Dhimbja e kokës (Algjia vaskulare e fytyrës, Cefalea, Cefalea e tensionit, Migrena)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)
Egzistojnë mbi 200 lloje cefalesh (dhimbje koke), që shfaqen në forma të ndryshme.
Karakteristikat e tyre janë:
- Aspekti i përkohshëm: janë akute ose kronike (dhimbje të përsëritura të kokës)
- Lokalizimi i dhimbjes: në ballë, tëmtha, në njërën anë ose në të dyja anët, dhimbje në të gjithë kokën, etj.
- Natyra e dhimbjes: djegëse, therrëse, mpirëse, pulsuese, shtypëse, rënduese.
- Intensiteti i dhimbjes: dhimbja mund të jetë e lehtë deri e fortë, madje tepër e fortë (dhimbja e kokës me një intensitet të padurueshëm: si rrufe)
- Karakteristikat e veçanta: psh. shtimi i dhimbjes gjatë aktivitetit fizik, kur personi ulet, në pozicionin shtrirë, kur bën ftohtë, etj.
- Manifestimet shoqëruese (shih më poshtë).
Përveç këtyre, dallohen cefaletë primitive ose primare (kur dhimbja e kokës nuk është vetëm një simptomë, por vetë sëmundja), dhe dhimbjet e kokës dytësore (kur cefaletë janë rezultat i një sëmundjeje tjetër, pra janë veçse një simptomë).
Manifestimet shoqëruese të dhimbjes së kokës janë: të përzierat, të vjellat, çrregullimet e shikimit, ndjeshmëria e lartë ndaj dritës dhe zhurmave, irritimi i syve, lotimi, çrregullimet nervore (të të folurit, të ndërgjegjes, epilepsia, etj.).Në pjesën më të madhe të rasteve cefaletë janë të parëndësishme.
Kur ato janë kronike dhe të shpeshta, bëhet fjalë më tepër për cefalenë e tensionit ose migrenën.
Cefaletë akute janë përgjithësisht dytësore, në terren të një sëmundjeje tjetër, të tillë si: gripi, sëmundjet e syve, dhimbjet e dhëmbëve, ose sëmundjet e veshëve, gojës dhe fytit (të fushës ORL).
Gjithashtu, në origjinën e një dhimbjeje koke mund të jetë edhe një problem psiqik, si stresi ose depresioni. Përdorimi kronik dhe në sasi të mëdha i medikamenteve kundër dhimbjeve të kokës mund të provokojë në mënyrë paradoksale disa forma të dhimbjes së kokës.
Ndër sëmundjet më të rëndësishme, që manifestohen me dhimbje të fortë dhe të menjëhershme të kokës janë: meningiti, hipertensioni arterial, hemorragjia meningeale, glaukoma (rritja e presionit brenda syrit), dhe arteriti temporal (ose sëmundja Horton: sëmundje inflamatore e enëve të gjakut të kokës).
Shkaqet e cefaleve primitive/primare (dhimbja e kokës që përfaqëson vetë sëmundjen):
- Migrena
- Dhimbja e kokës e tensionit
- Algjia vaskulare e fytyrës
- Nevralgjia trigeminale
Shkaqet e cefaleve dytësore (dhimbja e kokës është pasojë e një sëmundjeje tjetër):
- Hipotensioni
- Hipertensioni
- Sindroma e lodhjes profesionale
- Defiçiti i pamjes: hipermetropia, miopia, astigmatizmi, presbitia, ambliopia
- Encefaliti nga këpushat
- Goditja në tru
- Meningiti
- Tumori i trurit
- Sëmundja e lartësisë, edema pulmonare shoqëruese
- Sinuziti
- Traumat e kokës, plagosjet në kokë
- AVC (aksidentet vaskulare cerebrale), apopleksia, hematoma cerebrale
- Rrezatimi
- Sëmundja e tërbimit
- Toksoplazmoza
- Hipoglicemia (ulja e sheqerit tek diabetikët)
- Anemia
- Dhimbjet e kokës nga tensioni muskular i qafës ose shpinës
- Dhimbjet e kokës të lidhura me problemet e shtyllës kurrizore
- Gripi/ftohja
- Konsumi i tepruar i alkoolit
- Inflamacioni kronik i rrënjës së dhëmbëve
- Dhimbjet e kokës të lidhura me ushqime të veçanta
- Dhimbjet e kokës të lidhura me menstruacionet
- Mungesa e gjumit
- Efektet dytësore të medikamenteve, veçanërisht gjatë përdorimit të analgjezikëve
- Glaukoma (rritja e menjëhershme e presionit brenda syve)
- Arteriti i përkohshëm (sëmundje inflamatore e enëve të gjakut)
Egzistojnë një sërë mënyrash që mund të ndihmojnë për lehtësimin e dhimbjeve të kokës, madje edhe për parandalimin e tyre. Mënyra e shëndetshme e jetesës ndihmon në reduktimin e shpeshtësisë dhe intensitetit të dhimbjes së kokës. Ja disa këshilla:
- Ushqyerja e shëndetshme
- Hidratimi i mjaftueshëm (të paktën 2 litra lëngje në ditë, kryesisht ujë ose pije me pak kalori, si psh.çaji)
- Ulja e konsumit të kafesë, alkoolit dhe nikotinës
- Pakësimi/evitimi i stresit
- Kryerja e aktivitetit fizik të rregullt, mundësisht në ajër të pastër (biçikletë, joga, not, ecje, etj.)
- Gjumi i rregullt dhe me kohëzgjatje të mjaftueshme
- Evitimi i faktorëve shpërthyes. Vlerë të madhe ka mbajtja e një ditari personal, ku të shënohen oraret dhe karakteristikat e dhimbjeve të kokës.
- Shkarkimi i tensioneve muskulare ose emocionale, nëpërmjet përdorimit të teknikave të relaksimit, jogës , kontrrollit të frymëshkëmbimit, relaksimit progresiv Jacobson, etj.
- Aplikimi i masazheve, akupunkturës, akupresurës, hidroterapisë, termoterapisë, etj.
- Përdorimi i analgjezikëve ose medikamenteve të tjera kundër dhimbjes së kokës vetëm për periudha të shkurtra kohore. Kjo për faktin se në mënyrë paradoksale mbipërdorimi i analgjezikëve mund të shkaktojë dhimbje koke ose ta përkeqësojë atë. Përgjithësisht, këshillohet të mos përdoren analgjezikë për më shumë se 3 ditë rresht dhe jo për më shumë se 10 ditë në muaj.
Kur dhimbjet e kokës janë të lehta ose vetëm me raste, nuk është e nevojshme konsulta me mjekun. Megjithatë, nëse ato shfaqen rregullisht, vazhdojnë për një kohë më të gjatë se zakonisht ose janë tepër të forta, këshillohet konsulta mjekësore.
Është e detyrueshme dhe sa më parë konsulta mjekësore në të gjitha rastet me dhimbje koke të fortë të papritur, të shoqëruar me një nga çrregullimet e mëposhtme:
- temperaturë e lartë
- ngurtësim i qafës: pacienti i shtrirë në shpinë nuk arrin dot të vendosë kokën mbi gjoks; ngritja e kokës së pacientit është ekstremisht e dhimbshme dhe qafa duket më e ngurtë se zakonisht.
- çrregullime neurologjike të papritura: mpirje, çrregullime të të folurit, epilepsi, turbullime të ndërgjegjes, etj.
Me cilin mjek duhet të konsultoheni?
- Mjeku i familjes (i përgjithshëm)
- Mjeku internist
- Mjeku neurolog
- Mjeku ORL
- Stomatologu
- Mjeku okulist
- Mjeku ortoped
Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.
Në parim, marrja e anamnezës dhe egzaminimi fizik i mjaftojnë mjekut për vendosjen e diagnozës që lidhet me dhimbjen e kokës. Kjo vlen edhe për rastet kur pacienti vuan nga migrena, cefaleja e tensionit, algjia vaskulare e fytyrës ose cefaleja nga mbipërdorimi i medikamenteve. Egzaminime të tjera mjekësore mund të nevojiten vetëm kur natyra e cefalesë mbetet e paqartë, ose kur në origjinën e saj mund të jetë një sëmundje tjetër.
Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:
- Pyetjet e lidhura me dhimbjen e kokës: prej sa kohësh është shfaqur, me çfarë shpeshtësie, me çfarë intensiteti, lokalizimi i dhimbjes, karakteri i saj (djegëse, therrëse, mpirëse, pulsatile, shtypëse, rënduese), kohëzgjatja e saj, faktorët shpërthyes, faktorët lehtësues, faktorët përkeqësues; tek femrat: shoqërimi i mundshëm me menstruacionet, etj.
- Njohja e mjekut me simptomat shoqëruese: të përziera, të vjella, ndjeshmëria e lartë ndaj dritës dhe zhurmave, lotimi, etj.
- Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme, si hipertensioni arterial, lëndimet në zonën e qafës, etj.
- Prania e cefalesë në pjesëtarë të tjerë të familjes (psh.raste me migrenë)
- Informimi mbi sëmundje ose shkaqe vdekjesh të rëndësishme në familjen e pacientit
- Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti, veçanërisht e analgjezikëve dhe pilulave kontraceptive
- Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
- Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, aktiviteti fizik, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, nikotina, drogat), stresi, etj.
Egzaminimi fizik
Përveç egzaminimit fizik klasik (matja e tensionit arterial, pulsit, auskultimit me stetoskop të mushkërive dhe zemrës, palpimit të organeve të barkut, etj.), mjeku duhet të verifikojë funksionimin e mirë të nervave të qafës, lëvizshmërinë e shtyllës kurrizore dhe muskulaturës së qafës, qarkullimin e gjakut në nivelin e qafës, kyçin e nofullave, si dhe dhëmbët, sytë dhe veshët.
Egzaminime të tjera mjekësore diagnostike
Egzaminimet mjekësore shtesë nevojiten kur natyra e cefalesë mbetet e paqartë ose kur në origjinën e saj mund të jetë një sëmundje tjetër. Në të tilla raste bëhet fjalë për egzaminime të tilla, si:
- Bilanci i analizave të gjakut
- Elektroencefalografia (EEG)
- Radiografia e vertebrave të qafës
- Skaneri, rezonanca magnetike
- Ekografia
- Analiza e lëngut truno-shpinor
Për më tepër informacion lidhur me egzaminimet mjekësore diagnostike, mund të përdorni lidhjen korresponduese me sëmundjen e kërkuar (faqa kryesore).
Dhimbjet e lehta të kokës, pa çrregullime shoqëruese dhe që shfaqen me raste trajtohen me "ilaçet e gjyshes" (psh. me aplikimin e vajit të mentes mbi ballë ose në tëmtha) ose me analgjezikë të lehtë. Gjithsesi, duhet treguar kujdes me mbipërdorimin e analgjezikëve (shih rubrikën“Si duhet të veproni?“
Dhimbjet e kokës parësore (migrena, cefaleja e tensionit, algjia vaskulare e fytyrës) kanë nevojë për trajtime më specifike.
Marrim shembullin e një krize të papritur migrenoze: ajo mund të trajtohet me analgjezikë specifikë antimigrenozë, por gjithashtu edhe nëpërmjet mbrojtjes kundër stimujve të tillë, si drita dhe zhurma (pushimi në një vend të qetë dhe të errët) ose edhe nëpërmjet teknikave të relaksimit, që mund të jenë gjithashtu të dobishme.
Kur një pacient vuan nga cefaletë dytësore, trajtimi i tyre bëhet në kuadrin e trajtimit të sëmundjes kryesore shkaktare të cefalesë (psh. mjekimi i dhëmbit, korrigjimi i çrregullimit të pamjes, trajtimi i hipertensionit arterial, etj.).
Përveç këtyre, egzistojnë edhe strategji të tjera të trajtimit jomedikamentoz, të tilla si:
- teknikat e relaksimit / reduktimi i stresit
- zotërimi i dhimbjeve
- terapia ushqimore
- kinezoterapia
- metodat fizike (aplikimi i nxehtësisë/të ftohtit/rrymës elektrike, masazheve, akupunkturës, akupresurës, etj.)