Fryrja e barkut (Flatulencë, Meteorizëm, Rëndesë në stomak)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)
Fryrjet e barkut shfaqen në 2 forma:
- Meteorizimi ("barku i fryrë"), kur sasi të mëdha të gazrave nuk eleminohen nëpërmjet anusit, duke shkaktuar dhimbje të forta barku dhe një bark të fryrë.
- Flatulenca, kur një sasi e madhe gazrash të zorrës shkakton ndonjëherë dhimbje të fortë barku, por përgjithësisht çlirohen nëpërmjet anusit.
Sindroma e Roemheld është një rast i veçantë: një vakt i rëndë dhe i pasur me yndyrna mund të shpërthejë simptoma kardiake (në zemër), për shkak të presionit të madh që ushtrojnë organet e tretjes mbi zemrën, që mund të interpretohet gabimisht si një krizë kardiake. Zakonisht manifestohet me dispne, aritmi, dhimbje gjoksi, djersitje dhe marrje mendsh. Përgjithësisht, kjo sindromë është e parëndësishme. Gjithsesi, në çdo rast mjeku duhet të përjashtojë që në fillim një krizë të mirëfilltë kardiake. Simptomat shoqëruese: dhimbje barku, krampe abdominale, rëndim në stomak, ngjitje të acideve të stomakut lart, të përziera, diarre ose kapsllëk, temperaturë e lartë, mosmbajtje të feçeve.
Shpesh, kjo simptomë shkaktohet edhe nga sëmundjet e organeve të sistemit të tretjes (stomaku, zorra, pankreasi, fshikëza e tëmthit). Në rastin më të keq, meteorizmi mund të jetë shenjë e një bllokimi të zorrës, dhe personi duhet dërguar menjëherë në spital. Simptomat e një bllokimi të zorrës janë: krampet abdominale, meterorizmi, të vjellat me përmbajtje të stomakut që arrijnë deri në të vjella me jashtëqitje.
Sëmundjet që shkaktojnë fryrjen e barkut janë:
- Zorra e irritueshme
- Sëmundjet inflamatore kronike të zorrës (Koliti ulçeroz, Sëmundja Kron)
- Tumori stromal gastro-intestinal
- Infeksioni nga Helikobakteri i pilorit
- Infeksioni i sistemit të tretjes i shkaktuar nga bakteriet, kërpudhat, ose parazitët.
- Alergjia ose intorenca ushqimore (psh. Alergjia nga proteinat e qumështit, nga laktoza ose gluteni)
- Tek femrat: sindromi premenstrual
- Kapsllëku
- Diarrea, gastroenteriti
- Kanceri i zorrës së trashë
- Inflamacioni i pankreasit
- Gurët e tëmthit
- Kolikat e foshnjës
- Evitimi i ushqimeve që shkaktojnë gazra
- Respektimi i dietës (ngrënia ngadalë, përtypja e gjatë, të mos flitet gjatë ngrënies se mund të gëlltitet ajër)
- Kryerja e aktivitetit fizik dhe sporteve në mënyrë të rregullt
- Rregullimi i tretjes dhe jashtëqitjes, nëpëmjet konsumit të sasive të bollshme të lëngjeve gjatë ditës, konsumit të ushqimeve të pasura me fibra, përdorimit me raste të laksativëve të lehtë.
- Pakësimi i stresit, me anën e ushtrimeve relaksuese, jogës, etj.
Me cilin mjek duhet të konsultoheni?
- Mjeku i familjes
- Mjeku internist
- Mjeku gastro-enterolog
Njohja me historinë mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:
- Pyetjet lidhur me fryrjet e barkut: prej sa kohësh kanë filluar, me çfarë shpeshtësie, me çfarë natyre (fryrje barku, rëndesë në stomak, zhurma në zorrë), a janë të lidhura me marrjen e ushqimit, a ka çrregullime të defekimit, tendencë për kapsllëk, diarre, etj.
- Informimin mbi simptomat shoqëruese (shih rubrikën "Si manifestohet kjo simptomë?")
- Informimin mbi zakonet e ushqyerjes dhe higjienën e jetës në përgjithësi.
- Njohjen me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore të mëparshme, përfshirë operacione dhe aksidente.
- Informimin mbi përdorimin e medikamenteve të ndryshme.
- Informimin mbi alergji të ndryshme.
- Njohja me mënyrën e jetesës, aspektet sociale dhe profesionale të pacientit.
Egzaminimi klinik
Gjatë kryerjes së këtij egzaminimi, mjeku mund të dëgjojë barkun me ndihmën e një stetoskopi, si dhe të palpojë dhe perkutojë barkun. Nëse ai e gjykon nevojshme, mund të kryejë edhe tushenë rektale, që të mund të egzaminojë disa struktura të tjera (hapësira e Douglas, rektumi, prostata).
Egzaminime të tjera specifike diagnostike:
- Analiza e feçeve
- Testi i gjakut në feçe (gjaku okult)
- Analiza e gjakut
- Egzaminimi ekografik i barkut (mëlçisë, fshikëzës së tëmthit, pankreasit)
- Egzaminimi radiografik i barkut
- Testet e intolerancës ushqimore (psh. Intoleranca ndaj laktozës)
- Gastroskopia dhe/ose një kolonoskopi me biopsi shoqëruese
- Kryerja e ERCP: Egzaminim imazherik i rrugëve të tëmthit dhe atyre pankreatike me ndihmën e një lënde kontrasti.
Më tepër informacion lidhur me diagnozën mund të gjeni në tablotë klinike të sëmundjeve përkatëse.
Nëse në origjinën e kësaj simptome është një sëmundje fizike, fillimisht duhet trajtuar kjo e fundit. Në rast të kundërt, pra kur nuk ka një sëmundje specifike shkaktare të tyre, simptomat lehtësohen nga respektimi i disa masave të përgjithshme, dhe nga përdorimi i njëkohshëm i produkteve natyrale dhe medikamenteve të dobishme në këtë drejtim.
Masat e përgjithshme
- Përshtatja e zakoneve të ushqyerjes: evitimi i ushqimeve që fryjnë barkun, më tepër lëvizje, ngrënie e ngadaltë, etj. (shih gjithashtu rubrikën "Kujdes!")
- Në rastin e intolerancës ushqimore, është e rëndësishme të evitohen ushqimet që nuk tolerohen dot.
Produkte natyrale dhe medikamente
- Produktete natyrale të gjyshes kundër fryrjeve të barkut, të tilla si kopra, kamomili, gjethet e mentes, etj, përmbajnë vajra esenciale që qetësojnë krampet dhe fryrjet e barkut.
- Pro-biotikët: rregullojnë florën intestinale, forcojnë mbrojtjen e zorrës.
- Agjentët kundër gazrave: janë medikamente që shpërbëjnë bulat e gazrave dhe përmirësojnë eleminimin e tyre natyral.
- Medikamentet kundër krampeve (spazmolitikët)
- Produktet pro-kinetike: nxisin lëvizjet e stomakut dhe zorrëve
- Enzimat tretëse: përdoren në rastin e funksionit të dobësuar të pankreasit.