Insufiçienca renale akute (IRA)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Një individ i shëndetshëm ka dy veshka, funksioni i të cilave është nxjerrja e urinës nga organizmi me anë të proçesit të urinimit, me qëllim rregullimin e ekuilibrit acido-bazik dhe ekuilibrit të lëngjeve në organizëm. Gjithashtu, ato mundësojnë prodhimin e disa hormoneve dhe rregullimin e metabolizmit në kocka.
Insufiçienca renale akute nënkupton uljen e menjëherëshme, të pjesshme deri edhe të plotë të funksionit të veshkave.
Ndryshe nga insufiçienca renale kronike, që është dytësore, pasojë e një sëmundjeje inflamatore kronike, insuficienca renale akute është përgjithësisht kalimtare. Vendosja e pacientit sa më shpejt nën një trajtim të përshtatshëm lejon shpesh rifitimin e plotë të funksionit të veshkave.
Në mungesë të trajtimit, insuficienca renale mund të rrezikojë jetën e pacientit.
Njihen tri shkaqe kryesore të IRA-s, ndër të cilat më i shpeshti është insufiçienca prerenale, që nënkupton çrregullimin e qarkullimit të gjakut në veshka.
1. Rënia e shkallës së qarkullimit të gjakut në veshka, pas humbjeve të sasive të mëdha të lëngjeve dhe të gjakut pas operacioneve, aksidenteve, infeksioneve të rënda ose tek personat e moshuar që nuk pijnë mjaftueshëm lëngje.
Shkaqe të tjera:
Lëndët e kontrastit, që përdoren për kryerjen e disa tipe radiografish.- Medikamentet (antibiotikët, ACE-I, antialgjikët -kundër dhimbjes)
- Insufiçienca kardiake (dobësimi i punës së zemrës)
- Septicemia (përhapja e infeksionit në gjak)
2. Dëmtimi i indit të veshkave nga nefritet ose pielonefritet bakteriale ose virale
Shkaqe të tjera:
- Medikamentet
- Çrregullimet e proçesit të koagulimit
3. Pengesa në rrjedhjen e urinës, që mund të jenë gurë në veshka, zmadhimi i prostatës ose një ngushtim i uretrës (kanalit që nxjerr urinën nga fshikëza e saj)
Simptomat e IRA-s nuk janë shumë karakteristike. Shenja më tipike e saj është pakësimi i sasisë së urinës së nxjerrë nëpërmjet urinimit, që varion nga 1-1,5 litra, por mund të arrijë deri në më pak se 0,5 litra (oliguri). Nëse sasia e urinës është e papërfillshme, flitet për anuri.
Shenja të tjera:
- Lodhje e shpejtë, mungesë e përqëndrimit: kur këto shenja fillojnë të shfaqen tek personat e moshuar, duhet të kontaktohet sa më shpejt mjeku për vlerësim të gjendjes.
- Të përziera
- Enjtje e këmbëve nga mbajtja e ujit në organizëm
- Edemë pulmonare, që reflektohet me vështirësi në frymëmarrje
- Analizat e gjakut: niveli i kaliumit i lartë
- Aritmi kardiake (çrregullim i ritmit të zemrës), që përbën një urgjencë mjekësore.

Për vendosjen e diagnozës së insufiçiencës renale akute, janë të nevojshme:
- Njohja e mjekut me historinë e sëmundjes, duke përfshirë edhe simptomat e pacientit
- Analiza e gjakut
- Analiza e urinës
- Matja e sasisë së urinimit gjatë 24 orëve të fundit
- Ekografia: jep informacion lidhur me madhësinë e veshkave dhe pengesat e mundshme në rrugët urinare
- Radiografia e aparatit urinar
- Biopsia e indit renal (brenda mundësive)

Trajtimi përshtatet në varësi të shkaqeve të IRA-s.
Masat e përgjithshme
- Shtimi i sasisë së lëngjeve të marra (2-3 litra në ditë)
- Eleminimi i pengesave në rrugët urinare
- Ndërprerja e menjëhershme e medikamenteve që dëmtojnë veshkën
Masa të tjera
- Nëse proçedurat e mësipërme nuk mjaftojnë, mund të jetë e nevojshme kryerja e dializës, për të zëvendësuar përkohësisht funksionin e veshkave.
Medikamentet
- Diuretikët (nxitësit e urinimit-shkarkuesit)
Insufiçienca renale e patrajtuar mund të shkaktojë vdekjen e pacientit. Aplikimi i shpejtë i trajtimit sipas protokollit në këto raste mundëson rivendosjen e funksionit të veshkave.
Gjatë dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale, duhet të monitorohet me shumë kujdes vëllimi i gjakut, presioni i gjakut dhe sasia e lëngjeve të humbura. Shumë medikamente shkaktojnë dëmtime të veshkave. Pikërisht për këtë arsye, duhet të këshilloheni me mjekun përpara se të përdorni çdo medikament, edhe nëse ai është i disponueshëm pa rekomandimin e mjekut (pa recetë).