logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Dhimbjet e gjoksit (kraharorit) janë të frikshme dhe duhen kontrolluar nga mjeku.
Dhimbjet e gjoksit (kraharorit) janë të frikshme dhe duhen kontrolluar nga mjeku.

Dhimbjet në kraharor (dhimbjet torakale-në zhargonin mjekësor) mund të jenë dhimbje të zakonshme të muskujve ose të skeletit të asaj zone, por gjithashtu mund të paralajmërojnë edhe një sëmundje serioze të zemrës ose mushkërive. Sëmundjet e stomakut ose ezofagut mund të shkaktojnë gjithashtu dhimbje në kraharor. Në çdo rast që dyshoni për një dhimbje të tillë, kërkoni menjëherë këshillën e mjekut!

Dhimbjet e kraharorit mund të shfaqen në mënyra të ndryshme, në varësi të shkakut. Kështu, mund të ndryshojë:

  • Karakteri i dhimbjes: si djegie, shtypje, thithje, tërheqje, etj.
  • Intensiteti i dhimbjes: duke filluar nga djegie e lehtë jospecifike deri në dhimbje të fortë të padurueshme.
  • Manifestimi i dhimbjes: fillimi i papritur (akut) ose progresiv.
  • Evolucioni: dhimbjet mbeten të njëjta si në fillim, shtohen me kalimin e kohës, janë konstante ose shfaqen dhe largohen vetë.
  • Vendndodhja: e përcaktuar në një pikë të kafazit të kraharorit ose e shpërndarë në të gjithë këtë zonë.
  • Situatat ose shpërthyesit: në qetësi ose gjatë sforcimit fizik, gjatë frymëthithjes ose frymënxjerrjes, gjatë ekspozimit ndaj të ftohtit, gjatë ose pas ushqyerjes, gjatë lëvizjeve ose pozicioneve të caktuara (ulur, shtrirë, në këmbë, etj).

Lloji i dhimbjes së kraharorit dhe i simptomave shoqëruese të saj janë tregues të mirë të shkaqeve të mundshme. Kështu:

  • Shkaqet muskulare: dhimbje gjatë shtypjes në një pikë të caktuar 
  • Sëmundjet e mushkërive: dhimbje kraharori e lidhur me frymëthithjen ose frymënxjerrjen.
  • Sëmundjet e trakesë, ezofagut: djegie pas kafazit të kraharorit.
  • Sëmundjet e shtyllës kurrizore ose të brinjëve: dhimbje e përcaktuar ose që shtrihet përgjatë brinjëve.
  • Sëmundjet e zemrës: angina pektoris manifestohet me dhimbje shtypëse ose djegie prapa dërrasës së kraharorit, të cilat mund të provokohen nga stresi fizik apo psikologjik. Në rastin e infarktit të miokardit, dhimbja është e menjëhershme, e fortë, dhe shoqërohet nga një ndjesi shtypjeje mbi karaharor, vështirësi në frymëmarrje, djersë të ftohta dhe frikë nga vdekja. Zakonisht (por jo gjithmonë), gjatë infarktit të miokardit dhimbja përhapet në pjesë të tjera të trupit, si në krahun e majtë, qafë, shpinë apo shpatull.
  • Simptoma shoqëruese të mundshme janë: vështirësi në frymëmarrje, të përziera, të vjella, palpitacionet, aritmi, ethe, frikë, ankth, axhitim, rënie të presionit të gjakut, zbehje, djersë të ftohta.

Shumë shkaqe mund të japin dhimbje kraharori. Kështu, mund të jetë një tension i thjeshtë muskulor, por edhe një sëmundje kërcënuese për jetën, si infarkti i miokardit ose embolia pulmonare. Ndonjëherë shkaku mund të jetë psikologjik. Në disa raste, dhimbjet e barkut mund të reflektohen në kafazin e kraharorit dhe referohen nga pacienti si dhimbje kraharori.

Ndër shumë sëmundje që mund të shkaktojnë dhimbje kraharori, si më të shpeshtat përmendim:

Sëmundjet e zemrës

  • Sëmundja e arterieve koronare të zemrës (angina pektoris)
  • Dështimi i punës së zemrës (Insufiçienca kardiake)
  • Infarkti i zemrës (Infarkti i miokardit)
  • Presioni i lartë i gjakut (Hipertensioni arterial)
  • Inflamacioni i murit të zemrës (endokarditi), i muskulit të zemrës (miokarditi) ose i cipës së zemrës (perikarditi)
  • Grumbullimi i lëngjeve në cipën e zemrës (edema perikardiale)

Sëmundjet e mushkërive dhe rrugëve të frymëshkëmbimit 

Sëmundjet e organeve të barkut

Sëmundjet e muskujve dhe kockave të kafazit të kraharorit

Shkaqe të tjera

Nëse ndjeni dhimbje të menjëhershme të kraharorit, është më e sigurt të konsultoheni me një mjek, pasi nuk keni shumë mundësi për të ndihmuar veten. Një mënyrë jetese e shëndetshme ndihmon në parandalimin e disa shkaqeve të dhimbjes së kraharorit, siç është sëmundja kardiovaskulare. 

Për këtë qëllim shërbejnë këto masa:

  • Mospirja e duhanit
  • Një dietë e shëndetshme, me sa më pak kolesterol, për të evituar rrezikun e kalcifikimit të enëve të gjakut (ateroskleroza)
  • Reduktimi i mbipeshës trupore
  • Aktiviteteti fizik i rregullt
  • Konsumi i kufizuar i alkoolit
  • Shmangia e stresit
  • Trajtimi i sëmundjes së refluksit të ezofagut, presionit të lartë të gjakut, diabetit të sheqerit.
  • Pacientët me anginë duhet ta mbajnë mjekimin gjithmonë me vete (Nitroglicerinë-sprai).

Në rast të dhimbjes së përsëritur ose të gjatë të kraharorit, duhet të konsultoheni me një mjek. Nëse dhimbja shfaqet papritmas, duhet të kërkohet konsultë e menjëhershme mjekësore, pasi mund të jetë infarkt miokardi ose emboli pulmonare. Çdo minutë është vendimtare për jetën e pacientit.

Shenjat paralajmëruese për dhimbjen e kraharorit janë të përzierat, të vjellat, vështirësia në frymëmarrje, palpitacionet, aritmia, djersitja dhe frika. Nëse personi që shfaqi dhimbje të kraharorit nuk merr frymë dhe është i pavetëdijshëm, duhet të praktikohen masat e ringjalljes së ndihmës së parë: telefononi shërbimin e urgjencës mjekësore dhe në pritje të mbërritjes së ambulancës kryeni masazhin në zemër dhe frymëmarrjen gojë më gojë.

Tek cili mjek duhet të drejtoheni për konsultë?

Për të patur një tablo të qartë të simptomave aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku duhet të njihet me historinë mjekësore (anamnezën)  të pacientit dhe të kryejë ekzaminimin klinik të tij (prekjen, dëgjimin me stetoskop, etj.) Më pas, mjeku mud të rekomandojë edhe ekzaminime më specifike.

Në rastet e dhimbjeve të menjëhershme të kraharorit, mjeku vlerëson që në fillim nëse rrezikohet jeta e pacientit (sulm në zemër, emboli pulmonare), apo nëse situata është më pak e rëndë. Kështu, një përshkrim i saktë i simptomave (lloji i dhimbjes, vendndodhja, gjendja në të cilën ndodhet pacienti, etj.) jep informacionin e nevojshëm.

Historia mjekësore (anamneza) përmban:

  • Pyetje rreth dhimbjes së kraharorit: shiko rubrikën  "si manifestohen simptomat?"
  • Simptomat: marrje frymë, palpitacione, aritmi, të përziera, të vjella, diarre, kapsllëk, vështirësi në gëlltitje, djersë të ftohta, etj.
  • Histori të mëparshme për sëmundje kardiovaskulare, emboli pulmonare, tromboza, përfshirë edhe aksidente dhe operacione të mëparshme. 
  • Shkaku i sëmundjeve ose vdekjeve në familje
  • Alergjitë e mundshme
  • Marrja e medikamenteve të caktuara
  • Faktorët e rrezikut kardiovaskular: duhanpirja, obeziteti, kolesteroli i lartë, diabeti i sheqerit, hipertensioni arterial, sëmundjet e zemrës në pjesëtarë të familjes, etj.
  • Kushtet e jetesës, aspektet sociale dhe profesionale.

Ekzaminimi klinik

Mjeku vlerëson fillimisht funksionin e zemrës (pulsin, tensionin e gjakut), mushkëritë dhe barkun. Edhe në raste të dyshimit më të vogël për infarkt të miokardit, duhet të kryhet një EKG (elektrokardiograma) dhe të testohen enzimat e zemrës në gjak.

Ekzaminime të veçanta

Terapia e dhimbjes së kraharorit gjithmonë varet nga shkaku. Dhimbja mund të lehtësohet pas marrjes së disa medikamenteve kundër dhimbjeve.

Disa shembuj të trajtimit të shkaqeve të dhimbjes së kraharorit:

  • Në rast të një sulmi në zemër, duhet të merren menjëherë masat e ndihmës së parë (duke i dhënë oksigjen, medikamente kundër dhimbjes dhe hollues të gjakut) dhe të bëhet zhbllokimi i enëve të gjakut të zemrës sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo zakonisht realizohet nëpërmjet futjes së një kateteri kardiak, i cili do të lejojë hapjen e enëve me ndihmën e një baloni. Për të mbajtur enën e hapur zakonisht vendoset një stent. Nëse brenda 2 orëve të para, nuk është i mundur kateterizimi i zemrës, duhet të administrohen medikamente të veçanta për të shkrirë koagulat e pranishme në enët e gjakut (lizat terapeutike). Nëse kateterizimi i zemrës nuk funksionon dhe pacienti rrezikohet nga ndërlikime fatale,  duhet të realizohet një ndërhyrje emergjente, që mundëson krijimin e një anashkalimi (baipasi). 
  • Në rast të dhimbjes së kraharorit nga angina pektoris, medikamentet që zgjerojnë enët e gjakut (vazodilatatorët) në formën e sprait ose tabletës, i trajtojnë simptomat shpejt dhe në mënyrë efektive.
  • Embolia pulmonare trajtohet duke administruar oksigjen dhe antikoagulantë (hollues të gjakut). Nëse, pas këtyre masave terapeutike, përsëri ndodh një embolizëm pulmonar, mund të vendoset një filtër në enët e gjakut, për të parandaluar vajtjen e trombit në mushkëri.
  • Dhimbja në ezofag pas refluksit të acidit të stomakut (refluksit gastrik) trajtohet me medikamente, dhe në raste ekstreme mund të rekomandohet kirurgji.
  • Dhimbjet e kraharorit prej problemeve të skeletit ose muskujve do të trajtohen para së gjithash me gjimnastikë, masazh, akupunkturë, etj.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...