logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Preeklampsia: duhet të trajtohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Preeklampsia: duhet të trajtohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Preeklampsia është një ndërlikim që shfaqet përgjithësisht në gjysmën e dytë të shtatzanisë. Ajo manifestohet me hipertension, humbje të proteinave me urinën dhe shtimi në peshë si pasojë e grumbullimit të ujit në inde.

Preeklampsia i paraprin eklampsisë, që mund të shoqërohet nga kriza konvulsive. Për këtë arsye, ajo duhet të diagnostikohet sa më herët që të jetë e mundur.

Preeklampsia haset në 3-5% të shtatzanive. Ajo prek kryesisht gratë primipare (që e kanë shtatzaninë e parë) dhe ato me shtatzani të shumta. Nëse nuk trajtohet, sëmundja shkakton lindje para kohe të fëmijës ose pasoja tek shëndeti i tij. Në sajë të metodave të përparuara të diagnostikimit dhe trajtimit, këto ndërlikime janë bërë tepër të rralla.

Shkaqet e vërteta të preeklampsisë mbeten të paqarta.
 
Si faktorë të rrezikut që mund të shkaktojnë preeklampsi konsiderohen:

  • Çrregullimet e metabolizmit të prostaglandinave, të cilat kanë një efekt hipotensiv (ulin tensionin arterial) dhe veprojnë mbi tkurrjet e mitrës.
  • Disa proteina (endoglinat) kalojnë nga placenta në qarkullimin e gjakut të nënës.
  • Mosha e nënës primipare mbi 35 vjeç.
  • Mbipesha trupore
  • Sëmundjet e veshkave
  • Sëmundja e diabetit të sheqerit
  • Hipertensioni i diagnostikuar para shtatzanisë
  • Shtatzanitë e shumta
  • Gratë shtatzanë që kanë vuajtur nga preeklampsia gjatë shtatzanive të mëparshme.

Në pjesën më të madhe të rasteve, preeklampsia shfaqet në gjysmën e dytë të shtatzanisë. Sa më herët që të shfaqet ajo, aq më e rëndë është ecuria e saj. Simptomat e preeklampsisë janë:

  • Hipertensioni arterial (mbi 140 mmHg/ 90 mmHg)
  • Prania e proteinave në urinë (proteinuria)
  • Mbajtja e ujit në nivelin e këmbëve, duarve, fytyrës (edema), që shkaktojnë shtim të rëndësishëm në peshë.
  • Pakësim i sasisë së urinës së eleminuar.
     

Shfaqja e simptomave të mëposhtme ka nevojë për shtrimin e menjëhershëm në spital të pacientit:

 

Preeklampsia: kontrollet e rregullta të presionit të gjakut.
Preeklampsia: kontrollet e rregullta të presionit të gjakut.

Diagnostikimi i preeklampsisë bazohet në:

  • Njohjen e mjekut specialist obstetër-gjinekolog me historinë e sëmundjes dhe simptomat e pacientes
  • Matjen e rregullt të tensionit arterial
  • Matjen e rregullt të nivelit të proteinave në urinës (proteinuria)
  • Kontrolli i rregullt i peshës trupore
  • Kontrolli i rregullt i aktivitetit të zemrës së fëmijës.

Niveli i endoglinës në gjakun e nënës do të rritej 2-3 muaj përpara shfaqjes së preeklampsisë.

Sa më herët të trajtohen simptomat e preeklampsisë, aq më e mirë do të jetë ecuria për nënën dhe fëmijën.

Rreziku i lindjes para kohe rritet me shkallën e rëndesës së sëmundjes. Kontrollet e rregullta të tensionit arterial dhe masat e zbatuara për uljen e tij, ndikojnë në evitimin e ndërlikimeve. Kështu, shtatzania mund të vazhdojë deri në fund pa vështirësi. 

Simptomat e preeklampsisë largohen disa ditë pas lindjes, tensioni normalizohet brenda disa javëve.

Zgjatja e hipertensionit gjatë një periudhe të caktuar mund të shkaktojë dëmtime të enëve të gjakut të placentës. Ai mund të çojë në mangësi të lëndëve të ushqimore të marra nga fëmija, vonesë në rritjen e tij, peshë e vogël në lindje ose vdekje të fëmijës.

Në sajë të mënyrave të reja të trajtimit, pasojat e vonshme tek fëmija janë bërë tepër të rralla.

Si ndërlikimet më të rënda të preeklampsisë konsiderohen Eklampsia dhe sindroma HELLP.  
 
Eklampsia (krizat konvulsive)

Eklampsia është një ndërlikim i preeklampsisë, kur kjo e fundit nuk trajtohet në mënyrë korrekte. Ajo shfaqet përgjithësisht gjatë tremujorit të fundit të shtatzanisë, por mund të konstatohet edhe pak pas lindjes.

  • Shenjat tipike të saj janë krizat konvulsive (me dridhje të forta), që vënë në rrezik jetën e nënës dhe të fëmijës.
  • Shenjat paralajmëruese të saj janë: rritja e shpejtë e tensionit arterial e shoqëruar me dhimbje koke, çrregullime të shikimit (shikim i turbullt, figura dyfishe), të përziera, të vjella.

Sindroma HELLP

Simptomat që u shtohen atyre të preeklampsisë:

Preeklampsia: kontrolli i rrregullt i sasisë së proteinave në urinë.
Preeklampsia: kontrolli i rrregullt i sasisë së proteinave në urinë.

Parandalimi i preeklampsisë konsiston në:

  • Kontrollet e rregullta gjatë shtatzanisë, me matjen e rregullt të tensionit arterial dhe të nivelit të proteinave në gjak.
  • Trajtimin parandalues me acid acetilsalicilik në dozë të vogël, tek gratë që kanë shfaqur më parë preeklampsi.
  • Trajtimin e një hipertensioni të shfaqur para shtatzanisë, që konsiston në përdorimin e medikamenteve, rënien në peshë në rastin e mbipeshës trupore, ushqyerjen e shëndetshme (regjim të varfër në kripë), etj.
  • Trajtimin e përshtatshëm të diabetit të sheqerit, kur ai egziston.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.