Sindromi Addison (Insufiçienca e kores mbiveshkore, Morbus Addison)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Sindromi Addison është një sëmundje e gjendrave mbiveshkore, të cilat janë dy në numër dhe gjenden nga një mbi secilën veshkë. Ato përbëhen nga pjesa e jashtme, korja, dhe pjesa e brendshme, palca. Në kore prodhohen glukokortikoidet (kortizoli), mineralokortikoidet (aldosteroni) dhe hormone pararendëse të testosteronit (DHEA dhe androstenedioni). Në palcë prodhohen katekolaminat (adrenalina, noradrenalina).
Në rastin e sindromit Addison janë të mangëta të gjitha hormonet e kores së mbiveshkores, por kortizoli luan një rol më të rëndësishëm, pasi ai siguron energjinë dhe rrit performancën kur trupi gjendet nën stres ose në situata të vështira. Prodhimi i kortizolit varet nga nevojat e organizmit gjatë ditës. Aldosteroni është gjithashtu një hormon i rëndësishëm për shkak se luan rol të madh në rregullimin e presionit të gjakut. Mungesa e aldosteronit çon në eleminimin e kripës dhe ujit nga veshkat, duke ulur presionin e gjakut.
Trupi i rregullon nevojat për kortizol përmes një qarku që komandohet nga dy hormone në tru. Njëri nga këto hormone është ACTH, që nxit prodhimin e hormoneve të kores së gjendrave mbiveshkore, i cili prodhohet nga gjëndra e hipofizës në tru. Hormoni tjetër quhet CRH (faktori çlirues i ACTH), i cili nxit prodhimin e ACTH dhe prodhohet në hipotalam. Qarku i kontrollit të kortizolit funksionon në mënyrë të ngjashme me termostatin e sistemit ngrohës të një shtëpie, që e rregullon vetë temperaturën e ambientit. Në trup, niveli i kortizolit matet vazhdimisht në gjak, ashtu si termostati mat temperaturën dhe e rrit atë në rast se ajo bie.
Prodhimi i dy hormoneve të kontrollit do të rritet kur trupi të ketë nevojë për më shumë kortizol. Nga ana tjetër, nëse niveli i kortizolit është i mjaftueshëm, organet e kontrollit do të reagojnë në përputhje me rrethanat dhe kështu do të zvogëlojnë prodhimin e hormoneve të kontrollit. Sipas shkaqeve të sëmundjes Addison, dallohen: forma parësore (mosfunksionimi i gjendrave mbiveshkore) dhe forma dytësore (shkaku nuk është ne koren e mbiveshkoreve por në gjendrën e hipofizës).
Sëmundja Addison shpesh nxitet nga një çrregullim i sistemit imunitar, kur sistemi mbrojtës i trupit reagon kundër indit të kores mbiveshkore që prodhon hormone, duke e shkatërruar atë.
Shkaqe të rralla janë:
- Sëmundjet infektive, si p.sh tuberkulozi i gjendrave mbiveshkore.
- Tumoret malinje ose beninje të gjendrave mbiveshkore.
- Sëmundjet e gjendrës së hipofizës, që çojnë në mungesë të ACTH, si p.sh tumoret e hipofizës, metastazat, traumat e kafkës ose hemoragjitë cerebrale.
- Trajtimi afatgjatë me kortizol - marrja e medikamentit të kortizolit frenon prodhimin e kortizolit nga vetë trupi.

Në shumicën e rasteve, sëmundja Addison zhvillohet ngadalë. Kjo është arsyeja përse shqetësimet e pacientit fillimisht nuk janë të theksuara. Simptomat shkaktohen kryesisht nga mungesa e kortizolit dhe aldosteronit.
Shenjat kryesore të sëmundjes janë:
- Lodhja, humbja e fuqisë dhe e motivimit
- Humbja e peshës, ulja e oreksit
- Errësimi tipik i ngjyrës së lëkurës
- Dëshira për të konsumuar kripë për shkak të humbjes së kripës nga veshkat
- Presioni i ulët i gjakut (për shkak të humbjes së ujit dhe kripës nga veshkat)
- Niveli i ulët i sheqerit
- Tek femrat: mungesë e mestruacioneve, rënie e qimeve në zonën pubike, mungesë e dëshirës seksuale
- Tek meshkujt: impotencë seksuale, mungesë e dëshirës seksuale
Krizat e sëmundjes Addison
Pacientët që vuajnë nga sëmundja Addison nuk kanë asnjë shqetësim në përditshmërinë e tyre. Në momente të veçanta trupi i tyre ka nevojë për më shumë kortizol. Nëse kjo nevojë nuk plotësohet nga jashtë, mund të shfaqet një situatë kërcënuese për jetën, e quajtur Kriza Addisoniane, e cila manifestohet me diarre, të vjella, dehidratim, rënie të presionit të gjakut, çrregullime të qarkullimit të gjakut. Ajo konsiderohet emergjencë dhe duhet trajtohet sa më shpejt nga një ekip mjekësor i kualifikuar.

Përgjithësisht, sëmundja Addison zhvillohet gradualisht dhe simptomat në fillim janë jospecifike, prandaj shpesh diagnostikohet me vonesë. Përveç këtyre, pacientët kanë një ngjyrë normale në lëkurë dhe nuk ta japin përshtypjen e të qenit i sëmurë.
Nëse për shkak të simptomave dhe historisë së pacientit dyshohet sëmundja Addison, për të vendosur diagnozën duhet të kryhen ekzaminimet e mëposhtme:
- Testimi në gjak i hormoneve, si ACTH, kortizoli, aldosteroni
- Testimi në gjak i natriumit, kaliumit dhe sheqerit
- Testi i shpejtë me ACTH: pas injektimit të ACTH, normalisht niveli i kortizolit në gjak duhet të rritet. Nëse kjo nuk ndodh, konfirmohet sëmundja Adison.
- Testimi i antitrupave në gjak (nëse shkaku është imunologjik)
- Ekzaminimi me ultratinguj (ekografia), skaneri ose rezonanca magnetike shërbejnë për të përjashtuar ose vërtetuar praninë e një tumori ose gjakderdhjeje në gjendrat mbiveshkore ose në tru, etj.

Meqë shkaku i kësaj sëmundjeje ende nuk dihet, pacientët duhet të plotësojnë mungesën e hormoneve kortizol dhe aldosteron nëpërmjet tabletave nga goja, që duhet të merren për gjithë jetën.
E rëndësishme: në çdo situatë stresi (fizik, emocional, sëmundje të ndryshme, etj.) trupi kërkon më shumë kortizol. Gjithashtu, pacienti duhet të edukohet se si të rregullojë dozat e mjekimit për të shmangur një mbidozim të mundshëm.
Sëmundja Addison nuk mund të parandalohet. Pacientët duhet të shmangin të gjitha llojet e stresit dhe duhet të informohen mirë sesi të rregullojnë dozat e mjekimit, për të parandaluar një krizë Addisoniane. Nëse gjithsesi gjendja e tyre rëndohet (si psh. të vjellat, tensioni i ulët, etj), duhet të fillohet një trajtim emergjent. Personat me diagnozën Addison duhet të mbajnë gjithnjë me vete një kartë emergjence.