logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)

Frika manifestohet me simptoma fizike dhe psiqike, që janë të ndryshme dhe individuale për secilin prej nesh. Tek disa persona simptomat mund të jenë më tepër fizike sesa psiqike, ndërkohë që tek persona të tjerë dominojnë ato psiqike:

  • Simptomat fizike në rastin e frikës janë: palpitacionet , pulsi i përshpejtuar, frymëshkëmbimi i përshpejtuar deri në hiperventilim , marrja e frymës , axhitimi , dridhja, djersët e ftohta, nevoja urgjente për të urinuar, diarrea , shtrëngimi në fyt  dhe simptoma të tjera. Simptomat fizike e shtojnë frikën.
  • Simptomat psiqike: shfaqen në rastin kur frika prek mendimet dhe emocionet e pacientit dhe shkakton pasiguri, marrje mendsh, dobësi, përgjumje, ndjesinë e dobësisë së gjunjëve, e humbjes së vetëdijes, frikën e humbjes së kontrrollit, ndjesinë se po çmendet, frikën nga vdekja, etj. 

Frika nga sëmundjet mund të jetë një sëmundje më vete (psh. çrregullimet e ankthit, të njohura edhe si  "fobitë"), ose shkaktohet nga sëmundje të tjera trupore ose shpirtërore.

Çrregullimet e ankthit grupohen në:

  • Frika në situata të caktuara ose përballë gjërave të caktuara: ndër to përmendim fobinë sociale (frika përballë njerëzve të tjerë), fobitë specifike ose të thjeshta (frika nga qentë, merimangat, shiringat, avionët, analizat, etj.), agorafobia (frika nga turmat, që shfaqet në qendrat e mëdha tregtare, në kinema, restorante, etj.) ose hipokondria (frika nga sëmundjet).
  • Frikërat që nuk shkaktohen nga faktorë të jashtëm: në këtë grup bëjnë pjesë çrregullimet e ankthit/krizat e panikut (kriza e frikës së papritur dhe të pashpjegueshme, ku simptomat trupore janë në plan të parë) dhe çrregullimet e ankthit të përgjithshëm (frikërat joreale ku problemet  shpesh janë të lidhura me punën, financat, marrëdhëniet shoqërore, marrëdhëniet në çift, etj.) që manifestohen me nervozizëm, tension dhe simptoma të tjera trupore.

Sjelljet e evitimit në çrregullimet e ankthit
Personat e prekur nga çrregullimet e ankthit përpiqen të evitojnë situatat që u shkaktojnë ankth, që mund të kufizojnë jetën e përditshme. Viktimat janë përgjithësisht të vetëdijshëm që frika e tyre nuk është e fortë ose e egzagjeruar, gjithsesi ata nuk mund ta përballojnë atë. Një çrregullim ankthi i patrajtuar mund të shkaktojë varësi nga alkooli ose toksikomani (abuzimin me drogat).

Simptomat shoqëruese të ankthit janë: palpitacionet, frymëshkëmbimi dhe pulsi i shpejtuar, dispnea (vështirësia në frymëmarrje), djersitja, axhitimi, dridhjet, djersët e ftohta, nevoja urgjente për të urinuar, dobësia, humbja e vetëdijes dhe shumë simptoma të tjera.


Frika patologjike mund të manifestohet si simptomë e shumë sëmundjeve fizike ose çrregullimeve shpirtërore. Në raste të tjera, ajo mund të përbëjë vetë një sëmundje që emërtohet "çrregullim anksiogjen". Disa medikamente ose shkaqe të tjera mund të jenë përgjegjës për frikërat patologjike.

Shkaqet e frikës (çrregullimet trupore, psiqike dhe të tjera):


Personat që vuajnë nga çrregullimet e ankthit duhet të kërkojnë sa më shpejt ndihmën e profesionistëve. Përgjithësisht, sëmundjet e ankthit dhe sëmundjet e tjera që e shkaktojnë ankthin trajtohen mirë në ditët e sotme.

Një frikë patologjike e lidhur me një sëmundje fizike ose psiqike përmirësohet kur trajtohet sëmundja bazë. Pra, sapo korrigjohet shkaku, frika zhduket. 

Trajtimi i gjendjeve të tjera të ankthit (ankthi i përgjithshëm, sëmundja e ankthit, çrregullimet e panikut) mund të mbështetet nga strategjitë e auto-asistencës:

  • Teknikat relaksuese, si trajnimi autogjen, relaksimi muskular progresiv, joga , frymëshkëmbimi
  • Mënyra e shëndetshme e jetesës, pakësimi i stresit, aktiviteti i rregullt fizik dhe sporti

Ndihma e parë gjatë hiperventilimit në rastin e krizës së panikut:
 
Për shkak të përshpejtimit të ritmit të frymëthithjes dhe frymënxjerrjes, nxirret jashtë një sasi e madhe e dioksidit të karbonit (CO2), që çon në uljen e nivelit të tij në gjak. Kjo shkakton: çrregullime të ndjeshmërisë , si mpirje, shpime gjilpërash, ngërçe në duar, dridhje, dhimbje muskulare , marrje mendsh , çrregullime të shikimit, gjendje përgjumjeje që rrallë mund të arrijë deri në humbje të vetëdijes. Me normalizimin e frymëshkëmbimit, simptomat zhduken shpejt.

Ndihma e parë gjatë hiperventilimit:

  • Qetësoni personin që vuan, deri në normalizimin e shpeshtësisë së frymëshkëmbimit.
  • Kur personi merr frymë shpejt, këshillojeni të thithë dhe të nxjerrë ajër brenda në një qese letre ose plastike të vendosur para gojës së tij. Duhet t’i shpjegohet personit që është nën panik, se kjo bëhet për të kufizuar humbjen e CO2, sepse në këtë mënyrë ai thith CO2 që nxjerr. Ndonjëherë mjafton thjesht kryerja e frymëshkëmbimit me dorën të vendosur përpara gojës (në vend të qeses).
  • Kujdes: në rastin e insufiçiencës respiratore akute, të shkaktuar nga një sëmundje e zemrës ose e mushkërive, nuk këshillohet rithithja e CO2 të nxjerrë, pra frymëshkëmbimi me dorë ose qese përpara gojës. Në këtë rast, shpeshtësia e frymëshkëmbimit është përshpejtuar nga mungesa akute  e oksigjenit (O2). Terapia në të tilla raste konsiston në dhënien e oksigjenit. Rithithja e CO2 do të përkeqësonte gjendjen e pacientit.


Personat që vuajnë nga çrregullime të ankthit nuk duhet të kenë drojë për të kërkuar ndihmë dhe mbështetje profesionale. Sa më vonë ta bëjnë këtë, aq më shumë do jetë ndikuar jeta e tyre e përditshme nga efektet negative të ankthit.

Çrregullimet e ankthit janë përgjithësisht të lehta për t’u trajtuar. Sa më shpejt të fillojë trajtimi, aq më më i mirë do të jetë rezultati i tij. Në rast se nuk trajtohen, ato rëndohen me kalimin e kohës, që kërkon një terapi më të gjatë dhe më të ndërlikuar.

Të gjitha çrregullimet e ankthit mund të shkaktojnë probleme të tjera me kalimin e kohës. Të tilla janë depresioni, problemet sociale, ose një varësi nga alkooli, drogat ose abuzimi me medikamentet. Në rastet ekstreme, personat e prekur nga ankthi zhvillojnë një sjellje të fortë të evitimit të personave, situatave ose gjërave që u shkaktojnë ankth, që mund t’i çojë në izolimin e tyre shoqëror, deri në paaftësi për të punuar, duke qëndruar në shtëpi.

Me cilin mjek duhet të konsultoheni?

  • Mjeku i familjes
  • Mjeku psikiatër
  • Psikologu, psikoterapisti

Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.

Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:

  • Mënyra më e mirë diagnostike në rastin e çrregullimeve të ankthit është diskutimi ndërmjet pacientit dhe mjekut ose psikologut. Me ndihmën e pyetjeve specifike, terapisti mund të krijojë një imazh të qartë të ankthit dhe pasojave të tij në jetën e përditshme. Për këtë qëllim shërbejnë pyetësorët specialë dhe listat e kontrrollit, që ndihmojnë në dallimin e çrregullimeve të ndryshme të ankthit nga njëri-tjetri.
  • Njohja e mjekut me simptomat shoqëruese (shih më sipër)
  • Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme, përfshirë aksidentet dhe operacionet.
  • Informimi mbi sëmundjet ose shkaqet e vdekjeve në familjen e pacientit
  • Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
  • Informimi lidhur me ndonjë alergji të mundshme
  • Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
  • Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, nikotina, drogat), stresi, etj.

Personat me ankth duhet të kenë një ditar të veçantë, ku të shënojnë krizat e përditshme të ankthit, më konkretisht:

  • Situatën: çfarë ndodhi ?
  • Mendimi: çfarë mendoi në atë moment ?
  • Ndjenja: çfarë emocionesh provoi ?
  • Reaksioni trupor: çfarë simptomash u shfaqën ?
  • Sjellja: si reagoi pacienti përballë frikës së tij ?
  • Veprimi pozitiv: çfarë kam arritur?
  • Veprimi negativ: çfarë pasojash negative u shfaqën ?

Egzaminimi klinik/egzaminimi specifik

Shpesh në plan të parë të çrregullimeve të ankthit janë simptomat fizike. Në rastin e shfaqjes së simptomave të para të ankthit, deri në përjashtimin e të gjitha sëmundjeve që mund ta shkaktojnë atë si simptomë, rekomandohet një egzaminim klinik i kujdesshëm, që përfshin:

Më tepër informacion lidhur me egzaminimet diagnostike mund të gjeni në tablotë klinike korresponduese.

Terapia e ankthit patologjik varet gjithmonë nga shkaku. Mundësitë ë trajtimit paraqiten më poshtë:

  • Në rastin e krizës akute të panikut, mjeku mund të rekomandojë një medikament qetësues.
  • Kur ankthi është simptomë e një sëmundjeje kryesore, (psh. palpitacionet, sëmundjet e gjendrës tiroide, depresioni, etj.), duhet të trajtohet fillimisht sëmundja shkaktare.
  • Çrregullimet e ankthit trajtohen përgjithësisht me psikoterapi, paralelisht me mjekimin medikamentoz. Fobitë e thjeshta (psh. frika nga merimangat) trajtohen me psikoterapi, me terapinë e quajtur " terapia e sjelljes ".

Psikoterapia (Terapia e Sjelljes):
Personat e prekur nga ankthi mësojnë të menaxhojnë më mirë frikërat e tyre, të bëhen aktivë përballë frikës së tyre dhe të mos i evitojnë situatat që u shkaktojnë ankth. Për shumë të sëmurë, kjo është një sfidë e madhe, sepse pikërisht këto situata evitohen shpesh për vite të tëra.

Terapia medikamentoze :
Tek medikamentet anksiolitike bëjnë pjesë qetësuesit, antidepresantët dhe antiepileptikët .

Qetësuesit veprojnë shpejt dhe rekomandohen për krizat akute të panikut. Gjithsesi, për shkak të rrezikut të varësisë prej tyre, duhet të përdoren për periudha të shkurtra kohore, vetëm nën ndjekjen e rregullt nga mjeku specialist.

Antidepresantët nuk shkaktojnë varësi dhe mund të përdoren për kohë të gjatë, efekti i tyre shfaqet më vonë, pas disa javësh.

Nëse ankthi shkakton simptoma të forta fizike, si palpitacione, djersitje, mund të ndihmojë përdorimi i beta-bllokuesve dhe medikamenteve që veprojnë mbi sistemin kardio-vaskular.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...