Hernia inguinale
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Herniet janë dalje (nxjerrje) nga përpara të murit të barkut, të shkaktuara nga dobësimi i indit lidhor. Pjesa më e madhe e hernieve inguinale formohen kur një masë e kufizuar kalon përmes një zone të dobësuar të murit të barkut. Kjo çon në formimin e një gunge të dukshme dhe të prekshme në këtë nivel.
Hernia inguinale indirekte (e tërthortë ose e jashtme)
Përgjithësiht, ky tip i hernies është i lindur, dhe përbën formën e saj më të përhapur tek fëmijët dhe të rinjtë. Meshkujt shfaqin më shpesh hernie, krahasuar me vajzat.
Hernia inguinale direkte
Përgjithësisht është një formë e fituar e hernies, që shfaqet më tepër tek personat e moshuar. Ajo konstatohet më shpesh tek personat që paraqesin dobësi të lindur të indit lidhor. Ndërhyrja kirurgjikale është trajtimi i vetëm efikas, edhe pse përsëritjet janë të shpeshta. Në raste të rralla, mund të ndodhë shërimi spontan i hernies inguinale tek foshnjat.
Hernia inguinale e lindur
Një hernie inguinale e lindur është rezultat i mbylljes jo të plotë të kanalit peritoneo-vaginal (që lidh cipën e barkut me vaginën). Për pasojë, organet e barkut kalojnë përmes një zgjatjeje të cipës së barkut (peritoneumit) dhe ndjekin trajektoren e kanalit peritoneo-vaginal. Kështu, hernia mund të arrijë deri në skrotum (mbajtësen e testeve) tek meshkujt dhe deri tek buzët e mëdha të vaginës tek femrat.
Hernia inguinale e fituar
Kjo është një formë e fituar e hernies, që shfaqet më vonë, nën ndikimin e faktorëve të ndryshëm.
Faktorët e mëposhtëm rritin rrezikun e shfaqjes së hernies inguinale:
- Një hernie inguinale mund të shfaqet në rastin e dobësisë muskulare në nivelin e pikave të kontaktit me nervat, enët e gjakut dhe kordonin spermatik (brenda tij gjenden enët e gjakut, enët limfatike, nervat dhe fijet muskulare që zbresin nga barku për në skrotum).
- Ndërhyrjet kirurgjikale në zonën e barkut
- Dobësia e lindur e indit lidhor
- Obeziteti
- Rritja e presionit në nivelin e barkut, e shkaktuar nga të vjellat, kolla, ngritja e peshave të rënda, kapsllëku i vazhdueshëm dhe shtatzania.
- Tumoret e zorrës së trashë (shumë rrallë)
Pacienti me hernie inguinale paraqet këto simptoma:
- Përgjithësisht, një gungë që duket dhe preket në zonën e ijës.
- Dhimbje gjatë ngritjes së peshave të rënda
- Dhimbje gjatë shtypjes së gungës
Shpesh, nuk shfaqen dhimbje, por vetëm një sëmbim i vogël (therje) në zonën e ijës, që tek meshkujt përhapet shpesh drejt testeve.
Në çdo rast, fryrjet në zonën e barkut duhet të vlerësohen nga një mjek.
Urgjenca: Bllokimi (burgosja) i hernies
- Dhimbje të forta
- Të përzierat, të vjellat
Bllokimi i hernies ka nevojë për shtrim të menjershëm në spital.

Diagnoza e hernies inguinale përcaktohet nëpërmjet:
- Historisë së sëmundjes dhe simptomavë të pacientit.
- Palpimit të hernies nga mjeku
- Egzaminimit ekografik
- Nëse hernia mund të futet me dorë në bark, simptomat janë përgjithësisht të pakta, edhe rreziku i bllokimit të saj është i vogël.

Tek fëmijët, herniet mund të shërohen spontanisht, edhe pse në raste të rralla. Për t'u shëruar plotësisht, hernia inguinale duhet të operohet. Kjo ndërhyrje kryhet përgjithësisht pa anestezi të përgjithshme. Për herniet e vogla, mjafton anestezia lokale.
Në përgjithësi, operacioni konsiston në vendosjen ose qepjen e një rrjete plastike mbi vrimën e hernies. Rrjeta cikatrizohet (shërohet) bashkë me indin përreth, duke i lejuar kështu murit të barkut të stabilizohet. Kjo metodë ka për qëllim të evitojë formimin e një hernieje të re ose të paktën të vonojë shfaqjen e saj.
Fashimet e hernies: përdoren tepër rrallë në ditët tona, pikërisht në rastet kur operacioni paraqet rrezik për pacientin. Ato nuk duhet të përdoren veçanërisht në rastet e bllokimit të hernies, ose të hernies së burgosur.
Bllokimi (burgosja) e hernies
Burgosja e hernies përbën një urgjencë mjekësore absolute, që zgjidhet vetëm me kryerjen e operacionit sa më shpejt që të jetë e mundur (brenda disa orëve).
Bllokimi (burgosja) i hernies përbën ndërlikimin më të rëndë të saj, që ka nevojë për operacion të menjëhershëm. Në përgjithësi, plagët operatore të hernies inguinale shërohen plotësisht dhe pa ndërlikime. 5-10% e rasteve paraqesin përsëritje të hernies inguinale pas operacionit.
Ashtu si edhe operacionet e tjera të kryera në zonën e barkut, operacioni i hernies inguinale mund të shkaktojë këto ndërlikime:
- Tromboza, zhvendosje të koagulave të gjakut (copëzave të mpiksura), dëmtimin e zorrës ose të fshikëzës së urinës, infektimin e plagës, dhimbje kronike dhe infeksione. Falë teknikave të sotme operatore të përdorura, dhe saktësisë së mjekëve, këto ndërlikime shfaqen tepër rrallë.
- Rrjeta e vendosur gjatë operacionit mund të provokojë një reaksion mospranimi nga ana e organizmit. Në këto raste, është i domosdoshëm ritrajtimi i hernies.
- Tek djemtë e rinj dhe burrat, kordoni spermatik mund të jetë ndarë dhe të jetë dëmtuar skrotumi. Këto ndërklikime janë gjithsesi të rralla.
Praktikisht, është e pamundur të parandalohet shfaqja e hernies inguinale. Për këtë arsye, është tepër e rëndësishme të evitohen faktorët e rrezikut, të paraqitur më poshtë:
- Obeziteti
- Ngritja e peshave të rënda
- Kapsllëku, që pasohet nga sforcimi i madh për të realizuar jashtëqitjen. Për të shmangur këtë, duhet respektuar një regjim ushqimor i pasur me fibra.
- Në rastin e dobësisë së lindur të indit lidhor, praktikisht nuk egziston asnjë mënyrë tjetër parandalimi për shfaqjen e hernies inguinale, përveç evitimit të faktorëve të mësipërm të rrezikut.