logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Rrufa: simptomë tipike e ftohjes ose alergjisë.
Rrufa: simptomë tipike e ftohjes ose alergjisë.

Nga këndvështrimi statistikor, riniti (rrufa) prek një person të rritur mesatarisht tre herë në vit. Ai përfaqëson një sëmundje akute të mukozave të hundës, përgjithësisht e shkaktuar nga viruset.

Një rinit akut pa ndërlikime zgjat rreth 5 ditë. Gjithsesi, epiteli ciliar e rimerr plotësisht funksionin e tij pas 3-4 javësh. Gjatë kësaj periudhe, pacienti është tepër i brishtë dhe i rrezikuar për një infeksion të ri.

Më shpesh, rrufa është shenja e parë e një infeksioni gripal.

Meqenëse trajtimet e një riniti akut , alergjik ose kronik, janë tepër të ndryshme, në këtë kapitull do të trajtohet vetëm forma akute.

 

Kohët e fundit, studiuesit kanë konstatuar se rrufa mund të jetë e lidhur ekspozimin ndaj temperaturave të ulëta dhe ngricave. Gjithsesi, ata kanë pranuar se rezultati varet edhe nga organizmi I personit të ekspozuar në të tilla kushte.

Riniti dhe ftohjet mund të shkaktohen gjithashtu edhe nga viruset. Në 30% të infeksioneve, agjentët shkaktarë janë rino viruset, virusi RS, virusi i influencës dhe parainfluencës dhe adeno viruset, që mund të jenë të përfshira. Infektimi në këto raste kryhet kryesisht nëpërmjet kontaktit me sekrecionet nazale të nxjerra nga hunda) të infektuara, por sëmundja mund të ngjitet edhe nëpërmjet spërklave të pështymës gjatë kollës, teshtitjes ose të folurës.

Rritja e shkallës së ndotjes mund të ndryshojë në mënyrë të theksuar mbrojtjen natyrale të hundës (shërben si barrierë për mikroorganizmat e mëdha, ngroh dhe lagështon ajrin që futet nga jashtë).

Rrufa që zgjat gjatë gjithë vitit është e lidhur shpesh me një alergji, si p.sh nga pluhuri, kafshët shtëpiake ose polenet. Disa lëndë kimike si bojrat, metalet dhe materialet e ndërtimit mund të shkaktojnë rinit kronik.

Më shpesh, riniti akut fillon me kruajtje në nivelin e hundës, të syve, faringut dhe kanalit të jashtëm të dëgjimit. Ndonjëherë, mund të shfaqen edhe kriza të teshtitjes.

  • Më pas, shfaqet rrjedhja nga hundët dhe bllokimi i tyre. Sekrecionet e hundës janë të qarta dhe të ujshme në fillim, më pas ato trashen dhe marrin një ngjyrë jeshile në të verdhë.
  • Lagështia e përhershme dhe ngacmimet mekanike (nga fshirja e shpeshtë e hundës) mund të shkaktojnë dëmtime në hyrje të saj.
  • Fëmijët e vegjël shfaqin shpesh edhe çrregullime të gjumit, të vjella, diarre dhe mungesë të oreksit.
  • Të rriturit, mund të shfaqin dobësi të përgjithshme trupore, lodhje, dhimbje shtypëse në kokë dhe ethe. Shpesh, mund të konstatohet një rritje e lehtë e temperaturës.
  • Riniti shoqërohet shpesh nga një konjuktivit (inflamacion i konjuktivës). Gjithashtu, gjatë disa ditëve pacienti mund të shfaqë edhe çrregullime të nuhatjes dhe shijimit.
  • Një rinit akut zgjat normalisht rreth 5 ditë. Pas këtij afati sëmundja duhet të shërohet plotësisht. Nëse ajo zgjat më tepër se kaq, duhet që rasti të konsultohet patjetër nga një mjek. Gjithashtu, konsulta me mjekun rekomandohet edhe në rastet me temperaturë të lartë, dhimbje të fytit, dhimbje të syve ose dhimbje në zonën e ballit. Në të gjitha këto raste, sëmundja është përhapur në sinuset e hundës.

Që në fillim, mjeku informohet në mënyrë të hollësishme nga i sëmuri dhe familjarët e tij, për të kuptuar nëse bëhet fjalë për një rinit kronik ose alergji.

Në varësi të shkaqeve, dallohen:

  • Riniti alergjik: është i lidhur me stinën, gjithë vitin ose i lidhur me aktivitetin profesional.
  • Riniti infeksioz: akut ose kronik
  • Riniti i lidhur më një ndryshim strukturor: nga polipet e hundës, deformimi i kockës së hundës ose zgjerimi i konkave të hundës.
  • Riniti i brendshëm (intrinsek), që shkaktohet nga një sëmundje e gjendrave brenda hundës.

Identifikimi i agjentit shkaktar mund të realizohet nëpërmjet evidentimit të virusit në sekrecionet e hundës. Për të përjashtuar një grip, mjeku mund të kryejë analizën e gjakut të pacientit.

 

Për trajtimin korrekt të rinitit:

  • Është thelbësor respektimi i një regjimi ushqimor të ekuilibruar dhe të pasur me vitamina gjatë sëmundjes.
  • Në rastin e temperaturës së lartë, rekomandohet regjimi i shtratit.
  • Pushimi dhe gjumi i mjaftueshëm ndihmojnë në shërimin e shpejtë. Gjatë sindromit gripal, rekomandohet ndërprerja e çdo aktivitetiti sportiv.
  • Duhet të pihen shumë lëngje (si psh çaj i ngrohtë), sepse ndihmojnë në hollimin e mukusit dhe kompensimin e lëngjeve të humbura gjatë djersitjes së theksuar. Sipas një studimi amerikan, supa e pulës ka rezultuar me efekt anti-inflamator.
  • Mbështjellja me mbulesa të ngrohta dhe thithja e avullit të solucionit të ujit me kripë ndihmon në hollimin e sekrecioneve.
  • Pozicioni i ngritur i kokës gjatë natës
  • Ndërprerja e duhanit dhe alkkolit
  • Larja e rregullt e duarve me sapun dhe përdorimi i pecetave të sapunisura, që pakësojnë përhapjen e shpejtë të viruseve dhe bakterieve.
  • Këshillat e gjysheve: kompresa me qepë dhe djath të bardhë, çorape të lagura me uthull në rast temperature të lartë.

Trajtimi medikamentoz

  • Nuk egziston asnjë trajtim që të luftojë shkakun e një infeksioni viral, ndërkohë që përdoren medikamente që lehtësojnë simptomat e tij.
  • Pikat në hundë ulin edemën lokale, lirojnë frymëmarrjen me hundë dhe lejojnë rrjedhjen e përmbajtjes së sinuseve.
  • Edhe pse janë të nevojshme, këto medikamente nuk duhet të përdoren për më tepër se 5-7 ditë, pasi në të kundërt mund të shkaktojnë një varësi prej tyre, të quajtur «riniti medikamentoz».
  • Sipas studimeve të fundit, bima echinacea nuk ka asnjë ndikim mbi kohëzgjatjen e rrufës dhe as mbi shkallën e simptomave të pacientit.
  • Bimët kineze kanë rezultuar tepër të dobishme mbi ecurinë e sëmundjes.
  • Rezultatet e studimeve lidhur me efektin e zinkut për trajtimin e rrufës janë kontradiktore. Për këtë arsye, nuk mund të jepet një opinion përfundimtar mbi këtë argument.
  • Veprimi i dobishëm i vitaminës C duket të jetë relativisht i kufizuar në rastin e rrufës. Në fakt, është provuar vetëm që marrja e saj me qëllim parandalues, rezulton efikase mbi kohëzgjatjen dhe intensitetin e rrufës.

Kur duhet të konsultoheni me mjekun?

  • Në të gjitha rastet kur keni temperaturë të lartë të vazhdueshme, dhimbje të syve, dhimbje koke të forta ose probleme me frymëmarrjen.
  • Nëse simptomat e mësipërme janë të pranishme, mund të jenë infektuar edhe persona të tjerë.

 

 

Në përgjithësi, një rinit i thjeshtë shërohet pa ndërlikime.

Në rastin e inflamacionit të rëndë të mukozave ose të rënies së aftësive mbrojzëse të organizmit, mund të shfaqen sëmundje të rënda si otiti i mesëm, pneumonia, pleuriti, sinuziti maksilar ose frontal.

Për parandalimin e një riniti, është e nevojshme të forcohet dhe mobilizohet sistemi imunitar i organizmit.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...