logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Humbja e oreksit: nëse humbja e oreksit është e vazhdueshme, duhet të konsultoheni me një mjek
Humbja e oreksit: nëse humbja e oreksit është e vazhdueshme, duhet të konsultoheni me një mjek
Ushqyerja është një nevojë elementare për të gjitha qëniet njerëzore. Fakti i humbjes së oreksit ose i mungesës së dëshirës për të ngrënë gjatë një periudhe të gjatë kohore përbën një simptomë që duhet të vlerësohet seriozisht.
Mungesa e oreksit përkufizohet si rënie e dëshirës për të ngrënë ose mungesë e saj, me pakësim të urisë. Në disa raste, vetëm të vështruarit e ushqimit mund të mjaftojë për të shkaktuar një ndjenjë neverie në vend të oreksit.

Mungesa e zgjatur e oreksit shkakton rënie në peshë. Në rastet kur rënia në peshë është tepër e madhe dhe patologjike, bëhet fjalë për kaheksinë. Shpesh ajo shfaqet tek të sëmurët me kancer.

Konsumi i sasive të pakta të ushqimeve ose mungesa e plotë e ushqyerjes shkaktojnë disa çrregullime, si: lodhje, dobësi të përgjithshme trupore, pakësim të masës muskulare, mungesë të elementeve të rëndësishëm ushqimorë në organizëm, që pasohen nga çrregullimi i një sërë funksionesh organike të rëndësishme dhe ndjeshmëria e lartë ndaj sëmundjeve.

Çrregullimet shoqëruese: të përziera, të vjella, diarre, dhimbje barku, rënie e pavullnetshme në peshë, temperaturë dhe neveri ndaj disa ushqimeve (si psh. mishi).

Mungesa e oreksit mund të ketë si shkaqe fizike, ashtu edhe psiqike. Kështu, mungesa të përkohshme të oreksit mund të shfaqen gjatë një gripi, një çrregullimi të tretjes ose gjatë një stresi. Nga ana tjetër, mungesa e zgjatur e oreksit mund të jetë simptomë e një sëmundjeje fizike serioze. Gjithashtu, mungesa e oreksit mund të shfaqet edhe gjatë çrregullimeve me natyrë psiqike, toksikomanisë (varësia ndaj alkoolit, drogave, etj.) ose ngarkesave emocionale (stresi, dëshpërimi në dashuri, humbja e një personi të dashur, etj.) Pjesa më e madhe e grave shtatzana nuk kanë oreks gjatë tremujorit të parë të shtatzanisë, për shkak të të përzierave dhe të vjellave. Me kalimin e moshës, si tek meshkujt edhe tek femrat pakësohet në mënyrë fiziologjike ndjesia e urisë dhe etjes.

Shkaqet fizike të mungesës së oreksit janë:
  • gastroenteriti
  • gastriti
  • intoleranca ushqimore: intoleranca ndaj laktozës ose glutenit
  • sindromi i zorrës së irritueshme
  • sëmundjet inflamatore kronike të zorrës: sëmundja Crohn, rektokoliti hemorragjik
  • ulçera e stomakut ose e duodenit
  • kanceri i stomakut ose i zorrës së trashë
  • sëmundjet e mëlçisë: hepatiti ose kanceri i mëlçisë
  • sëmundjet e pankreasit: pankreatiti ose kanceri i pankreasit
  • insufiçienca kardiake
  • diabeti i sheqerit
  • insufiçienca e gjendrave mbiveshkore (sëmundja Adison)
  • hipotireoza (insufiçienca e gjendrës tiroide)
  • hiperparatireoza (funksioni i shtuar i gjendrave paratiroide)
  • sëmundjet neurologjike: demenca, sëmundja Alzheimer

Shkaqet psiqike të mungesës së oreksit janë:
  • stresi, trishtimi, fatkeqësitë
  • depresionet
  • lodhja (dobësia e përgjithshme trupore)
  • çrregullimet e ushqyerjes (anoreksia) ose bulimia

Shkaqe të tjera të mungesës së oreksit janë:
  • efektet dytësore të medikamenteve
  • fillimi i shtatzanisë (mungesa e oreksit e shkaktuar nga të përzierat dhe të vjellat)
  • rënia graduale e oreksit me kalimin e moshës
  • kimioterapia ose radioterapia
  • toksikomania
Gjatë mungesës së oreksit, ndryshimet në mënyrën dhe higjienën e ushqyerjes mund të shoqërohen me përmirësim të ndjeshëm të oreksit. Kjo mund të arrihet me ndihmën e specialistit të ushqyerjes (dietologut).

Ja disa këshilla të përgjithshme që mund të ndihmojnë për të rifituar oreksin:
  • përmbajuni një ushqyerjeje të shëndetshme në përgjithësi, por njëkohësisht hani atë që ju pëlqen
  • konsumoni sasi të pakta ushqimi, por në intervale të shpeshta kohore gjatë ditës
  • hani ngadalë, pa u ngutur, mundësisht me miqtë ose familjen tuaj, për ta bërë më tërheqës vaktin
  • kryeni aktivitet të rregullt fizik ose praktikoni sporte, pasi ato nxisin oreksin
  • pakësoni stresin
  • disa produkte me bazë bimore nxisin oreksin
  • shënoni ecurinë e peshës suaj trupore

Në rastet kur mungesa e oreksit është e shkurtër, nga një shkak evident (si psh. nga stresi ose problemet me tretjen), nuk është i nevojshëm konsultimi i menjëhershëm me mjekun. Por, nëse mungesa e oreksit vazhdon, dhe duket e pashpjegueshme, është i domosdoshëm konsultimi me mjekun. Kjo vlen veçanërisht për rastet me rënie në peshë në mënyrë të pavullnetshme ose me çrregullime të tjera të shkaktuara nga mungesa e oreksit.

Me cilin mjek duhet të konsultoheni?
  • mjeku i famijes (i përgjithshëm-patolog)
  • mjeku internist
  • mjeku endokrinolog
  • mjeku gastro-enterolog
  • mjeku psikiatër, psikologu ose psikoterapisti.
Për të krijuar një ide sa më të qartë rreth çrregullimeve aktuale dhe shkaqeve të mundshme të tyre, mjeku e pyet që në fillim pacientin lidhur me simptomat dhe problemet mjekësore të mëparshme(anamneza). Më pas, ai kryen egzaminimin fizik (inspeksioni, palpacioni, auskultacioni, perkusioni, egzaminimi i funksioneve, etj). Pas këtyre, mund të jenë të nevojshme egzaminime të tjera mjekësore (plotësuese).

Informimi i mjekut rreth çrregullimeve aktuale dhe problemeve mjekësore të mëparshme të pacientit (anamneza) bazohet në:
  • Pyetjet e lidhura me mungesën e oreksit: që prej sa kohësh, faktorë shpërthyes të mundshëm (si psh. stresi), rënie e pavullnetshme në peshë, mungesë oreksi e përhershme apo me periudha, çrregullime të jashtëqitjes, etj.
  • Njohjen me çrregullime shoqëruese të mungesës së oreksit (shih më sipër në rubrikën "Si manifestohet kjo simptomë?")
  • Njohjen me zakonet e ushqyerjes, me ndryshime të rëndësishme të mënyrës së ushqyerjes, me ndryshimin e aktivitetit fizik, etj.
  • Informimin rreth alergjive dhe intolerancave të mundshme ushqimore
  • Informimin rreth sëmundjeve kryesore, përfshirë edhe ndërhyrje kirurgjikale të mëparshme
  • Informimin rreth sëmundjeve ose shkaqeve të vdekjes të pjestarëve të familjes
  • Informimin lidhur me përdorimin e medikamenteve
  • Informimin rreth higjienës së ushqyerjes dhe të jetës në përgjithësi, aspekteve sociale dhe profesionale
  • Informimin rreth zakoneve të lidhura me: ushqyerjen, gjumin, stimulantët (si kafeina, alkooli, duhani, drogat), stresi, etj.

Egzaminimi fizik

Gjatë kësaj proçedure, mjeku mat peshën dhe gjatësinë trupore të pacientit, për të llogaritur IMT (indeksi i masës trupore – BMI). Mjeku egzaminon gjendjen e ushqyerjes së pacientit dhe kërkon shenjat klinike të një mungese ushqimore të mundshme. Më pas, mjeku mat pulsin dhe presionin e gjakut. Gjithashtu, ai kryen auskultacionin e zemrës dhe mushkërive, egzaminimin e barkut, palpacionin e nyjeve limfatike dhe të gjendrës tiroide, etj.

Egzaminime të tjera mjekësore plotësuese:
  • analizat e gjakut, analiza e urinës, analiza e feçeve
  • ekografia
  • gastroskopia dhe/ose kolonoskopia
  • radiografia, skaneri (tomodensitometria), MRI (rezonanca magnetike)
  • egzaminimet fizike, si psh. kur dyshohet për një çrregullim ushqimor ose depresion.
Trajtimi i mungesës së oreksit varet gjithmonë nga shkaku i saj. Më poshtë paraqiten disa mundësi trajtimi:
  • Trajtimi i sëmundjes fizike, që ka shkaktuar mungesën e oreksit. Në përgjithësi, oreksi normalizohet pas trajtimit të sëmundjes kryesore, që e ka shkaktuar atë. Megjithatë, edhe kjo mund të jetë e vështirë në rastin e disa sëmundjeve të veçanta (si psh. kanceri).
  • Kur mungesa e oreksit është shkaktuar nga përdorimi i ndonjë medikamenti të veçantë, mjeku trajtues duhet të pakësojë dozën e tij ose ta ndërpresë fare atë.
  • Egzistojnë medikamente që nxisin oreksin, sekretimin e pështymës dhe të lëngut të stomakut. Disa produkte me bazë bimore janë të disponueshme në formën e çajit, lëngut ose kapsulave. Gjithsesi, për përdorimin e tyre duhet të këshilloheni me një profesionist, veçanërisht gjatë periudhës së shtatzanisë.
  • Sëmundjet psiqike trajtohen nëpërmjet një kombinimi të medikamenteve dhe psikoterapisë.
  • Trajtimi psikoterapeutik është i nevojshëm në rastet e çrregullimeve të ushqyerjes ose anoreksisë, në mënyrë që të rivendoset lidhja ndërmjet ushqimit, trupit dhe subkoshiencës.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...