logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Cirroza e mëlçisë: mëlçia majtas e shëndetshme, mëlçia djathtas me cirrozë.
Cirroza e mëlçisë: mëlçia majtas e shëndetshme, mëlçia djathtas me cirrozë.

Mëlçia është gjendra më e madhe e organizmit, që ka edhe funksion metabolik. Cirroza e saj përfaqëson pasojën e vonshme të një dëmtimi afatgjatë, ku inflamacionet e përsëritura të indit të mëlçisë (si psh. ato të shkaktuara nga abuzimi me alkoolin për shumë vite), shkatërrojnë qelizat e saj. Për pasojë, indi normal zëvendësohet nga kokrra (noduj), ind cikatricial dhe ind lidhor.

Kjo situatë rezulton në zvogëlimin (atrofizimin) dhe forcimin e mëlçisë, që pengon gjakun që vjen nga sistemi i tretjes të përshkojë mëlçinë. Kjo manifestohet me bllokimin e gjakut në hyrjen e mëlçisë dhe shfaqjen e ndërlikimeve të cirrozës së saj, siç janë variçet e ezofagut (zgjerimi i venave) dhe asciti.

Ndër shkaqet e cirrozës së mëlçisë përmendim:

  • Abuzimin me alkoolin për shumë vite, që është edhe shkaku më i shpeshtë.
  • Inflamacioni i indit të mëlçisë, i shkaktuar nga viruset e hepatiti C dhe hepatiti B.
  • Sëmundjet metabolike (diabeti i sheqerit)
  • Sëmundjet kardio-vaskulare (të zemrës dhe enëve të gjakut), ulja e punës së anës së djathtë të zemrës, perikarditi kronik, etj.
  • Sëmundjet autoimune
  • Sëmundjet tropikale (trematodët)
  • Nënushqyerja
  • Çrregullimet e metabolizmit të hekurit, bakrit dhe yndyrnave.
  • Përdorimi i disa medikamenteve (rrallë).
  • Thithja për kohë të gjatë e disa substancave kimike (anestezikët dhe/ose detergjentët).
Cirroza e mëlçisë: lodhje dhe dobësi e përgjithshme, zverdhja e lëkurës shfaqet më vonë.
Cirroza e mëlçisë: lodhje dhe dobësi e përgjithshme, zverdhja e lëkurës shfaqet më vonë.

Simptomat në stadin e hershëm:


Simptomat në stadin e avancuar:

  • Zverdhje (ngjyrosje në të verdhë e lëkurës dhe konjuktivave- pjesës së brendshme të qepallave).
  • Të kruajtura në lëkurë dhe shfaqje e arterieve të vogla, në formën e merimangës, në sipërfaqen e saj (angiomat stelare).
  • Çrregullime hormonale: tek meshkujt, zmadhohen gjinjtë (gjinekomastia) dhe zvogëlohen testikujt, me shfaqjen e impotencës dhe uljen e dëshirës për të kryer marrëdhënie seksuale (ulja e libidos).
  • Zmadhimi i shpretkës
  • Enjtja e këmbëve dhe fryrja e barkut (asciti).
  • Ulja e nivelit të faktorëve të mpiksjes së gjakut, që reflektohet me tendencën për gjakrrjedhje, me shfaqjen e njollave blu në lëkurë edhe gjatë goditjeve tepër të lehta.
  • Në rastin e hemorragjisë nga variçet e ezofagut, jashtëqitjet marrin një ngjyrë të zezë të theksuar (urgjencë mjekësore). Gjithashtu mund të shfaqen edhe të vjella me gjak (urgjencë mjekësore).
  • Çrregullimet e funksioneve të trurit, me vështirësi në përqëndrim dhe konfuzion, që mund të arrijnë deri në gjendjen e komës (stadi përfundimtar).
Cirroza e mëlçisë: heqja e indeve dhe ekzaminimi nën mikroskop.
Cirroza e mëlçisë: heqja e indeve dhe ekzaminimi nën mikroskop.

Për të vendosur diagnozën e cirrozës së mëlçisë, mjeku bazohet në:

  • Simptomat e pacientit, historinë e fillimit të tyre, mundësinë e konsumit të alkoolit.
  • Analizat e gjakut, për matjen e nivelit në gjak të abuminës, bilirubinës, protrombinës.
  • Ekografia e barkut
  • Biopsia e indit të mëlçisë
  • Rezonanca magnetike e barkut
  • Egzaminimi endoskopik i ezofagut dhe stomakut, që i eksploron ato në brendësi, duke mundësuar edhe marrjen e materialit indor për biopsi.
Cirroza e mëlçisë: ndalimi i menjëhershëm dhe i plotë i alkoolit.
Cirroza e mëlçisë: ndalimi i menjëhershëm dhe i plotë i alkoolit.

Masat e përgjithshme

Mënyra e vetme e dobishme për të frenuar ose ndaluar përparimin e cirrozës së mëlçisë është ndërprerja e menjëhershme dhe e plotë e konsumit të alkoolit. Për të realizuar këtë, është shpesh i nevojshëm qëndrimi në spital i pacientit, me menaxhimin e menjëhershëm mjekësor të hepatitit (inflamacionit të mëlçisë). 

Medikamentet

Cirroza e mëlçisë nuk mund të trajtohet me medikamente, por përparimi i saj mundet vetëm të frenohet ose ndalohet, duke eleminuar faktorët shkaktarë, shpërthyes ose rëndues.

Në stadet e përparuara të sëmundjes, mund të trajtohen vetëm ndërlikimet e saj. Kështu:

  • Medikamentet që nxisin urinimin (diuretikët) mund të trajtojnë ascitin (grumbullimin e ujit në zgavrën e barkut).
  • Medikamentet që ulin tensionin arterial, ulin presionin në nivelin e variçeve të ezofagut, duke pakësuar në këtë mënyrë rrezikun për çarje të tyre.
  • Medikamentet që nxisin funksionet e trurit mund të lehtësojnë gjendjen e konfuzionit tek pacienti. 
     

Operacionet

Në rastin e hemorragjive nga variçet e ezofagut, është e nevojshme kryerja e sklerotizimit të këtyre të fundit. Kjo proçedurë konsiston në djegien e variçeve (venave të zgjeruara) në mënyrë kimike, duke injektuar medikamente të posaçme direkt në murin e tyre. Sklerotizimi i variçeve të çara mund të kryhet nëpërmjet gastroskopisë.

Nëse ajo është e pamundur, nevojitet ndërgjyrje kirurgjikale e menjëhershme (urgjencë mjekësore).

Çlirimin e mëlçisë nga shtypja, duke devijuar kalimin e gjakut, që mundëson uljen e shtypjes mbi venën porta dhe variçet e ezofagut. Kjo çon në zhdukjen e variçeve të ezofagut dhe të ascitit. 
 
Transplanti i mëlçisë: është shpesh mënyra e vetme mjekësore që mundëson shpëtimin e jetës së pacientit. Ajo përfaqëson një ndërhyrje kirurgjikale jashtëzakonsisht të ndërlikuar. Veç kësaj, numri i dhuruesve të mëlçisë është relativisht i vogël. Për të gjitha këto arsye, pacientët që do t’i nënshtrohen transplantit të mëlçisë përzgjidhen me kujdesin më të madh.

Kështu, përparësi për t’u përzgjedhur për këtë ndërhyrje kanë pacientët që kanë realisht mundësi për të mbijetuar. Gjithashtu, duhet të jetë e sigurt që pacienti do të bashkëpunojë aktivisht me ekipin mjekësor në periudhën pas operacionit dhe do të përdorë rregullisht medikamentet e përshkruara nga mjeku për pjesën e jetës në vazhdim. 


Çfarë mund të bëjmë vetë?

  • Ndërprerja e menjëhershme dhe e plotë e konsumit të alkoolit, për të cilën nevojitet shpesh qëndrimi i pacientit në spital.
  • Vaksinimi kundër hepatitit B dhe parandalimi i hepatitit C.
  • Duke u këshilluar me mjekun, të ndryshohen ose të ndalohen medikamentet që mund të jenë helmuese për mëlçinë.
  • Ushqyerja e ekuilibruar, e pasur në proteina dhe elemente të nevojshme (vitamina, minerale).
  • Kufizimi i kripës në ushqim.
  • Në stadin e përparuar të sëmundjes, përmbajtja e proteinave në ushqim duhet të pakësohet. Këshillat e lidhura me ushqyerjen në këtë stad mund të ndihmojnë në evitimin e disa ndërlikimeve të sëmundjes. Gjithsesi, përparimi i sëmundjes mund të ndikohet pozitivisht nga ndërprerja e plotë e konsumit të alkoolit.

Mundësitë e shërimit të cirrozës së mëlçisë varen nga stadi i sëmundjes në momentin e diagnostikimit dhe trajtimi i saj. Kështu, nëse arrihet të menaxhohet hepatiti d he të ndërpritet konsumi i alkoolit, ecuria e cirrozës së konstatuar në një stad të hershëm është e mirë.

Nëse nuk trajtohet në mënyrën e duhur, cirroza e mëlçisë përparon drejt uljes së funksionit të mëlçisë (insufiçiencës hepatike) të plotë, që shkakton vdekjen e pacientit. Pasoja të tjera të rënda të cirrozës janë:

Ndalimi i alkoolit, heqja e varësisë prej tij në spital nëse është e nevojshme.
Ndalimi i alkoolit, heqja e varësisë prej tij në spital nëse është e nevojshme.

Për parandalimin e cirrozës së mëlçisë, rekomandohen këto masa:

  • Kufizimi i konsumit të alkoolit
  • Vaksinimi kundër hepatitit B dhe parandalimi i hepatitit C.
  • Ushqyerja e ekuilibruar, e pasur në proteina dhe në përbërësit e nevojshëm (vitamina, minerale).
  • Kufizimi i kripës në ushqim
  • Trajtimi korrekt i sëmundjeve shoqëruese, që dyshohet se mund të dëmtojnë mëlçinë.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...