Legjioneloza (Sëmundja e legjionarëve)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Legjioneloza përshkruhet si sëmundja e legjionarëve, madje si "sëmundja e veteranëve", që prej vitit 1976 kur u konstatua për herë të parë tek ushtarët amerikanë gjatë një grumbullimi të tyre. Ky kontigjent manifestoi një pneumoni atipike të shkaktuar nga bakteret e legjionelës. Këto baktere gjenden kryesisht në sistemin e ujit të pijshëm ose në ujrat natyrale.
Njihen rreth 12 tipe legjionelash. Ato gjenden në ujrat natyrale, në sistemin e ujit të pijshëm (në rastet kur temperatura e tij është nën 60°C) dhe shpesh në xhakuzi. Gjithashtu, këto bakterie mund të transmetohen edhe nga uji i vaporizuar, si psh. nga dushet ose klimatizatorët e ambientit. Legjionelat nuk shumëzohen në temperaturë mbi 60°C dhe në ujë të ftohtë. Infektimi i njeriut nga njeriu është i pamundur.
Faktorët e rrezikut:
- Gjinia mashkullore
- Mosha mbi 50 vjeç
- Diabeti i sheqerit
- Insuficienca kardiake (dobësimi i punës së zemrës)
- Bronkopneumopatia kronike obstruktive
- Çrregullimet e rënda të funksionit të veshkave
- Ulja e imunitetit (si psh. nga SIDA, kimioterapia,etj.)
- Konsumi i duhanit dhe abuzimi me alkoolin.

Periudha e inkubacionit (nga momenti i infektimit deri në shfaqjen e simptomave të para) zgjat nga 2-10 ditë.
Ecuria në kohë e simptomave:
- Ethe
- Të dridhura
- Të përziera dhe të vjella
- Diarre (jo gjithmonë)
- Dhimbje të gjymtyrëve
- Kollë me shumë gëlbazë
- Bllokime në frymëmarrje
- Ngjyrosje në blu e buzëve dhe e shtratit të thonjve
Në rastet kur trajtimi ka filluar në stade të vonshme, mund të shfaqet encefaliti (inflamacioni i cipës së trurit), me çrregullime të ndërgjegjes.

Diagnoza e legjionelozës vendoset duke u bazuar tek:
- Njohja e mjekut me simptomat e pacientit dhe të dhënat e detajuara në lidhje me qëndrimet e shpeshta në hotele dhe frekuentimin e xhakuzit.
- Egzaminimi fizik, veçanërisht i mushkërive.
- Radiografia e mushkërive
- Identifikimi i antitrupave kundër legjionelave ose materialit gjenetik të tyre (metoda PCR).

Është mjaft e rëndësishmetë që trajtimi i legjionelozës të fillohet në stade sa më të hershme. Skema e trajtimit përmban:
- Antibiotikët, mundësisht të kombinuar
- Në rast nevoje, medikamente antipiretike (kundër temperaturës), medikamente kundër kollës dhe gëlbazës (hollues të gëlbazës, që lehtësojnë nxjerrjen e saj).
Sëmundja e legjionelozës mund të shkaktojë këto ndërlikime:
- Përhapjën e infeksionit të legjionelës në të gjithë organizmin (gjendja e septicemisë)
- Insuficiencën akute të mushkërive (ulje e menjëhershme e funksionit të mushkërive), që mund të çojë në vdekjen e pacientit.
- Encefaliti
- Infeksion në zemër ose në veshka (rrallë).
Për të parandaluar legjionelozën, duhet të zbatohen masat e mëposhtme:
- Të evitohet pirja e ujit të nxehtë
- Uji i dushit duhet të përdoret i ngrohur paraprakisht mbi temperaturën 60°C
- Përpara fillimit të larjes në dush, uji duhet të lihet të rrjedhë për të paktën një minutë.
- Të frekuentohen banjat në xhakuzi, vetëm në ambiente me higjienë maksimale
- Të pastrohen rregullisht klimatizatorët e ambientit, lagështuesit e ajrit dhe depozitat e ujit.
- Ndërprerja e duhanit.
Këto masa parandaluese janë veçanërisht të rekomandueshme për personat që vuajnë nga sëmundje kronike. Nuk egziston asnjë vaksinë për të parandaluar infektimin nga legjioneloza.