logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Stroboskopia: Ekzaminimi i kordave të zërit
Stroboskopia: Ekzaminimi i kordave të zërit

Çfarë është stroboskopia?

Stroboskopia përdoret për të vlerësuar çrregullimet e zërit në nivelin e kordave të zërit, që gjenden në laring. Në një laringoskopi normale, kordat e zërit evidentohen në një ekran, ku në sajë të një burimi drite të kontrolluar, lëkundja shumë e shpejtë e kordave të zërit shihet si "e ngadalësuar". Ky fenomen ngjan me atë të diskotekave, ku në sajë të dritave të shpejta dhe të rregullta, të gjitha lëvizjet perceptohen sikur të ishin të ndara dhe të ngadalësuara. Stroboskopia zbulon me saktësi çrregullimet e lëvizjes së kordave të zërit dhe identifikon ndryshime të vogla në nivelin e tyre, si noduset, kistet ose polipet. Stroboskopia plotëson laringoskopinë normale dhe nuk është e dhimbshme.

Stroboskopia është një ekzaminim i fushës së Otorinolaringologjisë.

A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë përpara stroboskopisë?

Në rastet kur nevojitet, për të pakësuar ndjeshmërinë e fytit dhe për pasojë edhe refleksin e të përzierit, përdoret një sprai me anestezik në zonën e fytit (për mpirje lokale).

Çfarë duhet të sqarohet para stroboskopisë?

Nuk nevojitet ndonjë sqarim i veçantë përpara kryerjes së stroboskopisë.

Si realizohet stroboskopia?

Stroboskopia kryhet me pacientin në pozicionin ulur. Endoskopi (stroboskopi) futet në grykë përmes gojës së hapur në maksimum, ndonjëherë mund të kryhet duke e futur edhe përmes hundës, nëpërmjet një sistemi pamor fleksibël. Kordat e zërit evidentohen në një ekran, ku fillimisht, kërkohet për praninë e skuqjes, noduseve ose ndryshimeve të tjera. Më pas, verifikohet nëse kordat janë mbyllur mirë gjatë nxjerrjes së tingullit «aaaa», dhe lëvizja e tyre normalisht shumë e shpejtë vëzhgohet «me ngadalë» në ekran dhe njëkohësisht regjistrohet (videostroboskopia).

Kur kryhet stroboskopia?

Ky ekzaminim shërben kryesisht për diagnostikimin e çrregullimeve të zërit si pasojë e problemeve të kordave të zërit. Gjithashtu, ai shërben edhe për të vlerësuar aftësinë profesionale në profesione të caktuara, të lidhura me të folurin ose me të kënduarin (si mësues, pedagog, prezantues në radio/TV, këngëtar, etj.).

Arsyet e shpeshta për kryerjen e stroboskopisë janë:

  • Mosfunksionimi i kordave të zërit për shkak të mbingarkesës ose keqpërdorimit të tyre
  • Ngjirja e zërit ose dhimbja e fytit pas një bisede të gjatë
  • Inflamacioni i kordave të zërit
  • Dobësia e zërit (lodhje e shpejtë kur flet ose këndon)
  • Paraliza e kordave të zërit
  • Tumoret e kordave të zërit, kanceri i laringut
  • Ndryshimet e kordave të zërit: noduset, kistet, polipet

A paraqet stroboskopia rreziqe ose efekte të padëshiruara?

Ky ekzaminim është përgjithësisht i padhimbshëm dhe i parrezikshëm. Dëmtimet e mukozës së fytit ose të laringut janë ektremisht të rralla. Gjithsesi, laringoskopia përjetohet nga disa njerëz si proçedurë e pakëndshme; refleksi i të përzierit mund të pakësohet duke përdorur një sprai me anestezik në grykë.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.