht i dominuar nga ushqimi.
Njihen dy tipe të anoreksisë:
Tipi restriktiv (kufizues), në të cilin rënia në peshë arrihet duke evituar ushqimet me shumë kalori, dhe kryerjes së aktivitetit fizik.
Tipi bulimik (i ngrënies së tepruar), që është karakteristik për personat që nuk janë në gjendje të kufizojnë sasinë e ushqimit që konsumojnë për periudha të gjata kohore. Për këtë arsye, vetëm pas krizave të bulimisë, të vjellave të provokuara nga ata vetë, përdorimit të medikamenteve laksative (që nxisin jashtëqitjen) ose atyre diuretike (që nxisin urinimin), ata arrijnë të bien përsëri në peshë. Kjo konsiderohet si forma bulimike e anoreksisë.
Shkaqet e vërteta të anoreksisë nuk dihen ende. Dihet vetëm se në shfaqjen e saj ndikon kombinimi i disa faktorëve, të tillë si:
- Faktorët social-kulturorë, ku tendenca për të qënë i hollë, elegant dhe i lehtë dominon mendimet e të rinjve, duke çuar në frenimin e nevojave reale të trupit për elementët e domosdoshëm ushqimore.
- Faktorët biologjikë, që janë të lidhur me tendencën gjenetike (trashëgiminë familjare), çrregullimet e ndjenjës së kënaqësisë, etj.
- Faktorët familjarë, të lidhur me kërkesat për një performancë perfekte nga ana e prindërve, mbrojtja e tepruar prej tyre dhe ngarkesat emocionale nga konfliktet brenda familjes.
- Faktorët individualë, që konsistojnë në mungesën e besimit në vetvete, perfeksionizmin dhe frikën e dështimit, frikën e të qënit i rritur dhe përgjegjësitë që bart kjo fazë, frika e ndarjes, etj.
- Regjimi i keq ushqimor është faktori shpërthyes më i rëndësishëm. Ai shkakton shfaqjen e çrregullimit të sjelljes ndaj ushqimit, veçanërisht tek personat që kanë tashmë një tendencë gjenetike për të tilla çrregullime.
Shpeshtësia
Në vendet e zhvilluara, anoreksia nervore është një fenomen mjaft i përhapur, që haset në 1% të femrave me moshë nga 12-25 vjeç dhe 0.1% të meshkujve në përgjithësi.

Diagnoza e anoreksisë nervore përcaktohet përgjithësisht duke u bazuar në praninë e veçorive karakteristike të saj.
Karakteristikat kryesore të anoreksisë nervore janë:
- Pesha e pamjaftueshme, krahasuar me gjatësinë trupore. Duke iu referuar IMT (indeksit të masës trupore, që llogaritet me raportin e peshës trupore në kg me katrorin e gjatësisë trupore të shprehur në metër), nënpesha i korrespondon IMT <19 për femrat dhe <20 për meshkujt. Duke nisur nga IMT = 17,5, flitet për anoreksi. IMT aplikohet për personat mbi 18 vjeç. Për fëmijët dhe adoleshentët, merren në konsideratë vlerat mesatare për peshën trupore dhe IMT. Vlerat normale mund të përftohen nga kurbat respektive të rritjes për djemtë dhe vajzat.
- Frika nga shtimi në peshë, pra nga shëndoshja, ndërkohë që pesha reale është dukshëm nën vlerat normale të saj.
- Crregullimet e skemës trupore, me perceptim të gabuar të madhësisë dhe formës trupore. Këta persona mendojnë se janë shumë të shëndoshë, ndërkohë që janë nënpeshë, dhe se disa pjesë të trupit të tyre (si barku, kofshët ose vithet) janë të shëndosha, ndërkohë që ato janë dukshëm të holla, madje të pazhvilluara.
- Amenorrea, që përfaqëson mungesën e menstruacioneve gjatë 3 cikleve radhazi tek femrat, ndërkohë që tek meshkujt konstatohet rënie e aktivitetit seksual.

Në ditët e sotme, egzistojnë mënyra të ndryshme trajtimi dhe mundësi të shumta për të ndihmuar personat me anoreksi nervore. Objektivi i trajtimit është të ndikojë njëherësh në mënyrën e sjelljes ndaj ushqimit dhe në zgjidhjen e problemit kryesor shkaktar të saj. Proçesi i shërimit të kësaj sëmundjeje zgjat përgjithësisht me vite.
E rëndësishme: sa më herët të konstatohet dhe të trajtohet anoreksia nervore, aq më të mëdha janë mundësitë për t’u shëruar prej saj.
Ndërlikimet e anoreksisë nervore janë të lidhura me kufizimet e mëdha ushqimore dhe sforcimet e mëdha fizike të personave të prekur nga kjo sëmundje. Kështu, ata mund të shfaqin:
Mungesa të theksuara ushqimore, si pasojë e kequshqyerjes, mosngrënies, të vjellave, përdorimit të medikamenteve që nxisin jashtëqitjen ose urinimin. Kjo mungesë reflektohet më tepër tek niveli i elektrolitëve (si natriumi, kaliumi dhe magneziumi) dhe tek çrregullimet e ekuilibrit acido-bazik të organizmit (ph i gjakut). Pasojat e mundshme të këtyre mungesave janë:
- çrregullime të ritmit të zemrës dhe ndryshimet në EKG (elektrokardiogramë),
- ngërçet dhe dobësia muskulare,
- ulja e funksionit të veshkave,
- lodhja mendore dhe ulja e përqëndrimit (për shkak të mungesave në vitamina dhe minerale),
- ndryshimet në formulën e gjakut dhe dëmtimet e nervave,
- tharja e lëkurës,
- rënia e flokëve,
- brishtësia e thonjve dhe osteoporoza (prej varfërimit në kalcium).
Çrregullimet endokrine (hormonale), që prekin kryesisht gjendrën tiroide, sistemin nervor simpatik dhe hormonet seksuale. Pasojat e mundshme të këtyre çrregullimeve janë:
- ngadalësimi i rrahjeve të zemrës,
- ulja e presionit arterial (Hipotensioni arterial),
- marrje mendsh,
- çrregullime të qarkullimit të gjakut,
- ulja e temperaturës trupore,
- çrregullimi i menstruacioneve deri edhe ndërprerja e tyre,
- infertiliteti (shterpësia)
Në shumë raste, personat me anoreksi nervore, përveç çrregullimeve të sjelljes ndaj ushqimit, paraqesin edhe probleme të tjera të fushës psikiatrike, të tilla si:
- çrregullimet e ankthit,
- çrregullimet obsesive (manitë),
- varësia ndaj alkoolit ose drogave,
- depresionet
Ecuria afatgjatë e anoreksisë nervore: 50-60% e anoreksikëve shërohen, 20-30% e tyre vuajnë për shumë vite nga sëmundja (ecuri kronike) dhe 5-20% e tyre vdesin brenda 20 viteve pas fillimit të sëmundjes.