Kolelitiaza (Gurët e tëmthit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Tëmthi përbëhet nga 80% ujë; ai përmban edhe acide biliare, kolesterol (yndyrë), kripëra dhe pigmente biliare. Kur përbërja e tij ndryshon, si psh. kur në të rritet sasia e kolesterolit, mund të formohen gurët e tëmthit.
Ndër gurët e tëmthit, më të shpeshtë janë ata me përmbajtje kolesteroli, të cilët mund të vendosen në fshikëzën e tëmthit ose në rrugët e kalimit të tij. Proçesi i formimit të gurëve të tëmthit favorizohet nga sëmundjet inflamatore, pengesat në rrugët e derdhjes së tëmthit ose nga çrregullime të tkurrjes së fshikëzës biliare.
Faktorët e rrezikut:
- Ushqyerja jo e shëndetshme, shumë e pasur me kolesterol, shumë e varfër në fibra, duke përfshirë edhe dietat për dobësim
- Mbipesha trupore dhe obeziteti
- Gjinia femërore, që preket dy herë më shumë se ajo mashkullore
- Përdorimi i kontraceptivëve (për parandalimin e shtatzanisë)
- Trashëgimia familjare
Formimi i gurëve në tëmth mund të favorizohet nga sëmundjet e mëposhtme:
- Diabeti i sheqerit
- Cirroza e mëlçisë
- Funksioni i shtuar i gjendrave mbiveshkore
- Sëmundjet inflamatore kronike të aparatit të tretjes (Sëmundja Kron, koliti i ulçeruar)

Pjesa më e madhe e personave që kanë gurë në fshikëzën e tëmthit nuk paraqesin asnjë simptomë.
Simptomat klinike:
- Ndjesia e presionit dhe e rëndesës në pjesën e sipërme të barkut, kryesisht pas konsumit të kafesë, alkoolit dhe ushqimive të pasura me yndyrna.
- Të përziera, të vjella, fryrje në pjesën e sipërme të barkut nga prania e gazrave.
Simptomat klinike më të shpeshta gjatë krizës (kolikës) në tëmth janë:
- Dhimbje tepër të forta në pjesën e sipërme të barkut, që përhapen në shpinë dhe ndërmjet shpatullave
- Të vjella
- Episode me djersitje dhe të dridhura
- Ethe, në rastin e inflamacionit shoqërues të fshikëzës së tëmthit (kolecistiti)
- Ngjyrosje në të verdhë e lëkurës: kur guri mbetet i burgosur në rrugët e derdhjes së tëmthit (kanalet biliare), ai mund të bllokojë proçesin e rrjedhjes së tij, duke shkaktuar kolestazën dhe kalimin e tëmthit në gjak.

Për të diagnostikuar një kolelitiazë, janë të nevojshme:
- Njohja e mjekut me simptomat aktuale të pacientit.
- Egzaminimet laboratorike, që konsistojnë në dozimin në gjak të enzimave të mëlçisë
- Ekografia e barkut, e fokusuar tek mëlçia dhe rrugët e tëmthit
- Eksplorimi retrograd i rrugëve të tëmthit (në drejtim të kundërt me drejtimin e derdhjes së tij), me ndihmën e lëndëve të kontrastit (ERCP).
Gurët e tëmthit duhet të hiqen në rrugë kirurgjikale. Nëse për trajtimin e tyre përdoren mënyra jokirurgjikale, shumë shpesh konstatohet rishfaqje e tyre në vitet më pas.
Trajtimi i krizës nga gurët në fshikëzën e tëmthit
Çdo krizë e tëmthit duhet të ndiqet me seriozitet dhe përgjegjshmëri nga mjeku. Trajtimi i saj është fillimisht simptomatik dhe kërkon përdorimin e antialgjikëve (medikamente kundër dhimbjes) dhe lëshuesve të muskujve.
Në rast se dyshohet për kolecistit (inflamacion shoqërues të fshikëzës së tëmthit), mjeku duhet të vendosë nëse duhen përdorur antibiotikë. Pas kalimit të krizës, pacientit i rekomandohen ndryshime të rëndësishme në mënyrën e tij të ushqyerjes, me konsumim ushqimesh të varfra në yndyrna dhe të pasura me fibra. Në rastet me mbipeshë trupore, pacientit i rekomandohet rënia në peshë. Krahas këtyre masave, duhet të identifikohen dhe të trajtohen në mënyrën e duhur edhe sëmundjet shoqëruese.
Kur krizat janë të shpeshta, mjeku përgjithësisht rekomandon ndërhyrjen kirurgjikale, ku proçedurat më të mundshme janë:
- Kolecistektomia: rekomandohet kur fshikëza e tëmthit me gurë në brendësi, është inflamuar ose dilatuar (e zgjeruar). Kjo proçedurë konsiston në heqjen e fshikëzës së tëmthit, që realizohet nëpërmjet laparoskopisë, përmes tri prerjeve të vogla në lëkurë ose nën kafazin e kraharorit, në anën e djathtë.
- Gurët në nivelin e rrugëve biliare mund të hiqen përgjithësisht gjatë egzaminimit endoskopik (ERCP)
Mundësitë e tjera:
- Në rastin e gurëve të vegjël dhe të shumtë aplikohet thërrmimi (zbërthimi) jokirurgjikal i tyre nëpërmjet valëve goditëse.
- Në disa pacientë mund të rezultojë efikase litoliza, që nënkupton shkrirjen e tyre me ndihmën e medikamenteve.
- Zverdhje të lëkurës
- Kolecistit (inflamacion të fshikëzës biliare)
- Dëmtime të mëlçisë
- Pankreatit (inflamacion të pankreasit)
- Bllokim të zorrës (ileus intestinal)
- Kancer të fshikëzës së tëmthit.