Goditja nga dielli
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Rrezet e diellit UV (ultraviolet) janë shkaku i goditjes nga dielli. Sëmundja paraqitet në formën e një inflamacioni steril të meningjeve, që njihet si meningit. Emërtohet “steril”, sepse ky inflamacion nuk shkaktohet as nga bakteriet, as nga viruset, por vetëm nga rrezatimi diellor. Simptomat kryesore të një meningiti steril janë të njëjta me ato bakteriale ose virale: dhimbje koke e fortë dhe ngurtësim i qafës.
Kujdes: Nuk duhet ngatërruar goditja nga dielli me goditjen nga nxehtësia, sepse kjo e fundit shkaktohet nga rritja e nxehtësisë trupore, pavarësisht rrezatimit diellor.
Goditja nga dielli ka nevojë të menjëhershme për freskim dhe zhvendosje në hije të personit të prekur. Situata mund të jetë vdekjeprurëse, nëse shkakton ethe të fortë ose humbje të ndërgjegjes.
Shkak i kësaj situate është rënia e rrezeve të diellit (UV) në zonën e kokës dhe të qafës. Këto rreze përshkojnë flokët, lëkurën dhe kockat e kafkës, duke depërtuar në tru.
Rritja e shkallës së furnizimit të trurit me gjak shkakton nxehje lokale dhe, për pasojë, inflamacion të meningjeve. Ashtu si edhe në rastin e goditjes nga nxehtësia, temperatura e jashtme e lartë apo një sforcim fizik i rëndësishëm, mund të ndikojnë në shfaqjen e goditjes nga dielli.
Kjo gjendje mund të shkaktohet edhe nga qëndrimi në lartësi apo mbi një sipërfaqe të ngrirë, nën rrezatimin e fortë diellor.
Personi i goditur nga dielli karakterizohet nga këto simptoma:
- Kokë e skuqur dhe e nxehtë
- Dhimbje koke të forta
- Ngurtësim i qafës
- Të përziera, të vjella
- Marrje mendsh
- Humbje e ndërgjegjes (raste të tilla përbëjnë urgjencë mjekësore)
- Temperaturë në rritje dhe të dridhura
- Konjuktivit ose djegie sysh
- Dëmtime të lëkurës (djegie nga dielli)

Menjëherë pas shenjave të para, personi duhet larguar nga dielli dhe të zhvendoset në një ambient të freskët (në shtëpi, nën hijen e pemëve, në ajër të pastër, nën një çadër apo strehë mbrojtëse).
Veprimet e menjëhershme në të tilla raste
Kur personi është i ndërgjegjshëm:
- duhet të shtrihet në mënyrë korrekte me kokën të vendosur në pozicion të ngritur dhe veshje të lirshme e që nuk e shtrëngojnë në trup
- i vendosen kompresa të freskëta në kokë dhe në qafë, mundësisht në të gjithë trupin, për ta freskuar. Kujdes: nuk duhen vendosur asnjëherë qese me akull direkt në kokë
- i jepet një pije e freskët, ndoshta e vakët (por jo e nxehtë!) në formën e çajit me sheqer, lëngut të mishit ose të perimeve, ose përzierje e ujit me pak lëng frutash dhe me pak kripë (për të kompensuar humbjen e kripës)
Nëse personi nuk është i ndërgjegjshëm:
- të njoftohet ndihma e shpejtë ose një mjek
- të vendoset pacienti në pozicionin anësor të sigurisë, dhe të mos lihet vetëm
- të mbulohet gjithë trupi me një mbulesë të freskët, por të mos vendoset akull në kokë

Për të parandaluar goditjen nga dielli, rekomandohet:
- Të evitohet qëndrimi në diell për kohë të gjatë, veçanërisht në orët e mesditës.
- Të mbahet kapele: nëse është e mundur me material ajrosës.
- Të mbrohemi nga dielli nëpërmjet veshjeve të përshtatshme për temperaturën.
- Të konsumohen lëngje në sasi të mjaftueshme: të paktën 2-3 litra në ditë.
- Të përdoren syze mbrojtëse ndaj diellit, me një tregues të lartë të mbrojtjes UV, madje edhe gjatë qëndrimit në dëborë.
- Të evitohet konsumi i alkoolit.
- Të evitohen qëndrimet në ambiente të populluara, kur bën shumë nxehtë.
Kujdes: qëndrimi për kohë të gjatë në ujë, pa e mbrojtur kokën me kapele, mund të shkaktojë goditje nga dielli!
Rregullat gjatë të nxehtit
- Të evitohen aktivitetet fizike.
- Të përdoren veshje sa më të freskëta, me ngjyra të çelura.
- Të konsumohen sasi të mëdha lëngjesh, shoqëruar edhe me sasi të mjaftueshme të kripës në ushqim dhe lëngje.
- Të konsumohen ushqime të freskëta dhe me efekt freskues.