Eritema aktinike (Djegia nga dielli)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Djegia nga dielli është një inflamacion i
lëkurës që manifestohet me skuqje të lëkurës, dhimbje të saj, kruajtje dhe
shfaqjen e flluskave me ujë. Skuqja e lëkurës shfaqet vetëm në pjesën që është
ekspozuar ndaj diellit. Djegiet nga dielli mund të jenë të lehta, që shërohen
spontanisht pa ndonjë përkujdesje të veçantë, ose të rënda që shërohen më me
vështirësi dhe kërkojnë kujdes të veçantë sipas gradës së djegies. Këto të fundit
lënë shenja edhe pasi shërohen. Njerëzit me ngjyrë lëkure të hapur janë më të
rrezikuar të digjen nga dielli, krahasuar me njerëzit me lëkurë të errët. Një
formë e veçantë e djegies nga dielli është djegia nga dielli e kornesë së
syrit.
Rrezet ultravjollcë të diellit dhe burime të tjera të dritës janë arsye për inflamacionin e lëkurës. Këto përfshijnë rrezet shumë të fuqishme UV-B me gjatësi vale të shkurtër, që shkaktojnë djegien nga dielli.
Mbrojtja nga dielli varet nga disa faktorë:
- Lloji i aktivitetit në natyrë dhe shkalla e depërtimit të rrezeve të diellit.
- Kohëzgjatja e ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell (karakteristikë individuale).
- Stina dhe ora e ditës kur ekspozohemi në diell.
- Pozicioni gjeografik se ku ndodhemi gjatë ekspozimit ndaj diellit.
- Rrezet e forta pas rënies së dëborës
- Shkalla e intensitetit diellor
- Vranësirat dhe retë

Kur digjemi nga dielli, lëkura shfaq simptoma tipike të inflamacionit, si skuqje, nxehtësi, enjtje, dhimbje ose kruajtje. Në një ekspozim më të rëndë ndaj rrezeve UV simptomat janë më të rënda: djegia mund të paraqitet me flluska me ujë në lëkurë, që korrespondon me një djegie nga dielli të shkallës së dytë.
Kujdes: mos i trajtoni ose t’i shponi vetë flluskat me ujë, pasi kjo mund të shtojë rrezikun për infeksion.
- Simptoma të tjera që i bashkangjiten djegies së rëndë janë: ethet, lodhja trupore dhe të përzierat.
- Simptomat e djegies manifestohen 4-8 orë pas ekspozimit në diell. Gjatë banjos së diellit shumica e njerëzve ndiejnë vetëm një djegie të lehtë të lëkurës. Pas 12-36 orësh, problemet janë në kulmin e tyre. Pas disa ditëve mbeten vetëm shenjat në sipërfaqen e lëkurës.
Këshillohet konsulta me një mjek, nëse shfaqen simptomat e mëposhtme:
- Dhimbje të forta, ethe dhe flluska uji
- Djegje të forta nga dielli tek fëmijët dhe foshnjat
- Çrregullime të tjera që vijnë nga djegia e diellit, si dhimbje koke, të përziera dhe të vjella.
Diagnoza e djegies nga dielli vendoset lehtësisht, falë historisë që raporton pacienti, si ekspozimi në diell gjatë 24 orëve të fundit dhe pamja tipike e pjesëve të lëkurës të ekspozuara ndaj rrezeve ultravjollcë.

Zona e djegur e lëkurës duhet mbrojtur nga dielli, madje edhe në hije, për të shmangur një përkeqësim të inflamacionit. Meqënëse një sasi e madhe uji humbet përmes djegies, duhet pirë ujë në sasi të mjaftueshme. Djegiet nga dielli të lehta trajtohen lokalisht me produkte freskuese, në formën e solucioneve, kremrave ose xhelit, sipas rastit edhe me përmbajtje të dozave të vogla të kortizonit. Kur grada e djegies është më e rëndë, ajo trajtohet me medikamente qetësuese të dhimbjeve (kryesisht anti-inflamatorë jo-steroidienë).
Shumica e djegieve nga dielli shërohen brenda 1 ose dy javëve. Djegiet më të rënda mund të lënë shenja (cikatrice). Pas ekspozimit të vazhdueshëm në diell ndaj rrezeve UV (kjo vlen edhe për solarin) lëkura plaket më shpejt, për shkak të shkatërrimit të fibrave elastike të saj.
Gjenomi i lëkurës sonë ka një kujtesë të fortë: sa më shumë djegie të ketë një përson gjatë jetës, aq më i madh është rreziku për zhvillimin e kancerit të lëkurës. Djegiet nga dielli në 20 vitet e para të jetës shtojnë në mënyrë të konsiderueshme rrezikun e zhvillimit të melanomës gjatë jetës.

- Mbrojtja nga dielli duhet të përshtatet me rrethanat e jashtme dhe rreziqet individuale.
- Aplikimi i kremit mbrojtës ndaj diellit duhet të bëhet të paktën gjysëm ore përpara ekspozimt në diell.
- Lyerja me krem kundër rrezeve të diellit është mjaft e rëndësishme dhe nuk lejon ekspozim të lartë ndaj diellit.
- Evitoni qëndrimin në diell midis orës 11:00-15:00, pasi niveli i rrezatimit diellor është i lartë. Qëndrimi në hije ju ndihmon të nxiheni më ngadalë, në mënyrë uniforme, dhe ta ruani ngjyrën më gjatë.
- Të porsalindurit nuk duhet të ekspozohen drejtpërdrejt në diell gjatë vitit të parë pas lindjes.
- Gjatë pushimeve verore në det, përdorni një krem kundër diellit që është i qëndrueshëm ndaj ujit dhe riaplikojeni kremin pas daljes nga deti.
- Është e domosdoshme të vendosni syze dielli, sepse rrezet e diellit mund të dëmtojnë sytë. Për t’u mbrojtur duhet të kujdesemi që syzet të kenë filtër mbrojtës (CE). Shpesh syzet e lira nuk kanë efekte të mjaftueshme mbrojtëse për sytë.
- Përdorimi i kapeles është i nevojshëm, sepse mbron kokën nga rrezet dhe temperatura e lartë, po gjithashtu mbron edhe nga djegia e flokëve dhe dehidratimi i tyre. Fëmijët gjithashtu duhet të mbajnë gjithmonë kapele përpara çdo ekspozimi në diell.
- Duhet të pini 2 deri në 3 litra ujë në ditë dhe jo alkool.
- Shmangni solarin artificial!