Infeksioni nga Helikobakter pilori
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Helikobakteri i pilorit është një bakter i pranishëm në stomakun e njeriut, ku mukoza e stomakut përbën një terren tepër të favorshëm për shumëzimin e tij.
Për një kohë shumë të gjatë është menduar që lëngu i stomakut nuk lejonte mbijetesën e baktereve për shkak të aciditetit të tij, që është rreth 1 000 herë më i lartë se ai i acidit citrick.
Për t’u mbrojtur kundër këtij aciditeti të stomakut, helikobakteri i pilorit sekreton një enzimë, ureazën. Falë kësaj enzime, rreth bakterit formohet një re mbrojtëse prej amoniaku, që asnjanëson mjedisin e tij.
Veç kësaj, bakteri prodhon një helm (toksinë), që ndërhyn në metabolizmin e qelizave të mukozës (shtresës së brendshme) së stomakut, duke rritur prodhimin e acidit të stomakut. Kjo situatë rezulton në inflamacione kronike (të vazhdueshme). Toksinat sulmojnë gjithashtu direkt mukozën e stomakut, pa rritur prodhimin e lëngut të stomakut. Në fakt, jo të gjithë personat me Helikobakterin e pilorit të pranishëm në stomak, shfaqin domosdoshmërisht ulçer ose simptoma të tjera të lidhura me stomakun.
Vlerësohet që rreth gjysma e popullatës në botë është e infektuar nga ky bakter. Rreth gjysma e personave të infektuar prej tij paraqesin simptoma. Infeksionet nga helikobakteri i pilorit janë veçanërisht të shpeshta në vendet e botës së tretë.
Bakteri është përgjegjës për inflamacione kronike të stomakut (gastrit), ulçera të stomakut dhe duodenit, si dhe për kancerin e stomakut.
Infeksioni nga Helikobakteri i pilorit fitohet përgjithësisht gjatë fëmijërisë. Në ditët e stome, përhapja e saktë e bakterit është akoma e panjohur.
Gjithsesi, Helikobakteri i pilorit është shumë më i shpeshtë në vendet ku marrëdhëniet shoqërore dhe ekonomike janë të këqia. Ky konstatim përforcon dyshimin se kushtet e këqia higjienike favorizojnë përhapjen e tij. Bakteret futen në gojë përmes ushqimeve të ndotura ose materialeve të jashtëqitura (feçeve), dhe më pas ato arrijnë në stomak ku edhe shumëzohen.
Aktualisht, nuk dihet ende nëse është i mundur transmetimi i drejtpërdrejtë nga njeriu tek njeriu (nëpërmjet kontaktit trupor, puthjeve, etj.). Transmetimi mund të ndodhë edhe kur kushtet higjienike janë normale. Është e sigurt që Helikobakteri i pilorit është i pranishëm në çdo qënie tjetër të gjallë. Faktorë të tillë, si ngrënia shumë e shpejtë e ushqimit, ushqimet tepër të pasura me yndyrna, duhanpirja, alkoolizmi ose historia për kancer të stomakut në familje, e shoqëruar nga një infeksion ndaj Helikobakterit të pilorit, mund të rritin në një shkallë të rëndësishme rrezikun e kancerit të stomakut.
Për një kohë të gjatë është menduar që stresi ishte përgjegjësi i vetëm i ulçerave të stomakut. Është e vërtetë që stresi rrit prodhimin e acidit të stomakut dhe dobëson sistemin imunitar (mbrojtës). Për pasojë, stomaku bëhet më i ndjeshëm ndaj baktereve, duke favorizuar zhvillimin e gastritit (inflamacionit të tij).
Më pas, në vitet 80, u identifikua Helikobakteri i pilorit si një faktor tjetër rreziku, për të cilin iu dha çmimi Nobel i mjekësisë në vitin 2005 dy mjekëve australianë që kishin zbuluar bakterin, Barry Marshall dhe Robin Warren.
Jo të gjithë personat, që kanë të pranishëm në stomakun e tyre Helikobakterin e pilorit, duhet domosdoshmërisht të sëmuren ose të paraqesin simptoma (shqetësime).
Bakteri mund të jetë në origjinën e një gastriti, të një ulçere të stomakut ose të duodenit. Gjithashtu, edhe kanceri i stomakut mund të jetë rezultat i dëmtimit të vazhdueshëm të mukozës (shtresës së brendshme) të stomakut nga ky bakter. Simptomat varen nga sëmundja që ka shkaktuar Helikobakteri i pilorit.
Infeksioni me këtë bakter manifestohet me simptomat e mëposhtme:
- Dhimbje në zonën e stomakut, që mund të shfaqen para, gjatë ose pas ngrënies. Ato janë shpesh më të forta gjatë natës ose herët në mëngjes, krahasuar me ditën.
- Të vjella, të përziera, mungesë e oreksit, dobësi e përgjithshme trupore.
- Aromë e keqe e frymës, shfaqje e depozitimeve (pllakave) në gjuhë.

Diagnoza e Helikobakterit të pilorit vendoset nga mjeku gastro-enterolog, duke u bazuar në:
- Historinë personale të sëmundjes dhe simptomat e pacientit.
- Historinë familjare të pacientit për sëmundje të stomakut dhe zorrëve.
- Testin e frymëshkëmbimit (spirometria)
- Eksplorimin e stomakut me sondë (fibrogastroskopia), nëpërmjet së cilës mund të merret material për biopsi.
- Matjen në gjak të nivelit të antitrupave të prodhuara nga organizmi kundër Helikobakterit të pilorit. Ato qëndrojnë gjatë në organizëm, jo vetëm gjatë fazës akute të infeksionit.
- Egzaminime të tjera shtesë, si radiografitë, ekografia dhe eksplorimi i zorrës (kolonoskopia).

Jo çdo person që ka të pranishëm në stomak Helikobakterin e pilorit duhet të trajtohet. Trajtimi duhet të fillohet vetëm nëse shfaqen simptomat, të lidhura me një inflamacion të thjeshtë (gastrit) ose ulçer të stomakut.
Medikamentet
Në rastin e infeksionit nga Helikobakteri i pilorit, trajtimi specifik përfshin dy antibiotikë të ndryshëm dhe një frenues të aciditetit të stomakut (frenues i pompës protonike). Ky trajtim zgjat përgjithësisht 1-2 javë dhe është tepër efikas. Ai mundëson shërimin e shpejtë të inflamacionit akut të mukozës së stomakut.
Në rastin e ulçerës, gastritit ose kancerit të stomakut, duhet të fillohet trajtimi i përshtatshëm, sipas rastit.