Kanceri i vezoreve (Kanceri ovarien)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Vezoret janë dy dhe gjenden të vendosura në legen, në të dy anët e mitrës. Në gjendje normale, femra nuk i ndjen vezoret e saj. Megjithatë, gjatë egzaminimit mjekësor ato mund të jenë të dhimbshme gjate egzaminimit me prekje. Kanceri i vezoreve renditet i dyti ndër kanceret gjenitale tek femrat, pas kancerit të qafës së mitrës dhe kancerit të mitrës. Në fakt, kanceri i gjirit është më i shpeshti tek femrat, por ai nuk përfshihet tek kanceret gjenitale.
Tumoret e vezoreve janë përgjithësisht beninje. Megjithatë, edhe ato mund të degjenerojnë në tumore malinje ose të jenë të tilla që në fillim. Për shkak të mungesës së simptomave për një periudhe kohore shpesh të gjatë, zbulimi i kancerit të vezoreve është përgjithësisht i vonuar.
Shkaqet e kancerit të vezoreve nuk janë zbuluar ende. Disa femra paraqesin një tendencë gjenetike (trashëgimi), që i bën ato më të prekshme nga ky lloj kanceri.
Faktorët dhe situatat e rrezikut:
- Plakja
- Faktorët ambientalë, ushqyerja, mënyra e jetesës
- Mungesa e shtatzanisë, e dëshiruar ose jo
- Disa anomali gjenetike (të trashëguara)
- Trashëgimia familjare për kancer të vezoreve

- Shqetësim i përhapur dhe i paqartë në bark
- Në disa raste, të përziera me origjinë të papërcaktuar
- Ndjesia e pranisë së lëngut në bark; fryrje ose tendosje e barkut, e pashoqëruar me shtim në peshë
- Disa tumore mund të ushtrojnë presion mbi zorrë ose mbi fshikëzën e urinës, duke shkaktuar çrregullime të jashtëqitjes ose të urinimit.
- Rënie në peshë, pafuqi e përgjithshme.
Simptomat e mësipërme shpesh kapen me vonesë, në një stad të përparuar të zhvillimit të kancerit.

Për diagnostikimin e kancerit të vezoreve, janë të nevojshme:
- Njohja e mjekut me të dhënat mjekësore personale dhe familjare, si dhe me simptomat e pacientes në momentin e konsultimit.
- Egzaminimi ekografik
- Skaneri (Tomodensitometria)
- Analizat e gjakut, me dozimin e markuesve (treguesve) tumoralë.
- Marrja e materialit indor të vezores për vlerësim histologjik (biopsi)

Operacioni shpesh shoqërohet nga kimioterapia. Kjo e fundit konsiston në përdorimin e medikamenteve citostatike, të cilët janë të aftë të frenojnë rritjen e qelizave kanceroze, që janë ende të pazhvilluara mirë. Përveç efektit qetësues (paliativ), kimioterapia është mënyra e zgjedhur e trajtimit për format e përparuara, që nuk mund të operohen (sepse nuk përfitojnë nga operacioni). Në raste të rralla mund të përdoret edhe radioterapia (rrezatimi). Për qetësimin e dhimbjeve kanceroze rekomandohet përdorimi i medikamenteve antialgjike.
Qëllimi i ndërhyrjes kirurgjikale është heqja e plotë e tumorit. Për këtë arsye, shpesh është e domosdoshme heqja e të dy vezoreve, e mitrës, e një pjese të peritoneumit (cipës mbështjellëse të tyre) dhe nyjeve limfatike të afërta. Zgjedhja e operacionit si mënyrë trajtimi varet nga stadi i zhvillimit të kancerit dhe shkalla e përhapjes së tij në organizëm.
Zhvillimi i një sëmundjeje kanceroze mund të shpërthejë një krizë psiqike tek pacientja e prekur. Për këtë arsye, në të tilla raste është e rekomandueshme psikoterapia.
Kur kanceri i vezoreve diagnostikohet në një stad të hershëm, gjë që ndodh në pak raste, mundësitë e shërimit të tij janë të mëdha. Ai konsiderohet një nga kanceret më të rrezikshëm, pikërisht, sepse zhvillohet në heshtje, pa shfaqur simptoma. Për këtë arsye, ai shpesh diagnostikohet në stade mjaft të përparuara, pasi është përhapur në hapësirën e barkut ose në cipën e mushkërive (pleurën). Në këto stade, mundësitë për t'u shëruar prej tij nuk egzistojnë.